Reciprocitet jo vetëm për targat/Thirrje kryeministrit Kurti për dialogun me Serbinë

Politika

Reciprocitet jo vetëm për targat/Thirrje kryeministrit Kurti për dialogun me Serbinë

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 26 shtator 2021 Në ora: 17:57
Albin Kurti, Aleksandar Vuçiq; foto ilustrim nga "Bota sot"

Që nga dita e hënë Kosova ka nisur zbatimin e masës së reciprocitetit për targat për Serbinë.

Kosova kishte paralajmëruar vendosjen e masës së reciprocitetit për targat me Serbinë, gjatë raundit të fundit të dialogut me Serbinë në Bruksel. Kështu, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se masa e reciprocitetit ndaj Serbisë do të vendoset për shkak se nuk ka ndryshe.

Policia e Kosovës nuk po lejon që veturat me targa të Serbisë të hyjnë në territorin e Kosovës. Atyre po u vendosen targa të përkohshme të Republikës së Kosovës.

Pas reciprocitetit që vendosi kryeministri Kurti ndaj Serbisë për mos hyrjen e veturave me tabela serbe, cili duhet të jetë hapi i radhës i Qeverisë, për “Bota sot”, kanë folur disa njohës të çështjeve politike.

“Marrëveshjet që nuk i zbaton Serbia, as Kosova nuk duhet t’i zbatojë”

Image
Blerim Burjani

Lidhur me këtë, juristi Blerim Burjani, ka deklaruar se përderisa Serbia nuk po merret me asnjë marrëveshje përfundimtare, atëherë nuk duhet t’i zbatojë as Kosova.

Tutje ka shtuar se nuk besoj se mund ta kthjellë Serbinë dikush, sepse ende merren me përralla sa i përket Kosovës, si edhe debatet e tyre ende bëhen sikur ekziston forca e Serbisë.

“Logjikisht po, meqenëse Serbia nuk po do seriozisht të merret me një marrëveshje përfundimtare atëherë të gjitha marrëveshjet që nuk i zbaton Serbia, as Kosova nuk duhet t’i zbatojë ato. Është e pakuptimtë dhe e kotë të merremi me Serbinë, ata jetojnë në margjina nostalgjike mesjetare të Jugosllavisë komuniste, absurditete të mëdha, iluzione e kanë kapluar Serbinë. Serbia nuk është më në gjendje të kuptojë se është koha e sotme e Car Llazarit apo e Titos. Pra, shmangia nga realiteti dhe ëndërrimet politike dhe hipnotike qe po ia bën Vuçiqi Serbisë është një dimension interesant iluzor dhe i papërshkrueshëm në kuptimin realist, përveç imagjinative që është dhe fantastik, politika mesjetare serbe ka shkuar, nuk e besoj se dikush mund të kthjellë Serbinë që mendoj që është e dehur plotësisht, deklaratat dhe opinioni serb merren ende me përralla sa i përket Kosovës dhe ëndrra dhe iluzione dhe fantazi. Debatet në Serbi bëhen sikur ende ekziston forca e Serbisë, Jugosllavia dhe Car Llazari është politika realiste”, ka deklaruar Blerim Burjani për “Bota sot”.

“Nëse Vuçiqi përzihet brenda Kosovës, edhe Kurti të përzihet brenda Serbisë”

Image
Sulejman Mehazi

Ndërsa, profesori dhe analisti Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Kurti me veprimet e fundit, po ua bën me dije serbëve se Kosova është shtet, kjo së pari në takimin e fundit me Vuçiqin në Bruksel, e më pastaj me reciprocitetin.

“Me veprimet e fundit politike kryeministri Albin Kurti është duke ua bërë me dije serbëve se Kosova është shtet dhe se ata që mundohen të cenojnë e nënçmojnë mëvetësinë e Kosovës do pësojnë keq. Dy takimet e fundit me Vuçiqin në Bruksel politikisht kryeministri Albin Kurti Kosovës ia dha atë aromën dhe shijen e shtetësisë, sidomos veprimet qeverisëse të reciprocitetit të tagrave serbe në Kosovë fuqishëm Albin Kurti ia bëri të qartë Vuçiqit se Kosova ka zot shtëpie kushtetutën e saj dhe se Serbia nuk mund të luajë si më parë me Kosovën dhe qytetarët e saj”, ka potencuar ai.

Më tej, ai ka theksuar se Kurti do ta vazhdojë edhe më tej këtë reciprocitet, sipas Mehazit, reciprociteti duhet të rritet edhe me mallrat serbe, pasaportat, madje edhe me burgosjen e kriminelëve serb.

Mehazi shtoi se nëse Vuçiq kushtëzon dialogun me asociacionin serb, edhe Kurti le ta kushtëzojë dialogun e Brukselit, pra nëse Vuçiq përzihet brenda Kosovës, edhe Kurti le të përzihet brenda Serbisë.

“Mendojmë se Kryeministri i Kosovës nuk do pajtohet me kaq, po këtë reciprocitet do ta vazhdojë dhe me tej, përveç tagrave reciprociteti duhet të rritet edhe me mallrat serbe, pasaportat serbe, asociacioneve kundërvepruese të llojeve të ndryshme, burgosjeve të kriminelëve serbë, të cilët lirshëm shëtisin në Veri. Reciprocitet duhet bërë edhe ndaj deklaratës së fundit të katër pikave kushtëzuese të Vuçiqit për vazhdimin e dialogut, nëse ai kushtëzon dialogun me asociacionet serbe, edhe Albin Kurti le të kushtëzojë dialogun e Brukselit me asociacionet e shqiptarëve të Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës, me asociacionet e boshnjakëve të Sanxhakut, me asociacionet e hungarezëve të Vojvodinës e kështu me radhë. Nëse Vuçiqi përzihet brenda Kosovës pse dhe Albin Kurti mos të përzihet brenda Serbisë”, ka thënë Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat