Kritikat ndaj Kurtit, analisti ka një kërkesë ndaj Lumir Abdixhikut

Politika

Kritikat ndaj Kurtit, analisti ka një kërkesë ndaj Lumir Abdixhikut

Nga: A.Z Më: 13 prill 2021 Në ora: 17:20
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kritikuar mjaft ashpër kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Kreu i LDK-së ka thënë se në kohën kur 80 qytetarë po vdesin në javë, kryeministri me ministra dhe deputetët e tij po merren me zgjedhje e protesta në Shqipëri, gjë që sipas tij, kjo tregon papjekuri dhe papërgjegjësi.

Lidhur me këtë, analisti Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se vet puna e partive opozitare është të kritikojnë veprimet e gabuara.

Sipas Mehazit, Abdixhxiku do të duhej të apelonte qytetarët që të mbrohen por jo të kritikojë Kurtin, sepse pa karantinosje individuale, masat janë të kota.

“Kritika e kryetarit të LDK-së, Abdixhikut ndaj kryeministrit Albin Kurtit është normale, pasi vet puna e partive opozitare është të kritikojnë çdo veprim të gabuar të partive në pushtet. Mirëpo para se Abdixhiku të kritikonte Albin Kurtin, është dashur të apelonte te qytetarët e Kosovës që me karantinosje të mbrohen, të jenë të disiplinuar e të kujdesshëm vetvetiu ndaj pandemisë. Të kota janë masat parandaluese të qeverisë së Kurtit pa një karantinosje individuale të brendshme edukative të qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Mehazi.

Tutje, ai ka theksuar se Kurti nuk është fajtor për vdekjet nga Covid dhe as për qytetarët që shkojnë në Shqipëri. Madje, duhet të ketë karantinosje individuale sepse Covid-19 nuk mund të hiqet vetëm me masat nga qeveria.

“Për vdekjen e 80 qytetarëve në javë nga Covid-19 nuk është fajtor Albin Kurti, por moskujdesi e qytetarëve ndaj pandemisë, të gjitha qeveritë e shteteve në botë bëjnë përpjekje parandaluese e mbrojtëse për qytetarët, por nuk janë fajtor nga kjo murtajë vdekjeprurëse të Covid-19, që ka marrë mijëra e qindra njerëz në botë. Nuk ka faj Albin Kurti e qeveria e tij që gjatë vikendeve me mijëra qytetarë kalojnë kufirin e shkojnë në pushime në Shqipëri, nuk është fajtor për dasmat e ahengjet në kohë pandemie. Covid-19 nuk hiqet vetëm me masat e qeverisë për t'u karantinosur fizikisht, por edhe shpirtërisht e individualisht. Pa karantinosje individuale shpirtërore e kot është karantonosja fizike e Qeverisë së Kosovës. Shëndeti e vdekja është punë e mjekëve dhe e Zotit, e jo e Albin Kurtit dhe qeverisë së tij”, përfundoi ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat