A mund të ketë një konsensus të gjerë politik, për zgjedhjen e presidentit?

Politika

A mund të ketë një konsensus të gjerë politik, për zgjedhjen e presidentit?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 26 nëntor 2020 Në ora: 09:24
Kuvendi i Kosovës

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka deklaruar se në javën që vjen do të takohen me partitë politike për të diskutuar për postin e presidentit.

Por se a do të mund të gjejnë së bashku partitë politike emrin e përbashkët për postin e presidentit, kjo mbetet të shihet në vazhdim.

Analistët politik vlerësojnë se nisma e LDK-së për çështjen e presidentit më shumë është një veprim për tu arsyetuar për dështimet politikave qeveritare se sa një veprim serioz.

Sipas tyre, paralajmërimi i prishjes së koalicionit të LDK-së me AAK-në për të bërë koalicion të ri qeverisës me PDK-në, nuk bëhet për asgjë tjetër, pos për t'u bërë Isa Mustafa president i Kosovës.

Jashari: Mustafa po ndërmerr iniciativa, për ti siguruar jetëgjatësi qeverisë së drejtuar nga Hoti

Image
Shemsi Jashari

Analisti politik Shemsi Jashari ka thënë për gazetën “Bota sot” se duke qenë bartës i koalicionit qeveritar si LDK, është e kuptueshme që Isa Mustafa të ndërmarrë iniciativa për ti siguruar jetëgjatësi qeverisë së drejtuar nga Hoti.

Sipas tij, tashmë që kemi një ushtrues detyre të pozitës së presidentit, e bënë të detyrueshëm angazhimin për tejkalimin e kësaj sfide duke tentuar ta zgjedhin pasardhësin e Thaçi.

“LDK do të insistoj me çdo kusht këtë ta bëjë pa shkuar në zgjedhje pasi vetë e drejtojnë këtë qeveri dhe sidomos kur dihet që qeveria Hoti është shumë e dobët dhe shkuarja në zgjedhje do ti kushtonte shumë me votë. Paralajmërimi i takimeve për javën tjetër, lidhet gjithashtu edhe me zgjedhjet në Podujevë të cilat do të mbahen me datën 29.11.2020, dhe qëllimisht është shtyrë çdo veprim para zgjedhjeve me friken se do të ndikonin negativisht ne rezultatin zgjedhor për Podujevën, koncesionet që LDK do të detyrohet ti bëjë për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit. Mustafa, mund të takohet me subjektet tjera përveç LVV e cila do ta bojkotoj takimin me kërkesën e vetme shkuarja në zgjedhje pastaj zgjedhja e presidentit;, ka thënë analisti Shemsi Jashari.

Ahmeti: LDK-ja si parti po mundohet ta ruaj pozicionin e saj

Image
Hidajet Ahmeti

Kurse analisti politik Hidajet Ahmeti ka pohuar se pretendimi i kreut të LDK-së për konsensus të gjerë për postin e presidentit do të mbetet vetëm në potencë.

Ai konsideron se me ketë legjislaturë nuk mund të ketë një konsensus të gjerë politik për zgjedhjen e presidentit.

"Me këtë qeveri të koalicionit, nuk sigurojnë as shumicën e thjeshtë për t’i shtyrë përpara politikat legjislative dhe ekzekutive është e pamundur që të gjejë një konsensus më të gjerë politik për zgjedhjen e presidentit. Nisma e LDK-së për çështjen e presidentit më shumë është një veprim për tu arsyetuar për dështimet politikave qeveritare se sa një veprim serioz. Edhe pse vetë janë të vetëdijshëm se fuqia politike e kësaj qeverie nuk po është në gjendje të shty përpara projekt ligjin për rimëkëmbje ekonomike, i cili është i një rëndësie të veçantë e leje të gjejë një konsensus me të gjerë politik. LDK-ja si parti po mundohet me çdo kusht ta ruaj pozicionin e saj, pasi shkuarja në zgjedhje do të ishte akti më fatal i mundshëm, pasi do të pësoj një debakël të pashembullt në zgjedhje”, ka thënë analisti politik Ahmeti.

Sipas tij, ruajtja e pozicionit të saj edhe me kushtin përmes zgjerimit të koalicionit me PDK-në, do të ishte një zgjatje e përkohshme, por jo amnistuese ndaj votuesve.

“Legjitimitetin politik në demokracitë parlamentare e përcakton vota e deputetëve, edhe pse ato vota nganjëherë nuk përfaqësojnë vullnetin politik të qytetarëve, por zgjedhjet janë mundësi e mirë që të ndëshkohen ata deputetë apo parti politike të cilat ka devijuar nga kontrata shoqërore me votuesit. Mendoj se, kjo legjislaturë e posaçërisht partitë e koalicionit qeverisës kanë devijuar nga kontrata shoqërore më qytetarët e në këtë relacion nuk përfaqësojnë vullnetin politik për të bërë pazar me tendencën për ta amnistuar vetën në emër të” legjitimitetit” politik’, ka thënë analisti politik Hidajet Ahmeti.

“Ekzibicione kombinuese politike”

Image
Sulejman Mehazi

Ndërsa njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi ka thënë kreu i LDK-së, Isa Mustafa, si gjithmonë di të bëjë ekzibicione kombinuese politike në dobi të partisë së tij dhe të vetvetes.

Sipas tij, Isa Mustafa gjatë dialogut me partitë tjera politike për postin e presidentit të Kosovës do përpiqet ta çojë rrjedhën e presidentit rreth vetes e partisë së tij.

"Paralajmërimi i prishjes së koalicionit të LDK-së me AAK-në për të bërë koalicion të ri qeverisës me PDK-në nuk bëhet për diç tjetër pos për t'u bërë Isa Mustafa president i Kosovës. Dinakëria e Mustafës është e dukshëm, pasi filloi me shkurorëzimin qeverisës me AAK-në, dhe kurorëzimin e ri qeverisës me LDK-në dhe PDK-në, duke e dobësuar kështu shumë fuqinë konkurruese të Haradinajt e në anën tjetër forcon kandidaturën e LDK-së për president shteti. Deklarata e Isa Mustafës se gjatë ditëve vijuese do bisedojë me partitë tjera për postin e presidentit të Kosovës e ka kuptimin e përgatitjes së bastunin të tij magjik për të bërë lojëra kundërthënëse, absurde e dramatike për të fituar ai vetë postin e presidentit të shtetit”, ka thënë njohësi i çështjeve politike profesor Sulejman Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat