Dështon mocioni ndaj Avdullah Hotit? Profesori tregon qëllimin kryesor të Albin Kurtit

Politika

Dështon mocioni ndaj Avdullah Hotit? Profesori tregon qëllimin kryesor të Albin Kurtit

Nga: P.R Më: 19 dhjetor 2020 Në ora: 17:39
Albin Kurti

Ishte muaji gusht, kur Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, tash i burgosur në Hagë, kishte deklaruar se Vetëvendosje do të nisë mbledhjen e nënshkrimeve për mbajtjen e seancës, për votimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti.

Por, një gjë e tillë nuk ndodhur as tash kur kanë kaluar më shumë se 4 muaj që nga paralajmërimi i Vetëvendosjes për rrëzimin e Hotit nga posti i kryeministrit.

E lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

“Pas rënies së qeverisë Kurti dhe krijimit të qeverisë Hoti duket se Vetëvendosje, deri diku me të drejtë, i ka drejtuar sulmet kryesisht kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kreut të saj Isa Mustafa. Ndoshta nuk do të duhej të ishte kështu, nëse Lëvizja e zotit Kurti do të drejtohej nga parimet e moralit politik dhe strategjia e programi I saj. Por këtë lloj qëndrimi politik hakmarrës është vështirë ta shmangim në spektrin politik shqiptar”, thotë Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Më tej, Bytyçi ka folur edhe për mocionin e paralajmëruar nga Lëvizja Vetëvendosje ndaj Qeverisë Hoti.

“A është për Vetëvendosjen Lidhja Demokratike tabelë qitjeje?! Sa kohë që ajo është në pushtet dhe Vetëvendosja është në opozitë, natyrshëm që sulmet do t'i drejtohen partisë në pushtet. Është e drejtë e çdo partie parlamentare të kërkojë votëbesim për qeverinë, cilado të jetë ajo. Vetëvendosja e ka paralajmëruar që para tre muajsh një mocion të tillë ndaj qeverisë "Hoti"! Por prej asaj kohe nuk ka ndërmarrë asgjë në këtë drejtim. Kjo do të thotë, se në një konjukturë të caktuar lidershipi i saj ndoshta në kushte frustrimi ka qenë e mobilizuar për ta rrëzuar qeverinë aktuale përmes mocionit të (mos)besimit. Ndryshe nuk kishte pse ta paketonte ne dosje këtë iniciativë të hershme të saj”, shprehet profesor Bytyçi për “Bota sot”.

“Megjithatë mocionet ndaj qeverive kanë për qëllim gjithnjë rrëzimin në rrugë legale në parlament të tyre. Vetëvendosja nuk ka mundur të gjejë aleatë dhe partnerë për të garantuar shumicën e votave prej 61 gjithsej, me qëllim që ta rrëzonte qeverinë Hoti. Kur shpalli se do të bënte mocionin, ajo filloi një lloj afrimi me Partinë Demokratike, me shpresën se do të përfitonte ndihmën e saj për rrëzimin e kësaj qeverie. Por sa kohë që Hashim Thaçi ishte "kumbara" i krijimit të kësaj qeverie, PDK nuk kishte ndërmend dhe nuk ka ndërmend t'i bashkohet nismës së Vetëvendosjes. Edhe pse ushtruesi i detyrës së kreut të PDK-së, Enver Hoxhaj është treguar I gatshëm në këtë ndërmarrje, në Vetëvendosje e dinë se deputetët e kësaj partie nuk janë të gatshëm të zhvleftësojnë investimit e shefit të tyre të madh për krijimin e kësaj qeverie dhe rrëzimin e qeverisë Kurti”, thekson në më tej profesor Bytyçi.

Ai shton se Vetëvendosje mund ta rrëzojë qysh tani kryeministrin Hoti, por që nuk dëshiron që këtë ta bëjë me Listën Serbe.

“Sigurisht që zoti Kurti do të donte ta rrëzonte një orë e më parë qeverinë e zotit Hoti. Dhe ai mund ta rrëzojë atë, nëse bashkëpunon me Listën Srpska, por me kushtin që Partia Demokratike të abstenojë. A është e gatshme Lista Srpska të bashkëpunojë me Vetëvendosjen dhe anasjelltas kjo e fundit me deputetët e pakicës serbe?! Këtë askush nuk mund ta besojë. Ose zotit Kurti do t'i duhej të bashkëpunonte me deputetët e AAK-së të zotit Haradinaj. Por edhe kjo nuk do të ndodhë derisa të marrë fund dilema nëse do e marrë apo nuk do e marrë postin e presidentit liderit I AAK-së. Ndërsa Zoti Limaj, si partner koalicioni, është më afër PDK-së sesa LDK-së, ndaj dhe deputetët e Nismës do të imitojnë qëndrimet e zotit Hoxhaj”, deklaron Bytyçi, duke shtuar se vështirë së PDK do ta mbështesë Vetëvendosjen për rrëzimin e Hotit.

“Shkurt Albin Kurti do ta kishte shumë të lehtë ta rrëzonte qeverinë Hoti, nëse do binte në ujdi me PDK-në, sepse diferenca është vetëm një votë midis mazhorancës dhe opozitës. Por nuk duket se këto dy parti, ndonëse opozitare do të bashkëpunojnë deri në këtë masë, pavarësisht deklaratës së zotit Hoxhaj, sipas të cilit ai pret Vetëvendosjen që ta bëjë mocionin e ta votojnë atë së bashku”.

“Por ka dhe një problem tjetër. Që kur u pa se çështja e presidentit do të shtrohej për diskutim, Kurti dhe Vetëvendosje besojnë se vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme pa pasur nevojë për ndonjë mocion mosbesimi për qeverinë Hoti. Mesa duket Kurti pas rrëzimit nga pushteti dhe kalimit në opozitë është bërë më realist dhe pragmatist. Ndërkohë ai ka kuptuar se nuk ka asnjë arsye pse ai duhet të ngutet. Kurdo që bëhen zgjedhjet qytetarët nuk do të votojnë gardën e vjetër të korruptuar dhe të diskredituar. Ndaj ai beson se mund ta shtojë kapitalin e tij politik edhe nga dështimet e qeverisë Hoti, së cilës i janë krijuar disa kushte dështimi. Përveç pandemisë dhe pasojave të saj në shëndetin dhe mirëqenien e ekonomisë qeverinë Hoti e dëmtojnë dhe e dështojnë edhe ministra të dështuar dhe pa autoritet moralo-politik, si Agim Veliu!”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat