Kundërshtohet rikthimi i Agim Veliut, bashkë me këta emra e dërguan LDK-në drejt humnerës

Politika

Kundërshtohet rikthimi i Agim Veliut, bashkë me këta emra e dërguan LDK-në drejt humnerës

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 4 shtator 2021 Në ora: 08:31
Agim Veliu, Isa Mustafa, Lutfi Haziri

Në tetor të viti të kaluar, qytetarët e Komunës së Podujevës e ndëshkuan Lidhjen Demokratike të Kosovës më votën e tyre.

Kurse, zgjedhjet e 14 shkurtit ishin vula e fundit për këtë parti që të fillojë reformën brenda saj.

Pas kësaj humbje dhanë dorëheqje kryetari i asaj kohe Isa Mustafa dhe kryesia e kësaj partie.

Pjesë e kësaj, ishte edhe Agim Veliu. Ky i fundit u shkarkua edhe nga posti i kryetarit të degës së LDK-së në Podujevë.

Por, rikthimin e këtij të fundit, e ka paralajmëruar nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri. Ai në një intervistë për media, ka deklaruar se nuk është i kënaqur me përçarjet në Podujevë dhe se është duke u shqyrtuar vendimi i kryesisë për largimin e Veliut.

Por, jo të gjithë pajtohen me këtë deklaratë të Hazirit.

Sipas njohësve të çështjeve politike, një e gjë e tillë nuk duhet të ndodh, pasi që Veliu dhe udhëheqës të tjerë të partisë, e dërguan LDK-në në humbje të elektoratit.

Qarri: Nuk duhet të kthehet Agim Veliu

Analisti politik, Gani Qarri, në bashkëbisedim për “Bota sot”, ka përmendur emrat që sipas tij e kanë dërguar LDK-në drejt humnerës.

Image
Gani Qarri

“Pjesëtari i gardës së vjetër dhe gardiani i PDK-së brenda radhëve dhe kryesisë së LDK-së, i cili bashkë me Isa Mustafën Agim Veliun, Skënder Hysenin, Haki Rugovën, etj e dërguan LDK-në e Dr.Ibrahim Rugovës në humnerë, nënkryetari aktual i LDK-së, Lutfi Haziri, duket se nuk po ndihet aspak mirë as i qetë pa ish shkatërruesit e partisë më të madhe në Kosovë, ndaj tani kur edhe po afrohen zgjedhjet lokale, ai kokë më vete, pa pëlqimin e kryesisë së re, e as të elektoratit të partisë, ka paralajmëruar rikthimin e Agim Veliut në LDK, e që prapa kësaj deklarata, ndoshta fshihet tendenca për kthimin edhe të Isa Mustafës, i cili pas humbjes së shokëve, duket se nuk e ka fare të lehtë as Luta, të fitojë në Gjilan, si dikur”, është shprehur ai.

Gjithashtu, ai e ka komentuar deklaratën e Hazirit.

“Madje për të mos e shfaqur hapur defetizmin e tij, para votuesve, nga frika që ka për vete para zgjedhjeve dhe për të shitur megalomani para elektoratit të vet, Luta është shprehur se kinse brenga e tij kryesore për momentin mbetet për përçarjet në Podujevë dhe jo frika për dështimin e tij të mundshëm në Gjilan”, ka vlerësuar ai.

Sipas tij, Veliu as nuk ka gjasa më të kthehet në LDK.

“Përndryshe, Agim Veliu jo vetëm që nuk duhet, por as nuk ka gjasa më të kthehet në LDK, njëjtë si Isa Mustafa, përderisa Veliu ka humbur edhe zgjedhjet dhe bashkë me Isa Mustafën pa të keqe të Lutfi Hazirit me shokë, e gjunjëzuan LDK-në dhe nga vendi i parë ku ajo ishte dikur, ra gati në përqindje të barabarta  me AAK-n, hiq më pak se në pozitën e parafundit, mbi pragun e zgjedhjeve”, ka cilësuar Qarri.

Ai e parashikon pensionimin e Hazirit nëse LDK dështon në zgjedhjet lokale, ashtu sikur ato nacionale.

“Ndaj, nëse edhe në zgjedhjet lokale dështon LDK-si ngjashëm apo njëjtë si në zgjedhjet nacionale, pritet që edhe Luta të pensionohet shumë shpejtë dhe deshi apo jo, duhet ti thotë edhe ai lamtumirë politikës dhe LDK-së, njëjtë si ish shokët pararendës të tij, të pensionuar. Për aq më tepër, pas spastrimit të LDK-së nga mbetjet e vjetra, do të ishte në nderin e tij, që bashkë me shokë, të kishte ikur edhe vet Lutfi Haziri, i cili sa ishte Thaçi në politikë dhe pushtet, ai më tepër i ka shërbyer Hashim Thaçit dhe PDK-së se sa partisë që i takonte, duke përkrahur i vetmi nga krejt LDK-ja, edhe idetë e Thaçit për ndarjen e Kosovës”, ka thënë ai.

Në fund, Qarri ka treguar se çfarë presin qytetarët dhe elektorati i LDK-së nga kryesia e re e kësaj partie.

“Kështu që, para se Lutfi Haziri t`i ftojë ish shkatërruesit e LDK-së të rikthehen serish në parti, qytetarët dhe numri më i madh i elektorati të vet LDK-së, pret nga kryesia e re e kësaj partie, që për kontributin e dhënë të Lutfi Hazirit për PDK-në dhe punën e bërë për shkatërrimin e LDK-së, një orë e më parë, ta shpërblejë edhe Lutën me dërgimin e tij në pension të merituar, në mënyrë që LDK, vërtetë të marrë pamjen e një partie njëmend të reformuar, të kompletuar me staf të ri e ide kompakte dhe të gatshme për zgjedhje të reja”, ka deklaruar Gani Qarri për gazetën “Bota sot”.

Duhanaj: Veliu nuk është larguar asnjëherë nga LDK-ja

Ndërkaq, analisti politik, Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Veliu nuk është larguar nga LDK-ja.

“Për mendimin tim, Agim Veliu nuk ka nevojë të kthehet në LDK, ai është aty sepse nuk është larguar asnjëherë prej saj. Në anën tjetër, zëvendësimin i tij në Podujevë, nuk nënkupton përjashtim por proces dhe rrjedhë normale politike kadrovike partiake. Një rikthim i tij, nëse gjen përkrahje elektorale e strukturore është i mundur dhe s’është të ishte legjitim”, ka thënë ai.

Image
Leon Duhanaj

Më tej, ai ka theksuar se Veliu nga qëndrimi i gjatë në pozitë, mund të ketë humbur përkohësisht mbështetjen e qytetarëve.

“Proceset politike janë të tilla, mund të ketë batica dhe zbatica në karrierën individualen, ashtu siç ka edhe në atë kolektive partiake, është me rëndësi që zhvillimet me qenë brenda kuadrit dhe rregullave të demokracisë. Z. Veliu,  nga qëndrimi i gjatë në pozitë, mund të ketë humbur mbështetjen e qytetarëve dhe strukturave  edhe përkohësisht, sepse njerëzit në pushtet me përgjegjësi, bëjnë edhe punë por edhe gabime”, ka potencuar ai.

Po ashtu, ai ka thënë se për politikanin, duhet të jetë prioritet besimi qytetar.

“Qytetarët herë i votojnë, e herë i dënojnë, kështu që për politikanin, duhet të jetë prioritet besimi qytetarë, besim i cili mund të fitohet dhe të mbahet vetëm duke punua mirë. Pushtetin, nëse e merr pa meritë, nuk arrin ta mbash, prandaj për secilin politikan, postulat i aktivitetit të tij, duhet me qenë, fryti i punës së ti për komunitetin. Njëherësh duhet të mendoj çfarë po lë pas, sepse as politika, as pushteti, nuk janë të përjetshme për individin, por individi është një hallkë e vogël në shërbim të kohës. Kush arrin ta kuptojë drejtë dhe të veprojë  mbi këto parime, ai do jetë edhe politikan i mirë edhe do lë pas një trashëgimi të mirë, të tjerët veç se do të konsiderohen si fatkeqësi e kohës!”, ka thënë Leon Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat