Kritikohet LDK/Analistët i kujtojnë të bëmat derisa qeveriste vendin

Politika

Kritikohet LDK/Analistët i kujtojnë të bëmat derisa qeveriste vendin

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 16 shtator 2021 Në ora: 19:33
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

Opozita në vend po vazhdon të jetë kritike ndaj Qeverisë.

Ajo e cila kritikoi së fundmi pozitën ishte Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila tha se kabineti i Kurtit është i paqartë në veprime.

Nënkryetarja e këtij subjekti politik, Shqipe Mjekiqi thotë se me Serbinë kërkohet një zgjidhje gjithëpërfshirëse që do të çojë në njohje të ndërsjellë, ndërsa ka kritika edhe për procesin e shkarkimit dhe vonesat në emërimin e ambasadorëve të rinj si dhe për menaxhimin e situatës me pandeminë.

“Për ne është e rëndësishme që të arrihet një zgjidhje gjithëpërfshirëse me Serbinë që do të çojë në njohjen e ndërsjellët të dy vendeve në kufijtë aktualë dhe t’i adresojë çështjet e tjera me rëndësi siç ishte kjo e personave të zhdukur”, tha nënkryetarja.

Më tej, ajo thotë se në këta muaj qeverisje, ekzekutivin e ka karakterizuar vetëm pasiviteti në menaxhim dhe mungesa e transparencës.

Ajo kritikon edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme për vonesat në emërimin e ambasadorëve në vendet mike të Kosovës.

“Ajo që e karakterizon këtë gjashtëmujor është mungesa e transparencës, e informacioneve për çështje të ndryshme. Pastaj nuk dihet se cilat janë prioritetet e kësaj qeverie, gjatë fushatës zgjedhore deklaronin se pandemia është prioriteti numër 1, pastaj doli dialogu prioriteti kryesor. Prandaj unë shoh më tepër pasivitet sesa aktivizim të qeverisë. Nuk e kuptojmë arsyen pse kanë mbetur ambasadat pa përfaqësim”, ka thënë ajo.

Sipas nënkryetares së LDK-së, Qeveria Kurti po dështon edhe në menaxhimin me pandeminë COVID-19.

“Kur i shohim numrat dhe kur i shohim rastet e vdekjes fatkeqësisht që kanë ndodhur si pasojë e menaxhimit jo të mirë të qeverisë nuk mund të themi se ka bërë një punë të mirë”, u shpreh Mjekiqi.

Peçani: Opozita të flas me prova kundër pozitës

Image
Analisti politik Ruzhdi Peçani

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik Ruzhdi Peçani, duke e parë të paarsyeshme deklaratën e nënkryetares dhe shtuar që ajo ka me këto deklarata po demanton vetën e saj.

“Opozita dhe një nënkryetare nuk i takon të japi vlerësim publik për kryeministrin apo kabinetin qeveritar, si e “dobët”, është çështje e perceptimit subjektiv. Thotë se Qeveria është “pasive”, po në ç´kuptim ka menduar kur e ka thënë? Dhe këtu znj.Mjekiqi demanton veten e saj kur thotë: “Ajo që e karakterizon këtë gjashtëmujor është mungesa e transparencës, e informacioneve për çështje të ndryshme”– nga kjo ,le të kuptohet se Qeveria nuk na ishte pasive”, u shpreh analisti.

Ai më tej i kujton LDK-së, kohën kur Kurti i ka bërë ftesë pozitës dhe opozitës në dialogun me Serbinë e që e njëjta nuk i është përgjigjur, për këtë arsye deklaratat e LDK-së janë të paarsyeshme.

“LDK ishte treguar mjaftë konstruktive me rastin e zgjedhjes së Presidentes znj.Vjosa Osmani – Sadriu dhe vazhdonte të ishte kur Kryeministri Albin Kurti bëri ftesë të bëheshin unik pozitë – opozitë për çështje dialogu me Serbinë, kur nuk iu përgjigj e gjithë opozita dhe tani znj.Mjekiqi aludon në një gjithë përfshirje në këtë temë?! Znj.Mjekiqi i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të gjejë zgjidhje për gjetjen e trupave të personave të zhdukur në Kosovë gjatë luftës së fundit. Dhe çfarë ishte takimi në Bruksel? Nuk ishte një e shkuar sa për të thënë si dikur, se po takohemi, por pikërisht ishte temë boshte për të pagjeturit, ku edhe pala serbe u dakordua për hapjen e arkivave nga dy anët për të zgjidhur këtë plagë të rëndë”, potencoi ai.

Tutje, analisti cek edhe kritikën për Ministrinë e Punëve të Jashtme duke thënë se e gjithë kjo vonesë vjen nga një keqqeverisje e qeverisë Hoti.

“Ajo kritikon edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme për vonesat në emërimin e ambasadorëve në vendet mike të Kosovës. Mund të ketë vonesa dhe nuk do duhej të ishte kështu. Po përse një gjendje e tillë. E gjitha si rrjedhë se kjo problematikë ishte që nga Qeveria Hoti, kur ish ministri Glauk Konjufca kishte ndërmarrë qasjen për reformimin e këtij dikasteri ,që ishte shoqëruar me mjaftë skandale dhe staf diplomatik jo profesional”, ka vlerësuar ai.

Në fund, Peçani shprehet se është i mendimit të ketë opozitë por jo në këtë mënyrë që të bëjnë një propagandë politike për pozitën e sidomos tash para zgjedhjeve lokale.

“Dhe e gjithë kjo, pasojë e asaj se dhe LDK ka topitur tehun e të bërit opozitarizëm konstruktiv. Të bërit opozitë konstruktive është shpirti i demokracisë parlamentare. Pa opozitë nuk mund të ketë as Parlament. Por jo opozitë që në vazhdimësi shef “zi e terr” duke përdorur insinuate dhe inkriminimin si armë. LDK duhet të dali nga hermetizmi që e mban, duke i bërë opozitë qeverisë –Jo shtetit! Një propagandë politike denigrimi të pozitës në parafushatë zgjedhore lokale - e në mungese të një marketingu të mirëfilltë politik”, ka theksuar Ruzhdi Peçani për “Bota sot”.

Mehmeti: LDK e pabazuar në fakte kur po akuzon qeverinë Kurti

Image
Analisti politik, Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti tjetër politik, Faton Mehmeti, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka thënë se nënkryetarja Mjekiqi duhet të dijë se LDK ishte prijëse e bisedimeve mirëpo nuk ka përdorur praktikë gjithëpërfshirëse e që një ekip bashkëpunues po mungon që nga koha e presidentit Rugova.

“Nënkryetarja Shqipe Mjekiqi, duhet të dijë se kur LDK ishte prijëse e bisedimeve nuk e ka përdorur praktikën e gjithëpërfshirjes, përkundrazi ka qenë përjashtuese për partitë opozitare. Natyrisht se Kosova ka nevojë dhe ka pasur gjithnjë ekip të unitetit, që fatkeqësisht ka munguar që nga koha e Dr.Rugovës”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, për emërimin e ambasadorëve thotë se ka nevojë vendi ynë për ata mirëpo që të njëjtit do të zgjidhen shumë shpejt, mirëpo për situatën pandemike ai thekson se asnjë qeveri tjetër nuk do të dinte të menaxhonte më mirë.

“Sa i përket ambasadorëve, vendi ka nevojë që të ketë sa më parë ambasadorë dhe jo çfarë ka pasur deri tani, por njerëz me integritet dhe moral të lartë. Situatën me pandemi asnjë qeveri nuk besoj se do ta menaxhonte më mirë, përkundër disa defekteve në përgjithësi e vlerësoj të suksesshme këtë pjesë të punës”, është shprehur analisti.

Në fund, Mehmeti ka theksuar se LDK duhet të shoh veten se çfarë ka bërë gjatë kohës që ka qenë në pushtet, para se të akuzojë gjatë tërë kohës qeverinë Kurti.

“LDK të sheh veten në pasqyrë, për gjithë akuzat ndaj qeverisë Kurti duhet t'ia bëjë vetes për kohën sa ka qenë në qeveri e ku ka dështuar, me pandeminë, me bisedimet dhe ka mbushur ambasadat me militantë”, ka deklaruar Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat