Juristi flet për heshtjen zgjedhore, tregon rëndësinë e saj

Politika

Juristi flet për heshtjen zgjedhore, tregon rëndësinë e saj

Nga: A.Morina Më: 13 shkurt 2021 Në ora: 22:34
Foto ilustrim

Dje ishte dita e fundit deri kur partitë politike do të mund të bënin fushatë. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë, Neni 36., 24 orë para hapjes së Qendrave të Votimit ndalohet çdo veprim i subjekte politike që mund të ndikojë tek votuesit.

Thyerja e heshtjes zgjedhore dënohet edhe me ligj, derisa gjatë ditës së sotme kishte reagime për mos respektim të heshtjes zgjedhore nga disa persona.

Në lidhje me rëndësinë e heshtjes zgjedhore dhe dënimet në rast të thyerjes së saj, ka folur në një prononcim për gazetën “Bota sot", njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi.

Kelmendi deklaroi se heshtja zgjedhore realizohet për të i dhënë hapësirë votuesit për të marrë qëndrim mbi votën e tij dhe shërben për t’i ikur konflikteve të mundshme mes kandidatëve të partive politike.

“Heshtja zgjedhore realizohet për t’i mundësuar votuesit të marrë qëndrim mbi votën që dëshiron me e dhënë. Veç kësaj, heshtja shërben është për të ikur nga mundësia e konflikteve të mundshme midis kandidatëve të subjekteve politike”, u shpreh ai.

Juristi tha se fushata zgjedhore i lodhë të gjithë dhe heshtja zgjedhore krijon teren për qetësi fizike dhe psikike.

“Dihet se fushata i lodhë të gjithë. Me atë humbë edhe koncentrimi dhe përkujdesja, andaj edhe mund të vijë në konfliktet shumë të rrezikshme. Heshtja këtë e përjashton nga mundësia dhe krijon terren për qetësi fizike dhe psikike”, nënvizoi Kelmendi.

Ai përmendi edhe dënimet të cilat shqiptohen në rast të thyerjes së heshtjes zgjedhore nga partitë politike dhe kandidatët për deputetë. Kelmendi përmendi edhe gjobat financiare për subjektet që thyejnë heshtjen zgjedhore.

“Thyerja e heshtjes është delikt që dënohet shumë ashpër nga organet kompetente. Dënohet kandidati apo kandidatët dhe edhe vetë partia politike.

Dënimet janë të ndryshme në lartësi financiare. Por ato shkojnë shumë lartë dhe ka mundësi, kjo varet edhe nga mënyra e thyerjes së heshtjes, të përjashtohen kandidatët nga fushata. Këtu partia dënohet rëndë financiarisht”, theksoi Kelmendi.

Në fund, juristi tha se në rast të kryerjes së ndonjë vepre penale, kandidatët edhe mund të arrestohen.

“Ndërsa, kryerja e ndonjë vepre të dënueshme penale, kandidati apo kandidatët arrestohen. Ka mundësi që edhe partia të dënohet ashpër, kryesisht sipas veprës që e kryen. Dënimet varen nga lloji i thyerjes së heshtjes dhe nga vepra e bërë dhe në bazë të tyre caktohet dënimi”, përfundoi Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat