Fshirja e komunikatave të Vetëvendosjes, analisti ka një kërkesë për institucionet ligjore

Politika

Fshirja e komunikatave të Vetëvendosjes, analisti ka një kërkesë për institucionet ligjore

Nga: A.Morina Më: 8 shkurt 2021 Në ora: 21:59
Foto ilustrim

Lëvizja Vetëvendosje nga faqja zyrtare e saj ka fshirë të gjitha komunikatat që janë publikuar deri në vitin 2014.

Një veprim i tillë ka nxitur shumë reagime dhe debate, ku kundërshtarët politik të Vetëvendosjes kanë reaguar ashpër.

Ata e ‘thumbon’ VV, duke thënë se kjo e fundit po e frikësohet se mendimet dhe pikëpamjet e tyre të mëparshme do ta dëmtojnë atë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Pasi sipas tyre, që nga viti 2014, Vetëvendosje ka ndryshuar krejtësisht pikëpamjet e saj.

Analisti politik, Skënder Zogaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar fshirjen e komunikatave të Vetëvendosjes.

Ai këtë veprim e ndërlidhi me krizën e thellë në të cilën gjendet vendi si pasojë e veprimeve të papërgjegjshme, përplasjeve, shkatërrimeve dhe akteve të ndryshme kundërligjore.

“Kriza e thellë në të cilën ndodhet Kosova është pasojë e veprimeve të papërgjegjshme të individëve dhe grupeve të disponuara për përplasje, rrënime, shkatërrime dhe akte të tjera kundërligjore, nga të cilat edhe 20 vjet pas çlirimit dhe shpalljes së vendit i lirë dhe i pavarur, Kosova mbetet ende as e lirë dhe as e pavarur”, deklaroi Zogaj.

Ai fajtorë kryesor për këtë gjendje i bëri subjektet politike të cilat që nga paslufta i kanë kapur institucionet dhe të cilët po e cenojnë rëndë perspektivën historike të shtetit.

“Fajtorë kryesore janë partitë politike në kuadrin e të cilave, që nga ditët e para të pasluftës, brenda shoqërisë dhe i kanë kapur institucionet, strukturat destruktive dhe skajshmërisht keqbërëse, nga të cilat po cenohet rëndë perspektiva historike e popullit shqiptar”, theksoi analsiti.

Sa i përket fshirjes së komunikatave të Lëvizjes Vetëvendosje, Zogaj tha se ky është një veprim i papranueshëm, që cenon lirinë e garantuar të komunikimit publik.

“Pa dashur që të paragjykojmë , këdo qoftë, themi se kësaj logjike i përkasin edhe fshirjet e komunikatave nga Lëvizja Vetëvendosja, sepse janë veprimtari shumë e papranueshme, që cenon rëndë lirinë elementare të së drejtës së garantuar të komunikimit me publikun, që bëhet në suazat e legalitetit institucional”, nënvizoi Zogaj.

Në fund, ai tha se fshirja e komunikatave është vepër antiligjore dhe e dënueshme, ndaj të cilës institucionet ligjore duhet të marrin masa.

“Prandaj, fshirja e komunikatave është vepër antiligjore dhe e dënueshme! Nuk ka asnjë lloj shpjegimi tjetër! Në rastet e këtilla dhe të ngjashme institucionet ligjore duhej të veprojnë pa hezitim dhe të marrin masat përkatëse”, përfundoi Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat