Nuk jemi të vetëdijshëm se jemi duke u tretur si shoqëri e si komb, duke e rrezikuar shtetësinë e Kosovës, e cila u bë me shumë mund, sakrifica dhe viktima të shumë gjeneratave të këtij vendi. Vendimet e Gjykatës së Hagës kanë ndikuar dhe vazhdojnë të destabilizojnë situatën aktuale politike dhe të sigurisë së Kosovës.
Janë ngritur në këmbë, duke i fryrë zjarrit, shumë mjete të informimit, përmes debateve me të ashtuquajtur “analistë”, të cilët, me qëllim apo pa dije, po ndikojnë në polarizimin e skajshëm të njerëzve të këtij vendi, duke futur pyka e hile dhe duke e përçarë popullin.
Mjerisht, disa rryma e grupe interesi, të cilat kanë gjynahe dhe hipoteka për të kaluarën e tyre në të gjitha aspektet, tani, përmes formave të veprimit konspirativ, po e gjuajnë “gurin e po e fshehin dorën”, për të krijuar sa më shumë kaos në vend.
Asnjëherë shoqëria Kosovare nuk ka qenë më e polarizuar se tani, që do të thotë se këto trende paraqesin rrezik për ndonjë përplasje ndërmjet njerëzve, me pasoja të paparashikueshme. Përgjegjësinë për këtë gjendje e kanë njerëzit që janë rreshtuar nëpër të ashtuquajtura parti politike, në krye me liderët partiakë, të cilët po e rrezikojnë konstituimin dhe funksionimin e shtetit të Kosovës prej vitesh me radhë.
Protestat e një numri të qytetarëve kundër vendimeve të Gjykatës Speciale në Hagë janë të arsyeshme, por, assesi, nuk guxojmë të lejojmë që në radhët e protestuesve të infiltohen persona apo individë me maska, pa e zbuluar identitetin dhe qëllimin e tyre.
Për këtë duhet të veproj dhe të deklarohen Institucionet e Sigurisë se Kosovës . Është momenti i fundit që këto parti politike dhe njerëzit në krye të institucioneve të shtetit të mendojnë më thellë, duke pyetur vetveten se çfarë janë duke i bërë vendit?. Nuk ka më asnjë arsye që stabiliteti i vendit të vihet në pikëpyetje.
Partitë politike, në këto momente, duhet ta analizojnë dhe ta ndryshojnë qasjen dhe veprimet, duke lënë anash teket dhe duke u turpëruar për sjelljet dhe veprimet e tyre, të cilat janë kundër interesit të popullit dhe shtetit.
Në këto momente, kur shoqëria kosovare po përballet me kriza të cilat janë krijuar nga motivet e ulëta të inateve, të xhelozive dhe të rivalitetit primitiv, patjetër duhet ndryshuar qasja, duke i përafruar skenat politike për të krijuar ura të reja bashkëpunimi në krijimin e institucioneve të shtetit sa më parë. Kosova me shekuj ka vuajtur për t’i bërë apo krijuar institucionet legjitime demokratike, për t’i gëzuar të drejtat elementare, të cilat ishin shkelur me shekuj.
Askush nuk ka të drejtë të shfrytëzojë fatkeqësinë e ish-udhëheqësve të UÇK-së, të cilët gjenden në Hagë. Ata mund të ndihmohen dhe të forcohen vetëm me unitetin (përafrimin) e njerëzve të këtij vendi, të cilët kanë hyrë në politikë dhe kanë marrë përgjegjësi për ta ndërtuar dhe forcuar shtetin e Kosovës.
Është koha që Parlamenti dhe institucionet përkatëse, të cilat merren me punën dhe monitorimin e mjeteve të informimit në Kosovë, sa më parë ta vënë në rend të ditës politikën editoriale dhe redaktuese në disa mediume informative, të cilat i kanë kaluar të gjitha kodet e etikës profesionale, duke e helmuar dhe përçarë popullin.
Andaj, në fund, më thotë mendja: mjaft më me këto botëkuptime, të cilat po e përçajnë popullin dhe po e çojnë vendin në kaos.