Pse Albin Kurti nuk qëndron pas protestave të studentëve të Tiranës?!

Opinione

Pse Albin Kurti nuk qëndron pas protestave të studentëve të Tiranës?!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 21 tetor 2026 Në ora: 11:33
Albin Kurti, protestat e të rinjve në Tiranë dhe kryeministri Edi Rama, në qendër të debatit për pretendimet mbi ndikimet politike në demonstrata. (Fotoilustrim)

Lloj-lloj fabrikimesh kanë dhënë Edi Rama, njerëzit e tij, si dhe mediet pranë qeverisë së Tiranës për ndikimin e huaj në motivimin e studentëve dhe rinisë shqiptare për të protestuar. Iranianët, rusët, serbët, grekët, të huajt, ufot, kush nuk është përmendur për të atakuar këtë revoltë të fuqishme anti-qeveritare në qytetet e Shqipërisë e sidomos në kryeqytetin e saj. Gramafonët e Edi Ramës në Shqipëri e në Kosovë jo pak raste kanë akuzuar edhe kryeministrin Kurti për gjoja dorën e tij të fshehtë në këto protesta. Ndërkohë e vërteta është krejt ndryshe.

Përveç akuzave dhe shpifjeve, deri më sot asgjë konkrete nuk është e provuar. Nuk ka asnjë protestues në Tiranë ose gjetkë ndonjë akuzë se i shërben rusëve, iranianëve, serbëve apo Albin Kurtit. Por ka një të vërtetë, se propaganda e Ramës qëllimisht e rreshton kryeministrin e Kosovës në anën armiqve të Shqipërisë. Alibia është shumë e lexueshme. “Bashkë me serbët, iranianët e rusët qeverinë e Edi Ramës po e lufton edhe Albin Kurti”! Nuk gjen perversitet më të shëmtuet se kjo lloj propagande në diskursin politik e mediatik të Tiranës zyrtare. Edhe pse e dinë se as serbët, as rusët, as iranianët dhe as Kurti nuk qëndrojnë pas këtyre revoltave, ata vazhdojnë algoritmin e tyre për të trilluar e shpifur gjëra të paqena. Këtyre perversëve të Tiranës, të cilët përfaqësojnë interesat e mafies dhe të krimit të organizuar, është për t’ua patur zili edhe regjimet më mizore në botë për mënyrën si e artikulojnë gënjeshtrën e tyre. Ka akuza ndërhyrjesh, por nuk ka të akuzuar! Çfarë paradoksi!

Megjithatë nuk do të elaboroj gjithçka për atë që përmenda më lart. Veçse për një gjë duhet të jemi të qartë: - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka asnjë interes që të merret me Edi Ramën dhe qeverinë e tij. Nuk ka pse të hakmerret as për intrigat dhe komplotet e Edi Ramës për ta rrëzuar atë nga pushteti. E shumta Kurti mund të ngrohë duart në zjarrin e Tiranës, të cilin Edi Rama e ka ndez vetë me politikat e tij anti-kombëtare e anti-popullore dhe e furnizon çdo ditë me benzinë. Por nuk ka asnjë interes të nxitë revolta. Pse, do të thoni ju? E para se kali i ngordhur nuk tërheq vëmendjen e askujt, përveçse të ndonjë varrmihësi, me qëllim që të evitojë kolerën. E dyta, se Kurti nuk ka më probleme me formimin e institucioneve, probleme që ia krijoi kryesisht Edi Rama si dorë e zgjatur e Serbisë me aleatët opozitarëtë tij në Kosovë. E treta, sepse Edi Rama nuk i bën më hije Kurtit dhe nuk i bën më shumë se kaq dëm Kosovës, sa i ka bërë deri më sot. Rama ka dështuar në të gjitha përpjekjet e tij pro-serbe dhe anti-Kosovë. Prandaj dhe nuk mund të jetë një person i tillë target e Albin Kurtit.

Mbi gjithçka, ne duhet të dimë se Kurti është patriot. Si i tillë ai nuk mund të bëjë lojëra të vogla për të arrit një synim vetjak. Duke e analizuar në këtë këndvështrim, duhet të mësojmë se liderët dallojnë nga njëri-tjetri në raportet që ndërtojnë me interesin kombëtar, shtetëror dhe qytetar. Kurti ka raporte pozitive të dëshmuara me kombin, atdheun, shtetin dhe qytetarin. Ndërsa Edi Rama nuk ka asnjë dëshmi pozitive në këtë drejtim. Ai ka shkuar deri atje sa t’u thotë qytetarëve të vet se “Me çfarë do ta mbani ju Shqipërinë, nëse unë nuk e shes atë”?! Po nëse një qeveri e shet atdheun, cilin atdhe do të përfaqësojë qeveria pas saj? Kurrë Albin Kurti nuk ka bërë llogari të tilla! Prandaj dhe nuk mund t’ia veshim atë që e bën Rama kundër Kurtit, sikur ky e fundit e bëka kundër Ramës.

A ka protestues nga Kosova në Tiranë? Sigurisht që ka dhe nëse do të ishte ndryshe, atëherë do të shqetësoheshim. Në Tiranë kanë ardhur dhe vijnë me mijëra kosovarë çdo ditë. Qoftë dhe si kureshtarë, ata gjenden në bulevardin “Dëshmorët e Kombit! Të jesh dëshmitar i një ngjarjeje në Tiranë e gjetkë në Shqipëri, kur vjen nga Kosova apo çdo vend tjetër, nuk është as rastësi, as arsye për ta akuzuar Albin Kurtin. Nga këta “kureshtar” ka me siguri kosovarë që e duan suksesin e revoltës kundër Edi Ramës. Dhe kjo është e natyrshme, derisa Rama ka qëndruar për 13 vite radhazi në krah të Serbisë së Aleksandër Vuçiq dhe kundër Kosovës. Por as kjo nuk do të thotë se këta njerëz janë njerëzit e ngarkuar nga Kurti për pjesmarrje në protesta. Përpjekja për ta ndërtuar një lidhje artificiale midis një grushti kosovarësh në protestat e Tiranës dhe ndikimit të Albin Kurtit mbi ta është një përpjekje e stilit bolshevik!

Megjithatë rinia dhe studentët e Kosovës nuk duhet të kompleksohen nga akuzat e propagandës së Edi Ramës për “agjentë” të Albin Kurtit në protestat e rinisë shqiptare kundër tij. Ata duhet të gjejnë forma dhe mënyra jo vetëm të solidarizohen, por edhe të bëhen pjesë e këtyre revoltave. Shqipëria ka nevojë për ta, ashtu si Kosova pati nevojë për rininë e Shqipërisë në vitin 1999!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat