Mundësia për shkarkimin e Rakiqit/Analistët tregojnë nëse Kurti duhet ta bëjë atë

Politika

Mundësia për shkarkimin e Rakiqit/Analistët tregojnë nëse Kurti duhet ta bëjë atë

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 19 tetor 2021 Në ora: 15:42
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Më 13 tetor, policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion në veri të vendit.

Aksioni i Policisë dhe Doganës së Kosovës kundër kontrabandimit të mallrave është pjesë e luftës së autoriteteve të Kosovës kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal, tha ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Operacioni i Policisë dhe Doganës së Kosovës - që nisi në orët e hershme të mëngjesit dhe përfundoi në mesditë - u kundërshtua nga serbët lokalë, të cilët protestuan dhe ngritën barrikada.

Gjatë protestave, dhjetë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, dhjetë banorë të Mitrovicës së Veriut kërkuan ndihmë mjekësore, ndërkaq tetë persona janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore.

Menjëherë pas këtij aksioni reagimet nga ana e Serbisë ishin të mëdha, duke mos e parë të arsyeshme aspak dhe kundërshtuar bindshëm.

Në lidhje me këtë aksion ka reaguar edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq, i cili ka krahasuar situatën e aksionit të policisë në veri të vendit me “Natën e Kristaltë”.

“Nuk mund të durojmë më, ka mbetur vetëm ajrin të na e marrin, kjo ka qenë si Nata e Kristalit për ne, ky takim me Vuçiqit është më i rëndësishmi, është derdhur gjak serb mbi xhamat e thyer”, ka thënë Rakiq.

Pas kësaj deklarate të shpejta kanë qenë mendimet që Rakiq të shkarkohet nga posti që aktualisht është duke ushtruar.

I pyetur për këtë mundësi të shkarkimit, kryeministri i vendit, Albin Kurti, theksoi që të njëjtin nuk mendon ta shkarkojë.

Sipas tij, qeveria ka goditur nervin e çështjes dhe çështja nuk është Rakiqi, shkarkimi i tij do ta bënte çështjen.

“Qeveria jonë me veprimet tona e ka godit nervin e çështjes e ky është luftimi i krimit të organizuar korrupsionit e kontrabandës. Përveç se po kemi sukses me hetimet tona intensive në të njëjtën kohë po ndodh një demaskim gjigant i Serbisë sa i përket përpjekjes së saj destruktive me strukturat saj ilegale në Kosovë. Qartazi ne jemi në rrugën e drejtë dhe pikërisht për shkak se ne jemi në rrugën e drejtë Serbia e Vuçiqi nuk po arrin t’i mobilizojë serbët kundër veprimeve të drejta e të ligjshme të qeverisë tonë. Ne kemi goditur nervin e çështjes. Çështja nuk është Rakiqi. Shkarkimi i tij do ta bënte çështje”, ka thënë Kurti.

Krasniqi: Shkarkimi i Rakiqit duhet të bëhet në një moment tjetër

Image
Islam Krasniqi

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi Islam Krasniqi, i cili u shpreh se shkarkimi i Rakiqit për të ndodhur tani është e dëmshme për vendin tonë pasi situata është e tensionuar në sytë e bashkësisë ndërkombëtare.

Sipas tij, Rakiq duhet të marrë vërejtje për deklaratën e tij dhe e njëjta të mos përsëritet.

“Opozita po e bën të njëjtën siç ka bërë kryeministri kur ishte opozitë, që i akuzonte që të shkarkohen ministrat serb. Mirë do të ishte që të shkarkohet ministri serb për deklaratat e tij, mirëpo tani në këtë kohë është e pamundur një gjë e tillë sepse gjendja është pak e acaruar dhe në sy të bashkësisë ndërkombëtare nuk do të dalim mirë, por kryeministri duhet të pret një rast tjetër për shkarkimin e tij, ai fillimisht duhet ta thërras në zyre ministrin e vetë dhe të kërkojë shpjegim për deklaratat e tij dhe t’i tërhiqet vërejtja që të jetë më i matur dhe përmbajtur në deklaratat e tij, e jo t’i vë lëndë djegëse zjarrit”, u shpreh ai.

Më tej, ai thotë se kritikat që opozita po vazhdon të bëjë ndaj Kurtit janë false, pasi kryeministri me lënien jashtë të Listës Serbe dëshmoi që nuk është si qeveritë e kaluara.

“Andaj kritikat e opozitës janë false dhe kryeministri Kurti e ka dhënë provimin me rastin e lënies jashtë qeverisë Listën Serbe, duke ju këputur edhe shansin që të gëzojnë nga dy ministri dhe benefite siç kishin gëzuar në qeveritë e kaluara”, u shpreh Krasniqi për “Bota sot”.

Mehazi: Kërkesa e opozitës për të shkarkuar Rakiqin, e paarsyeshme

Image
Sulejman Mehazi

Ndërsa, profesori Sulejman Mehazi në lidhje më këtë temë thotë se Kurti ka pasur të drejtë që ka thënë se ka luftuar nervin e çështjes, pasi Rakiq nuk dëmton Kosovën më shumë se kontrabandimi në këtë rast i mallrave në vendin tonë.

“Deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit kundër kërkesave të opozitës për shkarkimin e Rakiqit është figuracion politik shumë i vlefshëm duke thënë se është luftuar "nervi i çështjes" së klaneve kontrabandiste dhe s'ka nevojë shkarkimi i ministrit serb Rakiq në krahasim me bazat sulmuese ndaj klaneve kancerogjene kontrabandiste, çështja e Rakiqit është çështje e vogël dhe e pavlerë në krahasim me sulmin e "nervit të çështjeve" sepse baza kryesore e problemit të madh që dëmton Republikën e Kosovës është "nervi i çështjes" kriminele e jo "çështja" e shkarkimit të Rakiqit”, shprehet profesori.

Mehazi potencon që sulmi i opozitës ndaj Albin Kurtit nuk ka të bëjë me thelbin e problemit të klaneve kontrabandiste për zhdukjen e tërheqjen e tyre, po për çështjen formale të dorëheqjes së ministrit serb, Goran Rakiq.

“Kërkesat dhe kritikat e opozitës ndaj Kurtit për shkarkimin e Rakiqit e kanë kuptimin e çështjes së nxjerrjes së vetullave, kurse sulmi "i nervit të çështjeve" kontrabadëse nga Albin Kurti e ka kuptimin e nxjerrjes së nervit të syve për të verbuar plotësisht kontrabandën e rrezikshme brenda Kosovës. Sulmi i opozitës ndaj Albin Kurtit nuk ka të bëjë me thelbin e problemit të klaneve kontrabandiste për zhdukjen e tërheqjen e tyre, po për çështjen formale të dorëheqjes së ministrit serb, Goran Rakiq, për opozitën më e rëndësishme është statuti "i çështjes" së ministrit serb sesa sulmi i "nervit të çështjes" së kontrabandistëve”, theksoi profesori.

Në fund, ai shton se opozita dëshiron të ketë kontrabandim të mëtejshëm në vendin tonë dhe të sakrifikohet në këtë rast Rakiqin.

“Opozita do nga Albin Kurti që kontrabandat kriminele njëzet vjet radhazi të ushqyer nga vetë ata të gjallërohen sa më shumë, e në vend të "nervit të çështjes" së tyre të sakrifikohet Goran Rakiqi”, përfundoi Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat