Çfarë fshihet pas votës së PDK-së për Ligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike - flet analisti

Politika

Çfarë fshihet pas votës së PDK-së për Ligjin e Rimëkëmbjes Ekonomike - flet analisti

Nga: A.Morina Më: 5 dhjetor 2020 Në ora: 22:48
Foto Ilustrim

Me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, në Kuvendin e Kosovës u miratua Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike.

Pro këtij ligji, votoi edhe Partia Demokratike e Kosovës e cila vetëm pas disa ndryshimeve në amandentet e projektligjit pranoi të votoj për.

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, tha se subjekti i tij u rreshtua me interesat e popullit, familjeve, punëtorëve që humbën vendet e punës nga pandemia dhe me bizneset që u prekën dhe u mbyllën nga kriza.

Mirëpo, të njëjtit mendim nuk ishin të gjithë, pasi në opinionin publik pati reagime se vota e PDK-së, erdhi me një prapavijë dhe jo për interesa të qytetarëve.

Lidhur me këtë, analisti politik, Nexhat Haziri në një prononcim për gazetën “Bota sot”, tha se vendimi i PDK-së ishte reflektim pozitiv, karshi gjendjes së rënduar nga pandemia Covid-19.

“Mendoj se ishte një reflektim pozitiv i PDK-së karshi situatës së vështirësuar të qytetarëve të vendit si pasojë e gjendjes së rënduar nga Covid-19, dhe një mbështetje përpjekjeve të qeverisë së kryeministrit Hoti për ta ndihmuar qytetarin dhe bizneset që janë goditur nga situata me pandeminë Covi-19, theksoi Haziri.

Ai në vazhdim tha se veprimi i PDK-së ishte mesazh i mirë për skenën politike në Kosovë, sidomos për opozitën. Sipas tij, të jesh opozitë e qeverisë nuk do të thotë se duhet të jesh edhe opozitë ndaj qytetarëve të vendit.

“Veprimi i tyre është konformë interesave të vendit, dhe po ashtu është mesazh i mirë për tërë skenën politike kosovare se të jesh opozitë ndaj qeverisë, nuk do të thotë se je opozitë edhe ndaj qytetarëve dhe interesave të tyre. Andaj më shumë e shohë si reflektim të PDK-së në raport me situatën e krijuar në vend si pasojë e pandemisë, se sa ndonjë kalkulim politik të momentit”, nënvizoi Haziri.

Në fund, Haziri tha se interesat e qytetarëve duhet të jenë interesat e të gjitha partive politike. Mirëpo sipas tij, ka subjektet që shkelin me dy këmbë mbi këto interesa për qëllime dhe ambicie politike.

“Interesat e qytetarëve duhet të jenë mbi interesat e partive politike, por për fat të keq ka nga partitë politike që shkelin me dy këmbët mbi këto interesa për qëllime të tyre politike e ambicie pushtetit, sic edhe e shprehën disa nga to me mos votimin e  Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike”, përfundoi Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat