Katandisja e procedurës administrative gjyqësore në Kosovë

Opinione

Katandisja e procedurës administrative gjyqësore në Kosovë

Nga: Faik Miftari Më: 10 qershor 2026 Në ora: 17:55
Faik Miftari

Këtë vështrim po shkruaj, duke marr parasysh  përvojën profesionale,  gjatë përfaqësimit të palëve në procedurë administrative gjyqësore  në Departamentin Administrativ të Gjykatës Themelore në Prishtinë si shkallë e parë, si dhe në Departamentin Administrativ të Gjykatës së Apelit të Kosovës në Prishtinë si shkallë e dytë, me ç’rast ka raste kur nxiren aktvendime dhe aktgjykime për rastet e njëjta, herë të bazuara, herë të pabazuara, herë të ligjshme, herë të kundërligjshme, që bie ndesh me drejtën pozitive në fuqi në Republikën e Kosovës.

Pas shterjes së procedurës administrative në organin e  shkallës së parë dhe organin e shkallës së dytë në kuptim të nenit 10 par.1 të Ligjit nr. 03/L-202 për Konfliktin administrativ pasi që janë plotësuar  të gjitha kushtet për të nisur konfliktin administrativ për shkak të shkeljes së drejtës ligjore në procedurë administrative, si dhe në kuptim të  nenit 27 par. 1 të Ligjit nr. 03/L-202 për Konflikt administrativ, palët kanë parashtruar padi për konflikt administrativ në afatin e paraparë ligjor në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti për çështje administrative sipas lëndës A.nr.1062/22, datë e pranimit në Gjykatë Themelore në Prishtinë 04.05.2022.

Pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për çështje administrative mori aktgjykimin    A.nr.1062/2022 të datës 05.10.2023 me të cilin e ka refuzuar  si të pabazuar  padinë dhe kërkesë padia e paditësve me të cilën kanë kërkuar që të anulohet vendimi Nr. 04-351/02-154837 të datës 15.02.2022 të Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor të Komunës së Prizrenit si të kundërligjshëm.

Ndaj këtij aktgjykimi paditësit kanë parashtruar ankesën në afatin e caktuar ligjor me datë 15.11.2023 pranë Gjykatës së Apelit të Kosovës-Departamentit për çështjen administrative në Prishtinë.

Gjykata e Apelit të Kosovës-Departamenti për Çështje Administrative, me aktvendimin AAnr.934/2023 të datës 08.10.2024 e ka miratuar si të bazuar ankesën e paditësve, me të cilin e ka prish Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për çështje administrative A.nr.1062/2022 të datës 05.10.2023, dhe lënda i është kthyer Gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe rivendosje.

Konform rekomandimeve të Gjykatës së Apelit të Kosovës-Departamenti për çështje administrative AA.nr.934/2023 të datës 08.10.2024, që në ri-procedurë përveç tjerash:“Gjykata e shkallës së parë duhet t’i mënjanojë të metat e vërejtura sipas këtij aktvendimi, dhe pastaj të vendos lidhur me objektin e kërkesëpadisë së paditësve në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme, duke u bazuar në Ligjin për Konfliktet administrative dhe Ligjit për Procedurën Kontestimore”, Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për çështje administrative pas mbajtjes së shqyrtimit kryesor dhe administrimit të provave mori aktgjykimin A.nr.1062/2022 të datës 30.01.2025 me të cilin ka aprovuar në tërësi si të bazuar padinë dhe kërkesë padinë e paditësve dhe ka detyruar të paditurën që në afat prej 30 ditësh të merr aktvendimin sipas kërkesës së paditësve  me Nr. ref.04-351/02-154837 të datës 15.02.2022 si dhe ankesës së datës 23.02.2022 të parashtruar kundër Vendimit të datës 15.02.2022.

Të paditurat, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Prishtinë dhe Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor të Komunës së Prizrenit në afatin e përcaktuar ligjor prej 15 ditësh nuk kanë parashtruar ankesë ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për çështje administrative A.nr.1062/2022 të datës 30.01.2025, andaj ky aktgjykim u bë i plotfuqishëm me datë 27.02.2025 me klauzulën e plotfuqishmërisë së Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për çështje administrative..

Me datë 21.03.2025 paditësit me parashtresë kanë dërguar Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Prishtinë dhe Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor të Komunës së Prizrenit me të cilën kanë kërkuar që në afatin e përcaktuar ligjor prej 7 ditës të nxjerrin aktvendimin e ri sipas dispozitivit të aktgjykimit të plotfuqishëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për çështje administrative, A.nr.1062/2022 të datës 30.01.2025.

Me datë 04.04.2025 pasi që të paditurit, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Prishtinë dhe Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikimit Hapësinor të komunës së Prizrenit përkundër afatit kohor prej 7 ditësh nuk e kanë nxjerr aktvendimin e ri, paditësit kanë dërguar  parashtresë Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për çështje administrative, gjyqtarit të lëndës  me të cilin kanë kërkuar që në kuptim të nenit 68 parë 1 të Ligjit për Konflikt administrative Nr.03/L-202 që të nxjerr aktvendimin i cili do të zëvendësojë aktin e organit administrativ me të cilin do të shfuqizojë Vendimin e Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor të komunës së Prizrenit Nr.351/02-154837 të datës 15.02.2022.

Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti për çështje Administrative në vend se nxjerr aktvendimin në kuptim të nenit 68 par.2 të Ligjit për Konflikt Administrative Nr.03/L-202 me të cilin do të zëvendësoj aktin e organit administrative i cili ka refuzuar të nxjerr vendimin sipas aktgjykimit të plotfuqishëm A.nr.1062/2022 të datës 30.01.2025, në kundërshtim me normativën ligjore në fuqi në Republikën e Kosovës, gjyqtari i lëndës cakton seancën e re gjyqësor me datë 16.06.2025, pas së cilës gjyqtari i njëjtë, e anulon aktgjykimin e tij të mëparshëm të plotfuqishëm A.nr.1062/2022 të datës 30.01.2025 me klauzulë të plotfuqishmërisë të datës 27.02.2025 dhe sjell tani aktgjykimin e ri A.nr.1062/2022 të datës 19.06.2025 me të cilën e refuzon në tërësi si të pabazuar padinë dhe kërkesë padinë e paditësve me të cilin kanë kërkuar që të anulohet Vendimi Nr.04-351/02-154837 i datës 15.02.2022 të Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor të Komunës së Prizrenit.

                                     “O tempora o mores”.

Kjo gjerë tani nuk është shënuar në praktikën gjyqësore të Kosovës. Një aktgjykim i plotfuqishëm i Gjykatës së shkallës së parë-Departamenti për çështje administrative në Prishtinë  i vërtetuar me klauzulën e plotfuqishmërisë, me të cilin është aprovuar si e bazuar padia dhe kërkesë padia e paditësve, tani anulohet me një aktgjykim tjetër,  sjell nga po i njëjtë gjyqtar  me të cilën tani refuzohet si e pabazuar padia dhe kërkesë padia e paditësve me të cilin e anulon aktgjykimin e tij të mëparshëm të plotfuqishëm.

Pas kësaj, paditësit në afatin e caktuar ligjor ushtruan ankesë  pranë Gjykatës së Apelit të Kosovës-Departamenti për çështje administrative me datë 08.07.2025.

Gjykata e Apelit të Kosovës-Departamenti për çështje administrative, tani përkundër asaj se herën e parë e pranoi ankesën si të bazuar dhe ktheu lëndën në rigjykim, tani aktgjykimin e plotfuqishëm të Gjykatës së shkallës së parë, të cilin i njëjti gjyqtar i Gjykatës  së shkallës së parë në Prishtinë-Departamenti për çështje administrative aktgjykimin e vet të mëparshëm të plotfuqishëm e anulon dhe e shpall si të kundërligjshëm, e të cilin tani merreni me mend  Gjykata e Apelit të Kosovës-Departamenti për çështje administrative me aktgjykimin e saj AA.nr.686/2025 të datës 19.06.2025 e vërteton tani si të ligjshëm aktgjykimin A.nr. 1062/2022 të datës 19.06.2025. “O tempora o mores”.

Kosova sa i përket shpalljes së pavarësisë së saj njihet si rast ”sui generis” në marrëdhënie ndërkombëtare, porse tani edhe në  procedurë gjyqësore administrative në Kosovë do të  njihej si rast” sui generis” ashtu që gjyqtari  i Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për çështje administrative,  aktvendimin e vet të ligjshëm dhe të bazuar, i bërë i plotfuqishëm, i  vërtetuar me klauzulë të plotfuqishmërisë,  i njëjti gjyqtar tani vendimin e vet të plotfuqishëm e anulon  dhe sjell vendimin me të cilin refuzon padinë dhe kërkesë padinë e paditësve si të pabazuar dhe të kundërligjshme.

Në përfundim të këtij vështrimi palëve në procedurë pas shterjes së të gjitha mjeteve juridike të procedurës  administrative dhe konfliktit administrativ gjyqësor nuk ju mbetet tjetër gjë përveç se të ngrenë kallëzime penale pranë Prokurorive Themelore  kundër zyrtarëve përgjegjës  ligjor administrativ të shkallës së parë dhe të dytë në Republikën e Kosovës për nxjerrjen e vendimeve të kundërligjshme, si dhe gjyqtarëve të procedurës gjyqësore të shkallës së parë dhe të dytë për nxjerrjen e aktvendimeve dhe aktgjykimeve të kundërligjshme që bien ndesh me normativën ligjore  në fuqi në Republikën e Kosovës, në kuptim të nenit 414 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës për Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar  me ç’rast do të ballafaqohen në procedurën  penale  pranë Gjykatave Penale në Kosovë.

          10.06.2026                                                               Av. Faik MIFTARI

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat