Marrëdhëniet Kosovë-Greqi kanë filluar të përmirësohen jashtëzakonisht shumë, sa që shumë shpejt po pritet të ndodhë edhe njohja e pavarësisë nga shteti grek.
Sinjalet për këtë njohje, po vijnë nga ministri Jashtëm grek, Nikos Dendias.
Ditë më parë, Dendias është pyetur nëse Greqia planifikon njohjen e Kosovës dhe nëse ky akt është kundër të Drejtës Ndërkombëtare.
Ministri grek tha haptazi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk përbën shkelje të së Drejtës Ndërkombëtare, ku tërthorazi e mbështeti sovranitetin e shtetit tonë.
“Lidhur me ligjshmërinë e një njohje të mundshme, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës rezultoi në vitin 2010 se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk përbën shkelje të së Drejtës Ndërkombëtare, pasi nuk ishte produkt i përdorimit të dhunës së paligjshme të dënuar nga Këshilli i Sigurisë, siç ishte shpallja e pseudoshtetit (rederohet në pseudoshtetin turk në Qipro) në vitin 1983. Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë u themeluan mjaft shtete të reja, asnjë prej të cilëve nuk ishte rezultat i një sulmi të jashtëm”.
Analisti politik, Leon Duhanaj ka komentuar këto sinjale që ministri grek po i jep për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Sipas tij, mosnjohja e deritanishme e Kosovës, vjen si shkak i problemeve të Greqisë me Qipron dhe jo me Serbinë. Madje, ai u shpreh se këto lëvizjet e fundit, po tregojnë se Greqia ka filluar ta përgatisë terrenin për ta njohur zyrtarisht Kosovën.
“Për mendimin tim, njohja ose mosnjohja nga shtete të ndryshme përkatësisht Greqia, nuk ka të bëjë shumë me raportet e saj me Serbinë, sa me problemin që kanë me Qipron.
Greqia, de facto ka qenë përkrahësve dhe njohëse e Kosovës që nga çlirimi dhe pavarësia e sajë, megjithatë ka munguar njohja de jure. Lëvizjet e fundit janë sinjale se Greqia ka filluar ta përgatisë terrenin për ta njohur zyrtarisht Kosovën”, deklaroi ai.
Tutje, Duhanaj tha se shkak i njohjes së Greqisë është Marrëveshja e Uashingtonit dhe projekti i furnizimit të Kosovës me gaz nga Greqia, ku ndikimi më i madh ka ardhur nga Amerika, përkatësisht nga administrata e ish-presidentit Trump dhe e presidentit Biden.
“Për mendimin tim, një dinamikë të tillë në rritje kanë ndikuar edhe marrëveshjet e karakterit ekonomik, përkatësisht Marrëveshja e Uashingtonit.
Në këtë marrëveshje kemi projektin e furnizimit të Kosovës me gaz nga Greqia, projekt i cili është me interes të madhe dypalësh, si dhe ndikimi amerikan që ka qenë nga administrata Trump dhe që besoj do vazhdojë edhe nga administrata Biden”, theksoi analisti.
Krejt në fund, ai parashikoi se njohja e Greqisë do të ndodhë shumë shpejtë, gjë që do të ketë ndikim pozitiv strategjik për shtetin tonë.
“Njohja nga Greqia nuk do të pres edhe shumë gjatë dhe do të ndodhë, njohje kjo e cila do të ketë po ashtu ndikim pozitiv strategjik për Kosovën”, përmbylli Leon Duhanaj, përcjell “Bota sot”.