Mos certifikimi i Albin Kurtit - profesori tregon lidhjet e PDK-së dhe LDK-së me KQZ-në

Politika

Mos certifikimi i Albin Kurtit - profesori tregon lidhjet e PDK-së dhe LDK-së me KQZ-në

Nga: A.Morina Më: 22 janar 2021 Në ora: 23:40
Albin Kurti

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që listat e kandidatëve për deputetë të propozuara nga subjektet politike, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma të mos certifikohen. Kjo erdhi shkaku i problemeve me ligjin të disa personave brenda këtyre listave, përfshirë këtu edhe kreun e VV-së, Albin Kurti, shkruan "Bota sot".

Ky vendim i KQZ-së ka nxitur reagime dhe debate të shumta në opinionin publik, ku shumica prej tyre kanë shprehur pakënaqësi ndaj këtij vendimi.

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot” ka komentuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mos certifikim e listave të Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismës.

Mehazi u shpreh se me këtë vendim u shfaq urrejtja e KQZ-së ndaj Vetëvendosjes dhe “dashuria” e saj ndaj LDK-së dhe PDK-së.

“Se KQZ-në për disa parti është jo toleruese e për disa parti toleruese u pa gjatë certifikimit të listave të kandidatëve për deputetë, në njërën anë toleron listën e LDK-së dhe PDK-së duke certifikuar tërësisht e individualisht listën e kandidatëve të tyre për deputetë, në anën tjetër mohon listën e tri partive tjera të LVV-së, AAK-së dhe NISMA-s, se lista e LDK-së dhe PDK-së është listë e të mirëve, të zgjedhurve e të ndershmëve për KQZ-në, kurse lista e LVV-së është listë e të këqinjve dhe të pandershmëve për KQZ-në. Veprimet e këtilla të KQZ-së na detyrojnë të mendojmë se më shumë simpatizon e anon LDK-në e PDK-në e hapur kundërshton e urren LVV-në”, theksoi Mehazi.

Pavarësisht këtij vendimi, profesori e sheh fituese të zgjedhjeve Lëvizjen Vetëvendosje edhe pa Albin Kurtin. Madje, ai tha se sa më shumë që veprojnë kundër Kurtit, ai bëhet vetëm më i fortë.

“Se kundër LVV-së nuk është vetëm ligji, po edhe KQZ-ja, LDK-ja dhe PDK-ja, po kot e kanë sepse LVV-ja do triumfojë edhe pa Albinin e paccrtifikuar për deputet, edhe sikur e tërë lista e LVV-së të mos certifikohej, do zëvendësohej me kanditatë të thjeshtë e të panjohur e prapë do fitonin, për shkak se shumica e qytetarëve janë për ndryshime rrënjësore politike. Ligjet, KQZ-ja, LDK-ja e partitë e tjera politike sa më shumë që veprojnë kundër Albinit, LVV-ja bëhet aq më e fortë”, nënvizoi Mehazi.

Në fund, profesor Mehazi e vë në pah qëllimin e Komisionit Qendror të Zgjedhje për ta përkrahur LDK-në dhe PDK-në. Kurse, certifikimin e Listës Serbe e quan veprim ironik nga KQZ.

“Pra qëllimi i KQZ-së është të përkrahë  LDK-në e PDK-në që  si e qysh të pengojnë Albin Kurtin të mos bëhet kryeministër i ardhshëm i Kosovës.

Pse për KQZ-në janë të papërshtatshëm Albini e deputetët e tij, kurse Lista Serbe e kriminalizuar jo. Sa ironike për KQZ-në, Lista serbe e certifikuar, kurse LVV-ja jo”, përfundoi Mehazi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat