“LDK po shënon rritje”, ky është parashikimi: Ja kur ndodh rikthimi i madh...

Politika

“LDK po shënon rritje”, ky është parashikimi: Ja kur ndodh rikthimi i madh...

Nga: P.R Më: 7 shtator 2021 Në ora: 22:04
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

Zgjedhjet e 17 tetorit po afrohen. Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë ka zyrtarizuar të gjithë kandidatët e saj për kryetar komunash, me të cilët synon që të dal fituese në zgjedhjet lokale.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tashmë ka filluar vizitat nëpër degët e LDK-së në Kosovë, e ku sipas tij, 17 tetori do të shënojë rikthimin e madh pas dështimit në zgjedhjet nacionale, ku LDK mori vetëm 12% të votave.

E sipas analistit dhe ish kryetarit të LDK-së në Zvicër, Haki Latifi, LDK është favorite që të fitojë në shumicën e komunave në Kosovë.

Image
Ish kryetari i LDK-së në Zvicër, Haki Latifi

“Mendoj se Lidhja Demokratike e Kosovës ka krijuar një traditë të mirë të prezantimit të projekteve karshi kërkesave dhe nevojave të qytetarëve në zgjedhjet lokale më mirë, se në ato në nivel Kombëtar. Siç po duket do të ketë një konkurrencë të fortë në mes të subjekteve garuese por, LDK do të jetë favorite në zgjedhjet lokale që do të mbahen, më 17 tetor të këtij viti, sidomos në komunat të cilat i udhëheq gjerë më tani. Duke marrë parasysh proceset e kaluara të zgjedhjeve lokale, edhe në këto zgjedhje një numër i madh i kandidatëve do të garojnë për pozitën e kryetarit në gjithsej 38 komuna apo edhe për ulëse në Kuvendet Komunale. Ku do të përpiqen të japim një alternativë, duke ofruar njerëz të denjë e të mirë, përplot të tillë që i ka brenda LDK, e të tjerë që i bashkëngjiten në vazhdimësi. Mbi të gjitha, duke e mbajtur gjallë dhe ruajtur filozofinë themeluese të LDK-së”, thotë Latifi.

Sipas tij, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar rritje pas ndryshimeve të fundit që kanë ndodhur në udhëheqjen e kësaj partie.

“Trendi i rritjes dhe i rikthimit të LDK-së merr kohë por është duke ndodhur dhe do të ndodhë përderisa qëndrojnë në origjinalitetin politik të traditës dhe filozofisë së Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Që dmth, të qenurit lidhje e qytetarëve të Kosovës e në prirje të koordinimit dhe zgjidhjeve të problemeve në përmirësimin e standardeve të jetës të tyre gjatë qeverisjes”, shprehet Latifi për gazetën “Bota sot”.

Ashtu si Abdixhiku, edhe Latifi shprehet se më 17 tetor do të ndodhë rikthimi i madh i LDK-së.

“Në bazë të listës garuese të LDK-së, kandidatët e LDK-së janë njerëz me kredibilitet, njerëz të zot e punëtorë; të komunitetit e të punës. Janë njerëz të brumit ideologjik e politik që prezantojnë dhe punojnë në realizimin e projekteve të programit të LDK-së. Prandaj edhe rikthimi i LDK-së me potencialin e kandidatëve që ka pritet të ndodhë. Qytetarët do t’ju japin besimin për t’i udhëhequr dhe përfaqësuar në nivelet komunale, sepse janë njerëz që i kanë shërbyer vendit vazhdimisht, njerëz që kanë transformuar komunat e tyre në vazhdimësi; e të tjerë siç është rasti i Prishtinës, që sjellin bagazhin e tyre mbresëlënës profesional në shërbim të qytetarëve”, thekson Latifi.

Për fund, Latifi e quan zhgënjyese qeverisjen e Albin Kurtit, për të cilën thotë se u dorëzua më shpejt se sa pritej.

“Mendoj se me arrogancën e treguar gjerë më tani të Qeverisë Kurti 2, me paaftësinë qeverisëse në vazhdimësi; me skandalet e nepotizmit e familjarizimit, gjendjen pandemike, përfaqësimin diplomatik, kjo rënie është më e shpejtë se që kanë menduar fillimisht qytetarët. Natyrisht kjo edhe do të merr kohë, para se qytetari do të kuptojë në plotni thatësinë e kësaj qeverie por ajo ditë do të vjen. Qytetarët e zhgënjyer, kanë filluar ta kuptojnë demagogjinë e para fushatës së kësaj qeverie dhe do të shohin se asgjë nuk po ndryshon për pritjet që i kanë patur”, përfundon për “Bota sot”, analisti dhe ish kryetari i LDK-së në Zvicër, Haki Latifi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat