Kush janë favoritët për kryetar të Komunës së Prishtinës?

Politika

Kush janë favoritët për kryetar të Komunës së Prishtinës?

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 24 mars 2021 Në ora: 07:55
Komuna e Prishtinës

Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, subjektet politike kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë të këtij viti.

Disa nga partitë tashmë kanë nisur diskutimet me degët e tyre nëpër komuna,  për kandidatët për kryetar që do t’i nominojnë.

Tashmë disa kanë bërë të ditur edhe se do të jenë kandidatë për komuna të caktuara.

E duke qenë kryeqytet i Kosovës, Komuna e Prishtinës merr vëmendje më të madhe.

Për këtë komunë, aktualisht të udhëhequr nga Shpend Ahmeti, janë përfolur disa emra si kandidatë të mundshëm, e disa kanë shprehur ambiciet për ta udhëhequr atë.

Daut Haradinaj nga AAK ka thënë se do të jenë kandidat për kryetar të Prishtinës, e këtë ambicie e ka shprehur edhe Vlora Dumoshi nga LDK.

Ndërsa, nga VV është përmendur emri i Arben Vitisë, e nga PDK ai i Uran Ismailit.

Kandidimin e mundshëm të Arben Vitisë nga LVV-ja për kryetar të Prishtinës, e ka përmendur kohë më parë edhe nënkryetari i kësaj partie, Glauk Konjufca.

Favorite në këto zgjedhje përsëri Lëvizja Vetëvendosje

Image
Fadil Lepaja

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike Fadil Lepaja, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se qytetarët e Prishtinës e marrin vendimin se kush duhet të jetë kryetari i Prishtinës.

Sipas tij, partitë politike futen në garë edhe atëherë nuk janë në dijeni se nuk do të fitojnë vetëm për krijimet e qeverisë lokale, e në këtë rast të Prishtinës.

“Se kush duhet të jetë kryetar i Prishtinës, këtë vendim do e marrin qytetarët e Prishtinës në zgjedhje, ndërkohë çdo kandidaturë është legale dhe legjitime madje, edhe pse ndonjëherë mund të duket krejtësisht e pa arsyetuar qoftë për shkak të personalitetit apo përgatitjes profesionale apo politike të kandidatit tashmë të njohur për publikun. Sidoqoftë, partitë politike edhe kur e dinë se nuk kanë gjasa të fitojnë zgjedhjet futen në garë për të qenë pastaj pjesë e matematikës së krijimit të qeverisë lokale, e në këtë rast të Prishtinës e cila për nga rëndësia i kalon përmasat lokale”, deklaroi Lepaja.

Tutje ka theksuar se në këto zgjedhje, ka numër më të madh të qytetarëve që nuk i durojnë armiqësitë politike, madje në këto zgjedhje mund të ketë edhe ndonjë bashkëpunim të qeverisë lokale që nuk është e ngjashme me atë qendrore.

Sipas Lepajës, LVV-ja shihet si favorite edhe në këto zgjedhje, por mund të jetë edhe LDK-ja nëse rimëkëmbet.

“Mendoj se, nëse në nivel qendror kapacitetit i iniciativave qytetare për shtrirje territoriale ishte i paktë, i pamjaftueshëm në zgjedhje lokale këto iniciativa mund të befasojnë për mirë aq më tepër se ka një numër të madh të qytetarëve që nuk e durojnë rivalitetin madje as armiqësitë mes partive. Partitë politike, për shkak të rivaliteteve në nivel qendror mund të shihen si të pafuqishme edhe në zgjidhjen e problemeve lokale të qytetarëve, madje mund të shprehet dyshim në mundësinë e një bashkëpunimi të një qeverie lokale e cila nuk është e njëjtë me atë qendrore për nga përbërja. Gjithsesi, favorite në këto zgjedhje përsëri shihet Lëvizja Vetëvendosje, por nuk duhet përjashtuar as mundësinë që një kandidat tjetër nga partitë sidomos nga LDK-ja nëse deri atëherë arrin të rimëkëmbet, të jetë konkurrues serioz”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Bajraj: Vlora Dumoshi e duhura për kryetare të Prishtinës

Image
Fatmir Bajraj

Ndërsa, analisti politik Fatmir Bajraj, ka propozuar Vlora Dumoshin për kryetare të Prishtinës, si e bija e një familje të shquar dhe qendrestare përballë armikut. Por, sipas tij, Dumoshi njëherë duhet të marrë mbështetjen e pesë degëve të LDK-së e më pas aprovimin nga Abdixhiku.

“Vlora Dumoshi, Kryetarja që i duhet Prishtinës. E bija e Ismajl Dumoshit, albanologut dhe atdhetarit të pa epur të çështjes kombëtare, ideatorit të demonstratave të 68-së, dhe mbesa e Osman Dumoshit, njërit nga krye-organizatorët e atyre demonstratave. Vlora Dumoshi, bijë e një familje të shquar dhe qendrestare përballë armikut shekullor, e një familje me taban kombëtar, i bënë nder t'i prij Kryeqytetit dhe Kosovës. Dua të besoj, se zonja Dumoshi, fillimisht të marrë mbështetjen dhe besimin e pesë Degëve të LDK-së në Prishtinë, dhe më pas edhe aprovimin dhe bekimin e Kryesisë së LDK-së dhe lidershipt të saj të ri, z.Abdixhiku për kandidate për Kryetare të Prishtinës”, ka thënë ai.

Sipas Bajraj, Dumoshi bën një diferencë të theksuar përballë kandidatëve të tjerë, sepse përvoja e saj disavjeçare, aftësitë detektuese dhe guximi vendimmarrës e bëjnë atë të pakrahasueshme me të tjerë.

“Përballë, Arben Vitisë, kandidat i LVV-së, Uran Ismailit të PDK-së, dhe të Daut Haradinjat nga AAK, zonja e nderuar Dumoshi, bën një diferencë të theksuar nga rivalët në shumë aspekte dhe vlerësime nga të cilat Ministrja në detyrë në Qeverinë e Republikës së Kosovës krijon një avantazh, i cili do t'i mundësonte marrjen e besimit të kryeqytetasve për ta drejtuar dhe qeverisur në mandatin e ardhshëm qeverisës. Përvoja e saj e spikatur disavjeçare në fushën e menaxhimit dhe të organizimit që ndërlidhen me organizimin dhe planifikimin e jetës së të rinjve në kulturë, art dhe sport, duke filluar nga ato të nivelit të kryeqytetit dhe në atë qendror të Republikës së Kosovës, si dhe aftësitë detektuese dhe identifikuese të nevojave dhe kërkesave imediate të brezave në njërën anë dhe guximi vendimmarrës si cilësi individuale, e bën personalitetin dhe figurën e saj të pakrahasueshme me rivalet respektiv, në garë për të parin e Prishtinës”, ka shtuar Bajraj.

Më tej, është shprehur se kur këtë detyrë e kishte Vitia, gjatë kohës pandemike ai kishte shkelur Kushtetutën lidhur me furnizimet shëndetësore por edhe deri tek rasti i vdekjes së Gjilanasit të karantinuar. Me këto shkelje abuzive, sipas Bajrajt, Vitia nuk është adekuat që të jetë kryetar i Prishtinës.

“Ish Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë Kurti, z.Arben Vitia, edhe pse ishte në këtë detyrë për rreth 100 ditë në koordinim me ish Kryeministrin Kurti, në lidhje me Pandeminë, CoronaVirus-19, kishte shkel Kushtetutën e Republikës së Kosovës më se dy herë, pa lënë anash këtu edhe skandalet me tenderët në lidhje me furnizimin e sistemit të shëndetësisë me mjetet mbrojtëse kundër pandemisë, deri të rasti fatal i humbjes së jetës së Gjilanasit të ri të karantinuar në Qendrën e Studentëve në Prishtinë. Kandidati i LVV-së, nga këto shkelje abuzive dhe skandale deri në fatalitet, rezulton të jetë jo adekuat për Kryetar të Prishtinës dhe i pa denjë të kërkoj votën e kryeqytetasve për të qeverisur dhe drejtuar Kryeqytetin e Republikës së Kosovës-Prishtinën”, ka deklaruar tutje ai.

Për kandidimin e Uran Ismailit, ka thënë se nuk e ka menaxhuar vendin si duhet, madje as për ta nxjerr sistemin e shëndetësisë nga gjendja e mjerueshme. Ndërsa, për Haradinajn thotë se kandidimi i tij nuk është serioz, sepse nuk shquhet me ndonjë cilësi politike në AAK.

Ai thotë se urojë të zgjidhet Dumoshi dhe të zgjedhë problemet e keqqeverisjes dhe keq menaxhimit nga kryetari i tanishëm i kësaj komune.

“Kandidati tjetër për të parin e Prishtinës, z.Uran Ismajli (PDK), në kohën sa ishte në krye të Ministrisë së Shëndetësisë në Qeverinë e PAN-it dhe Kryeministrit Haradinaj, nuk u shqua për menaxhim të mirë dhe as për ndonjë afinitet e përkushtim për ta nxjerrë sistemin e shëndetësisë nga gjendja e mjerueshme dhe katastrofale në të cilën është katandisë nga parti e tij në kapje të shtetit, përkundrazi, gjendja e mjerë në këtë sistem vital vetëm sa u përkeqësua dhe degradua tutje. Kandidati tjetër për Prishtinën nga radhët e AAK-së, z.Daut Haradinaj, është një kandidaturë jo-serioze, inkompetente dhe mbi të gjitha një ambicie dhe ego e sëmurë për pushtet, ngase ky i fundit përveç muskujve në politikë, nuk ka promovuar ndonjë vlerë dhe as cilësi tjetër më të cilën shquhet në karrierën e tij politike në AAK dhe përmes saj në Parlamentin e Kosovës si deputet. Urojmë që në krye të kryeqytetit të zgjidhet zonja e nderuar Vlora Dumoshi, dhe të filloj së mbari puna në zgjidhjen e problemeve të grumbulluara të kryeqytetit, nga keqqeverisja dhe keq menaxhimi nga ana kryetarit aktual (LVV), z.Shpend Ahmeti”, përfundoi ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat