“Për të vdekurin ose fol mirë, ose mos fol fare”

Opinione

“Për të vdekurin ose fol mirë, ose mos fol fare”

Nga: Lekë Mrijaj Më: 11 nëntor 2026 Në ora: 08:29
Lekë Mrijaj

Prej dy ditësh po lexoj lajmin për vdekjen e Xhevat Prekazit, një mitrovicas shqiptar, apo, më konkretisht, një emër i njohur i futbollit të ish-Jugosllavisë. Ndarja e tij nga jeta kërkon përmbajtje dhe respekt për dhimbjen e familjes Prekazi.

Para disa muajsh e kam shkruar një opinion timin me titull: “Si mund ta vajtojë Xhevat Prekazi mungesën e Serbisë në Botëror, kur Kosova ende i mban plagët e krimeve, masakrave dhe të pagjeturve?” Aty, në atë opinion, kam shprehur edhe mospajtimin tim me qëndrimin e tij, të cilin e kam vlerësuar si shpërfillje të vuajtjeve të shqiptarëve të Kosovës.

Njëkohësisht, kam kërkuar përgjegjësi publike dhe ndjeshmëri ndaj viktimave tona shqiptare, duke theksuar se pajtimi ndërtohet mbi të vërtetën dhe drejtësinë. Këtij mendimi, në mënyrë të pakontestueshme, i qëndroj edhe sot. Megjithatë, nuk e shoh të arsyeshme që vdekja e tij të shndërrohet në rast për fyerje apo për vazhdimin e polemikave. Ngushëllimi për familjarët nuk na detyron të heqim dorë nga bindjet tona. Pra, mbi të gjitha, na kërkon të tregojmë njerëzillëk...

Po i shoh gjithashtu krahasimet mes Prekazit dhe figurave të tjera emblematike kombëtare (të cilat kanë vepruar nëpër republikat e ish-Jugosllavisë, duke e veçuar Serbinë...). Secili duhet të vlerësohet sipas veprës dhe zgjedhjeve të veta. Arritjet sportive emblematike meritojnë njohje, ndërsa deklaratat publike mbeten të hapura ndaj kritikës.

Për identitetin e tij kombëtar, vetë Xhevat Prekazi është shprehur apo prononcuar. As neve nuk na takon t’ia përcaktojmë të ndjerit identitetin sipas dëshirave tona apo të flasim në emër të tij.

Qëndrimin tim e kam bërë të njohur sa ishte gjallë. Sot nuk kam çfarë t’i shtoj, përveç ngushëllimeve për familjen dhe thënies latine: “Për të vdekurin ose fol mirë, ose mos fol fare”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat