PDK-ja dhe AAK-ja po abuzojnë me protestën

Opinione

PDK-ja dhe AAK-ja po abuzojnë me protestën

Nga: Lis Bukuroca Më: 29 tetor 2026 Në ora: 20:32
Lis Bukuroca

Në një demokraci, zbatimi i ligjit nga policia nuk është përgjegjësi personale e ministrit të Drejtësisë apo e ministrit të Brendshëm, aq më pak në kuptimin që ata të ndërhyjnë në vendimet e organeve të drejtësisë.

Ju ende mendoni se jeni në komunizëm, ku pushteti politik duhej të kontrollonte gjithçka. 

Prokurorët dhe gjyqtarët nuk i shkarkojnë ministrat apo kryeministri, por institucionet kompetente, sipas procedurave ligjore dhe kushtetuese.

Sipas logjikës suaj, nëse nuk bie shi, duhet të japë dorëheqjen ministri i Bujqësisë. A duhet të kërkohet largimi i Trumpit pse dikush vret disa persona në një qytet amerikan?

Sipas logjikës suaj, po!

Në thirrjet tuaja lexohet qartë «inteligjenca» politike e PDK-së dhe AAK-së. 

Juve po ju djeg Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, jo vrasja e zonjës. 

Ju po mundoheni të përfitoni nga tragjedia!

Ju nuk kërkoni llogaridhënie nga prokurorët, gjyqtarët apo drejtuesit e policisë për përgjegjësitë që u takojnë, por nga ministrat, sikur ata të ishin përgjegjës drejtpërdrejt për çdo krim.

Natyrisht, ministrat duhet të japin llogari për dështimet që janë në kompetencën e tyre. Por përgjegjësia politike nuk mund të shpiket vetëm sepse ka ndodhur një krim.

Është njësoj sikur të thuash se një ministër gjerman ka faj në Berlin, kur një psikopat vret dikë në Mynih!

Këtë polici dhe këtë sistem drejtësie i ndërtuan Thaçi, Mustafa dhe Ramushi. Dhe ju i deshët! Nuk i kundërshtuat kurrë. As kur u tërhoq ndjekja ndaj Radojçiqit, as kur u shpallën të pafajshëm Agim Çeku dhe nëntë të tjerë në çështjen që lidhej me rreth 40 mijë veteranë.

Kërkesat tuaja janë kërkesat e AAK-së dhe PDK-së. Ju nuk kërkoni shtet ligjor, por rrëzimin e qeverisë, nga frika se mos ju merret plaçka!

Ju po e manipuloni dhe po e keqpërdorni një protestë që duhej të drejtohej kundër institucioneve të drejtësisë dhe policisë. Sepse janë prokurorët ata që hetojnë, gjyqtarët ata që gjykojnë dhe policia ajo që zbaton ligjin, jo ministrat.

Nëse doni shtet ligjor, luftoni pseudogjyqtarët, pseudoprokurorët dhe pseudoshefat e policisë!

Luftojini ata, nëse vërtet doni drejtësi!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat