Steriotipet e raportit të KE-së për Kosovën dhe Shqipërinë!

Opinione

Steriotipet e raportit të KE-së për Kosovën dhe Shqipërinë!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 8 nëntor 2026 Në ora: 09:06
Fotoilustrim

Të mërkurën, më 4 nëntor 2026, Komisioni Europian ka publikuar raportin e tij për nivelin e demokracisë dhe zhvillimet politike e ekonomike në vendet e Ballkanit Perendimor. Duke lexuar pjesën për Shqipërinë dhe atë për Kosovën dhe duke krahasuar konstatimet për secilin prej këtyre dy vendeve, më duhet të them se raporti i Komisionit Europian nuk është i balancuar, as i paanshëm. Sa i përket Shqipërisë raporti shpreh kritika dhe rezerva për ndërhyrjet dhe presionin politik në drejtësi, mungesën e kontrollit paralamentar dhe balancës së pushteteve, si dhe të pranisë së korrupsionit, ku vend të veçante ze mosheqja e imunitetit për Belinda Ballukun.

Kurse në pjesën për Kosovën kritikat janë pak me të specifikuara, jo për probleme thelbësore si ato të Shqipërisë. Megjithatë duket se kritikat dhe vërejtjet për Kosovën janë disi të ekzagjeruara, ndërkohë që Shqipëria ende nuk përmendet si narco-shtet dhe as dënohet për represionin shtetëror kundër rinisë dhe studentëve në protestat gati 6 mujore. Ndër vërejtjet e këtij raporti për Kosovën mund të përmenden se: 1. Kosova nuk ka shënuar progres në funksionimin e gjyqësorit, ndërsa ndikimet politike dhe ekonomike në këtë sistem janë intensifikuar. Raporti evidenton rënie të rasteve të dënuara për korrupsion të nivelit të lartë dhe mungesë të rezultateve të qëndrueshme. 2. Se Ekonomia e Kosovës vazhdon të ketë konkurrueshmëri të dobët dhe sektori i prokurimit publik mbetet shumë i cenueshëm ndaj parregullsive dhe korrupsionit. 3. Se : KE kërkon më shumë transparencë në pronësinë e mediave dhe mbrojtje më të mirë për gazetarët. Ndërkaq flitet për funksionimin e institucioneve dhe ngërçin politik në zgjedhjen e presidentit të vendit.

Ku cënohet balanca në konstatimet dhe vërejtjet e raportit të Komisionit Europian në ballafaqimin e të dy raporteve? Raporti krijon një ekuilibër shproporcional sa i përket sidomos luftës kundër korrupsionit dhe zhvillimit të ekonomisë dhe qëndrimit ndaj medies. Me dashje ose pa dashje, në të tri këto fusha fshihet e vërteta e hidhur e eksperiencës së Shqipërisë dhe rëndohet pozita e Kosovës. Kjo provohet lehtësisht në zhvillimin ekonomik. Shqipëria ka një ekonomi të bazuar në informalitet dhe në pastrimin e parave, Kosova ka një ekonomi të bazuar në rendiment dhe prodhim. Shqipëria ka një regres katastrofik në zhvillimin e bujqësisë, Kosova ka një progres të jashtëzakonshëm në këtë sektor. Nëse në Kosovë vërehet se sektori energjitik është problematik, në Shqipëri gjithçka që lidhet me ekonominë, pagat dhe kujdesin social është e krahasueshme me vendet e Afrikës. Aq sa ka vende afrikane, ku mediet shkruajnë se “Jemi bërë si Shqipëria”!

Në luftën kundër korrupsionit, mesa duket KE niset nga fakti se në Kosovë ka shumë më pak ndëshkime e dënime të zyrtarëve të lartë. Por në Kosovë kanë shkuar para drejtësisë me një akuzë të tillë edhe ministra, të cilët kanë marrë pafajësi dhe askush nuk e ka kontestuar pafajësinë e tyre. Ndërsa në Shqipëri janë mbush burgjet me zv. kryeministra, ministra, deputetë, kryetarë të bashkive e plot funksionarë të lartë. Komisioni Europian kësisoj e mat luftën kundër korrupsionit, gjithnjë sipas raportit, me numrin e akuzave e të dënimeve. Por jo me përpjekjet që bën qeveria dhe institucionet për parandalimin e tij. Kjo logjikë e bën këtë organizëm jo racional, jo koherent dhe jo objektiv. Ta kritikosh Kosovën për ndëshkime të pakta, duke mos vënë në dukje se edhe rastet janë njëmijë herë më të pakta se në Shqipëri, kjo është ose çeshtje burokratike e Brukselit, ose dashakeqësi për Kosovën, ose përpjekje për ta justifikuar me manorva alibie mos dhënien e statusit kandidat asaj. Të mos vesh re faktin se buxheti i shtetit është mbidyfishuar në pesë vitë, pikërisht për shkak të luftës kundër korrupsionit, është më shumë se mosvëmendje.

E së treti ta kritikosh Kosovën për qëndrimin daj medieve, sidomos ndaj gazetarëve ose për pronësinë e medieve, do të thotë që për Shqipërinë do të duhej që raporti të uluriste me zë vaji! Po pse lehtësohet Shqipëria dhe rëndohet Kosova edhe në këtë aspekt? Pse ky lloj qëndrimi i diferencuar dhe i pabalancuar midis të dy vendeve? Pse duhet shkurajuar një vend si Kosova në përpjekjet e saj për respektimin e standardeve të demokracisë?! Pikërisht këto pikëpyetje e thellojnë mosbesimin në raprtet dhe në vetë Komisionin Europian, ku mundet që edhe raportet të shkruhen nën ndikimin e lobingjeve dhe jo sipas realitetit objektiv. Lobingje me para kartelesh!

Po! Për Kosovën nuk flitet për mosbalancim pushtetesh dhe kjo është arritje e madhe e saj, ndërkohë që Shqipëria kritikohet për këtë. Megjithatë KE shumë vonë është kujtuar ta shohë faktin se pushtetet qëndrojnë në duart e një njeriu, kryeministrit të Shqipërisë. Madje ky kryeministër është stimuluar të bëhet e të jetë një udhëheqës autoritar e autokrat. Dhe KE vazhdon ta favorizojë atë thjesht për “karizmën” servile të Edi Ramës, ose për shkak të vajisjeve me lobing. Ndërkohë Albin Kurti nuk e ka ves të tijin servilizmin. Ndaj dhe akoma nuk ka filluar të “pijë qumësht” gjirin e KE-së.

Ky është një konstatim i sipërfaqshëm sa i përket analizës krahasuese të raporteve të Komisionit Europian për Shqipërinë dhe për Kosovën. Por nëse do t’i analizonim të gjitha pikat e presjet e këtij raporti, atëherë do të duhej të thoshim se KE nuk ka sy të shohë dhe as veshë të dëgjojë faktin se Shqipëria është një rarco-shtet i Rilindjes së Edi Ramës, ndërkohë që Kosova është modeli i qeverisjes në Ballkanin Perendimor, krahasuar madje edhe me Malin e Zi, i cili gjendet te porta e Bashkimit Europian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat