Kandidat për kryetar të Prishtinës, a duhet të jap dorëheqje Arben Vitia nga posti i ministrit?

Politika

Kandidat për kryetar të Prishtinës, a duhet të jap dorëheqje Arben Vitia nga posti i ministrit?

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 18 gusht 2021 Në ora: 08:33
Arben Vitia

Është ministër i shëndetësisë, por Arben Vitia i është futur garës për të parin e Prishtinës.

Kandidatura e tij nga VV është zyrtarizuar së fundi.

Por, kjo nuk është pritur aq mirë, derisa jemi në situatë pandemike dhe gjendja vazhdimisht po përkeqësohet dhe numrat e viktimave e të infektuarve po rriten frikshëm.

Madje, ministrit Vitia i është kërkuar dorëheqja e menjëhershme nga posti i ministrit.

Analisti politik dhe ish-zëvendësministri i Arsimit, Jusuf Thaçi, ka thënë se Vitia nuk mund të ushtrojë funksionin e ministrit dhe të merret me përgatitje për fushatë në të njëjtën kohë.

Për kandidimin e tij kritika ka pasur edhe nga opozita, që sipas tyre është shqetësuese që në këtë kohë kur situata epidemiologjike me COVID-19 është përkeqësuar, Vitia ka zgjedhur ta braktisë Ministrinë e Shëndetësisë.

E lidhur me atë, se a duhet t’i kërkohet dorëheqja Vitisë, për gazetën “Bota sot”, kanë folur edhe disa njohës politik.

“Ta gjejë vetën aty ku mund t’i përballojë angazhimet”

Kështu, analisti Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Vitia i cili edhe më parë ishte ministër i shëndetësisë, nuk do të duhet t’i besohej më ministria dhe as kandidimi, madje Qarri thekson se ai në atë kohë vinte në rrezik jetën e qytetarëve, veçanërisht në kohë pandemie.

Image
Gani Qarri

“Në fakt në asnjë shtet tjetër të Evropës, ku sundon rendi e ligji dhe vet kandidati ka sadopak dinjitet profesional dhe moral njerëzor, pas vdekjes së të riut Agon Musliut, në kohën kur po afrohet edhe njëvjetori i vdekjes tragjike të tij, një njeriu si Arben Vitia i cili edhe atëherë ishte ministër i shëndetësisë, nuk do duhej t’i besohej më ajo ministri dhe as kandidatura për të parin e kryeqytetit. Vitia në vend se të kryente si duhet detyrën e lartë që kishte, ai asokohe inskenonte ezanë hoxhallarësh dhe vinte në rrezik jetën e qytetarëve, duke mos u kujdesur profesionalisht as moralisht me problemet e tyre, edhe pse ishte i obliguar sipas detyrës dhe postit që mbante, veçanërisht në një kohë aq të rëndë pandemie, siç ishte me 2020”, tha ai.

Më tej, ai ka shtuar se nuk duhet t’i lejohet në asnjë mënyrë marrja e detyrës nga Vitia dhe as t’i ofrohet si kandidat për kryeqytetin dhe se nëse Vitia nuk jep vetë dorëheqje nga posti i ministrit, atëherë Kurti duhet ta shkarkojë nga detyra dhe ta emëroj dikë tjetër.

“Ndaj pas gjithë atyre lëshimeve dhe gabimeve të cilat i ndodhën Vitisë në mandatin e parë që për pasojë u paguan edhe me jeta njerëzish të pafajshëm si ajo e të riut A.Musliu, në asnjë vend të botës, nga vet udhëheqja shtetërore, edhe po të donte ai, nuk do t’i ofrohej as lejohej në asnjë mënyrë, një njeriu si Vitia marrja përsëri e detyrës së Ministrit të Shëndetësisë, e lëre më tani të ofrohet si kandidatë nga vet partia edhe për të parin e kryeqytetit. Por, nëse vërtetë LVV ka vendosur që përkundër të gjitha gabimeve që i kanë ndodhur ministri të shëndetësisë Arben Vitia ta kandidojë edhe për Kryetar të Komunës së Prishtinës, nëse vet ai nuk jep dorëheqje nga posti i ministrit, që për mu personalisht, pa të drejtë e mbanë, atëherë Kryeministri duhet ta shkarkojë sa më parë nga detyra dhe të emërojë një ministër tjetër të shëndetësisë në vend të tij”, theksoi Qarri.

Më tej ka potencuar se pasi që Vitia është kandidat për kryetar, atëherë duhet t’i kërkohet dorëheqja nga posti i ministrit, sepse sipas Qarrit, ai nuk ka mundur ta mbaj nën kontroll gjendjen pandemike, andaj të angazhohet edhe në një drejtim tjetër nuk ka aftësi.

“Kështu që pas kandidimit të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet lokale të tetorit, me shumë të drejt, atij i kërkohet dorëheqja e menjëhershme nga posti i ministrit, kur dihet se ai as në gjendjen me më pak infektime, nuk ka mundur të kujdesej sa duhet për mbajtjen nën kontroll të pandemisë, se lëre më tani, në kohën kur kanë filluar të shtohen rastet në mënyrë kaq rapide dhe vendi po përballet me shifra rekorde të rasteve të reja me COVID-19, të angazhohet në dy drejtime, për të cilat është pa kaherë se nuk ka aftësi as kapacitet”, shtoi ai.

Qarri ka deklaruar se Vitia mund të dështojë edhe në politik, nëse nuk mund t’i kryejë dy detyra për të njëjtën kohë, por sipas tij, Vitia me qëllim nuk jep dorëheqje nga ministria, sepse nëse i humb zgjedhjet të mos e humb edhe postin e ministrit.

Ai më tej ka shtuar se Vitia duhet të jap dorëheqje dhe ta gjejë veten diku tjetër, pra diku ku mund t’i përballojë angazhimet që i kërkon puna e tij.

“Por i vetëdijshëm se ai nuk mund t’i kryejë dy detyra në të njëjtën kohë dhe ashtu siç ka dështuar në shëndetësi, mund të dështojë keq edhe në politikë, nga frika që ka, se pas humbjes që pritet të pësojë në zgjedhjet për Kryetar të Prishtinës, do ta humbë edhe postin ministror që aktualisht mbanë, ai qëllimisht nuk jep dorëheqje me dëshirën që nëse humb zgjedhjet komunale, të mos e humb edhe postin e Ministrit të Shëndetësisë. Ndaj ashtu siç thotë edhe ish- zëvendësministri i Arsimit, Jusuf Thaçi, duke ditur se Arben Vitia nuk ka kapacitete as aftësi profesionale që në të njëjtën kohë të ushtrojë dy funksione dhe të zhvillojë fushatë parazgjedhore e cila kërkon shumë mund e angazhim dhe aktivitet të pareshtur elektoral, pa marrë parasysh ëndërrimet e tij, për mbajtjen peng dhe ruajtjen për vete të postit të ministrit të shëndetësisë, Arben Vitia duhet të jap dorëheqje urgjentisht dhe ta gjejë veten diku tjetër, ku ai mund t’i përballojë angazhimet që kërkon puna e tij dhe nuk do të dështojë si në mandatet e ministrisë qe për të dytën herë, padrejtësisht e mbanë, e tenton ta ruaj me këmbëngulje dhe çdo mënyrë”, ka përfunduar Qarri.

“Të dorëhiqet nga posti”

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, juristi Blerim Burjani, ka potencuar se edhe me ligj është e rregulluar që gara të jetë e barabartë për të gjithë, pra sipas tij, edhe Vitia duhet të dorëhiqet nga posti i tij.

“Kjo është e rregulluar me ligj për zgjedhjet, pra duhet të dorëhiqet nga posti për të mos shfrytëzuar postin për ndikim, gara duhet të jetë e barabartë për të gjithë kandiatët. Pra. asnjëri nuk mund të ketë në dispozicion postin publik dhe automjetet zyrtare apo ndikimin përmes postit që mbanë”, përfundoi Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat