“Posti i presidentit vendoset nga zarfi”, analisti tregon skenarin pas 14 shkurtit

Politika

“Posti i presidentit vendoset nga zarfi”, analisti tregon skenarin pas 14 shkurtit

Nga: A.Morina Më: 12 shkurt 2021 Në ora: 23:03
Foto ilustrim

Çështja e postit të Presidentit të Kosovës është një nga temat më të përfolura në këto kohë zgjedhjesh parlamentare.

Bazuar në deklaratat e partive politike, ato ende nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët sa i përket postit të presidentit. Vetëvendosje refuzon të bëj koalicion më partitë tjera, pasi po pretendon ta formojë qeverinë e vetme.

Mirëpo, për zgjedhjen e presidentit, qeverisë së re i nevojiten votat e së paku 80 deputetëve të Kuvendit. Duke parë kundërshtimin e subjekteve politike për të bashkëpunuar kjo do të jetë shumë e vështirë.

Madje, është përfolur për një krizë të re politike pas zgjedhjeve të 14 shkurtit shkaku i postit të presidentit.

Lidhur me këtë temë, ka folur analisti politik, Skënder Zogaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Zogaj deklaroi se zgjedhja e presidentit të ri të vendit kushtëzohet nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Gjithçka është e kushtëzuar nga zgjedhjet e reja dhe nga implementimi i rezultatit zgjedhor, nga i cili varet lloji i qeverisë së re”, tha ai.

Analisti u shpreh se në rast se qeveria e re dështon ta zgjedh presidentin e ri, atëherë kjo çështje do të krijojë situata të reja të pakëndshme dhe të dëmshme për Kosovën!

“Çështja e presidentit do të jetë detyrë e parlamentit, që varet nga dispozitat përkatëse të Kushtetutës për zgjedhjen e Presidentit! Nëse kjo nuk ndodh, kjo çështje mund të krijojë situata të reja të pakëndshme dhe të dëmshme për Kosovën”, theksoi ai.

Në fund, Zogaj potencoi se nëse partitë politike nuk mund të bashkëpunojnë për këtë temë, atëherë presidenti do të vijë në zarf. Ai paralajmëroi se kjo nuk do të jetë një zgjidhje e pa kundërshtueshme.

“Sigurisht që nëse partitë politike nuk mund ta gjejnë zgjidhjen e duhur, përsëritja e përdorimit të zarfit do të ofrojë zgjidhjen, jo fort të këndshme por të pakundërshtueshme”, përfundoi Zogaj.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat