Gara e ashpër për Gjilanin/Analistët paralajmërojnë Lutfi Hazirin për balotazhin me VV-në

Politika

Gara e ashpër për Gjilanin/Analistët paralajmërojnë Lutfi Hazirin për balotazhin me VV-në

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 20 tetor 2021 Në ora: 08:11
Lutfi Haziri duke votuar, 17 tetor 2021

Të dielën që lamë pas u mbajtën zgjedhjet lokale në vend.

Këto zgjedhje nuk u përcollën me parregullsi apo ndonjë konflikt, përkundrazi u shquan për një ecuri të rregullt të procesit.

Mirëpo, pati befasi të shumta pasi shumë do të jenë në balotazh.

Bazuar në rezultatet preliminare të KQZ-së, në 17 komuna janë shënuar fitore të partive dhe 21 komuna do të shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Një ndër komunat që do të shkojë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale është edhe komuna e Gjilanit.

Dy kandidatët që do të jenë në balotazh në komunën e Gjilanit, janë ai nga radhët e VV-së, Alban Hyseni dhe kandidati nga radhët e LDK-së, Lutfi Haziri.

Deri tani nga numërimi I votave, kandidati Hyseni ka arritur të marrë 44, 43% duke lënë pas kandidatin Haziri me 43,81%.

Kjo padyshim ka qenë një nga befasitë e këtyre zgjedhjeve pasi kandidati Hyseni ia rrëzoi pritshmëritë e Hazirit dhe kështu i dha një “goditje” njëkohësisht edhe LDK-së.

Pas këtyre rezultateve, preliminare Haziri shpreson që në balotazh të dalë fitues.

Pres që të vazhdohet mandati, besimi, kontrata me qytetarët në Gjilan. Më jep siguri që balotazhi, përkundër të jetë i vështirë do të arrihet të përballohet falë besimit qytetarë”, u shpreh Haziri për media.

Mehmeti: Haziri nuk do të ketë sukses në balotazh

Analisti politik, Faton Mehmeti në lidhje me këtë temë, në një bashkëbisedim me gazetën “Bota sot”, thotë se është pritur që Haziri të pësojë humbje pasi ka qëndruar shumë në pushtet dhe nuk ka bërë asgjë në të mirë të qytetarëve të Gjilanit.

Image
Faton Mehmeti

Personalisht e kam pritur, e kam parashikuar se Luta do ta humb Gjilanin, duke u nisur nga fakti se qëndrimi i gjatë në pushtet e ka konsumuar shumë kryetarin aktual. Për më tepër, Luta nuk ka treguar ndonjë sukses për të cilën qytetarët e Gjilanit do ishin mirënjohës ndaj punës së tij. Shto këtu pastaj edhe "mëkatet" që ka bartur në qendër më mbështetjen që i ka dhënë ish kryetarit Mustafa”, thotë ai.

Analisti shton se në këtë betejë pritet të humbas Haziri dhe me këtë rast mund të ketë fatin sikur të Veliut, mirëpo thekson që do të jetë një garë e fortë.

Pritet të jetë e fortë gara edhe në balotazh, me Lutën që si kurrë më parë rrezikon të humbas në Gjilan, aty ku ka konsumuar tre mandate deri tani. Nëse e humb Gjilanin në raundin e dytë, gjë që e besoj, Luta njësoj si Agim Veliu do të venitet nga skena politike. Kjo gjë edhe është normale në politikë, pas çdo ngritje vjen rënia, fatkeqësisht politikanët tek ne nuk tërhiqen vetë kur gëzojnë respekt te qytetarët, presin të vije puna deri aty sa të ndëshkohen keq në zgjedhje”, potencon analisti.

Nga ana tjetër, analisti paralajmëron përfundim të karrierës së Haziri pasi nëse nuk arrin të fitojë në Gjilan, Abdixhiku do ta largojë edhe nga kryesia e LDK-së.

Lutës po i perëndon karriera e tij politike. Kam përshtypje se me qëllim Lumiri e ka kandiduar Lutën vetëm për të pasur pretekst që mos ta përfshijë pastaj në nivelin qendror, në kryesi të LDK-së, me rezultatin që thuajse të gjithë e kemi pritur që do të jetë katastrofike për Lutën. Luta do humb në balotazh”, nënvizoi Mehmeti për “Bota sot”.

Maxharraj: Haziri do të pësoj humbje në balotazh

Në lidhje me këtë temë ka folur edhe opinonisti dhe analisti nga Amerika, Binak Maxharraj, i cili u shpreh se kryesia e LDK-së ka pësuar një goditje të rëndë në Gjilan.

Image
Binak Maxharraj

Sipas tij, Haziri ka bërë gabim që i ka dalë përballë kundërkandidatit të tij nga VV, pasi Haziri është një figurë kontraverse, një figurë të cilit nuk i rri fjala në vend.

Kryesia e LDK-së e kishte propozuar Lutën përsëri për kandidat për kryetar të Gjilanit duke menduar se edhe kësaj here do të fitojë. Por, si duket apeli im që Gjilani të mos e votojë Lutën paska pasur efekt dhe Luta filloi të digjet, i doli tymi dhe flaka bash në Gjilan duke menduar se Gjilanin do ta fitojë me duar në xhepa, pikërisht si Isa Mustafa dikur Prishtinën. Por, Luta e gënjeu vetën, nuk i doli ashtu, përballë e kishte një kandidat tjetër edhe më të fortë se ai vetë, Alban Hysenin e LVV-së, i cili i mori 44,5% të votave kundrejt Lutës me 43,8%, që më 14 nëntor 2021 do ta përplas Lutën për toke për të mos i rënë ndërmend kurrë më të garojë për kryetar në Gjilan. Lutfi Haziri, është një figurë kontraverse, një figurë të cilit nuk i rri fjala në vend”, u shpreh opinonisti.

Më tej, ai thotë që Haziri humbi karrierën dhe vlerën e tij politike në momentin kur u bë bashkë me klanet mafioze e kështu edhe do të pësoj humbje në balotazh.

Rrugëtimi i tij me LDK ishte bukur i gjatë, ishte edhe aktivist në LDK në kohën e Ibrahim Rugovës, por nuk dallohej për diçka të veçantë i cilit meriton të dallohej në atë kohë. Por Luta mori flakë në LDK me ardhjen, me rrëmbimin me shumë mashtrime dhe dredhi të LDK-së ani pse flitej se kurrë nuk ishte anëtarë i saj, por arriti edhe me ndihmën nga “jashtë” të klaneve tjera mafioze të partive tjera ta uzurpojë LDK me të cilën nuk qeverisi, nuk e reformoi, por sundoi me të përplot 10 vite, derisa e shkatërroi duke e rrëzuar për tokë, po ashtu me ndihmën nga “jashtë””, thekson Maxharraj.

Profesori tutje thotë se Haziri përjetoi grushtin më të fortë të çeliktë të votuesve duke mos ia dhënë votën e mjaftueshme për tu bërë kryetar i tyre dhe se ky rezultat është i pritshëm nga Gjilani pasi veprimet që Hazirit kanë larguar qytetarët.

Prandaj gjilanasit edhe duhet ta pyesin Lutën se nga e bëri gjithë atë pasuri milionëshe. Nga të gjitha këto dhe shumë të bëma tjera të Lutës, votuesit e Gjilanit nuk duhet ta votojnë edhe për të tretën herë për kryetar të tyre, sepse çka është tepër është tepër. Po ashtu Luta përjetoi grushtin më të fortë të çeliktë të votuesve të Gjilanit duke mos ia dhënë votën e mjaftueshme për tu bërë kryetar i tyre, por duke e drejtuar votën nga kundërkandidati tjetër i LVV-së, Alban Hyseni, i cili mori vota më shumë duke e mundur Lutën por edhe duke i rrëzuar pritshmëritë e Lutës i cili pësoi debakël. Debakli i Lutës në Gjilan nuk është i rastit por shumë i pritshëm duke e pasur parasysh sjelljet e tij nëpër koluare mafioze me mafitë tjera të partive tjera që nuk ishte diçka e rastit që gjilanasit e refuzuan që ta kenë edhe më tutje për kryetar të tyre”, thotë profesori.

Maxharraj në bisedë e sipër shprehet se Hyseni është i pakorruptuar dhe do të sjellë ndryshimet e duhura për Gjilanin.

Ndërsa për Hazirin profesori përfundon që këto zgjedhje mund të sjellin edhe fundin e karrierës së tij politike.

Por, debaklin përfundimtar Lutës gjilanasit do të ia japin më 14 nëntor 2021 në balotazh me kandidatatin e LVV-së, Alban Hysenin e pakorruptuar. Kjo do të jetë një goditje edhe më e rëndë për Lutën, kjo do të ishte katastrofë për të, kjo do të ishte dhe fundi politik i karrierës së tij politike. Realisht, thënë thjesht Luta edhe nuk do të duhej që të përplaset edhe më tutje në kuadër të LDK-së sepse ai realisht pasi ishte pjesë e grupit mafioz të Isa Mustafës do të duhej të largohej nga të gjitha funksionet bile edhe nga LDK dhe t’i bënte shoqëri Isa Mustafës dhe Agim Veliut jashtë LDK-së, kurse tani po e largon vetë elektorati, duke mos e votuar çfarë paraqet edhe fundin e tij të karrierës politike, por tani në një mënyrë të turpshme”, u shpreh Maxharraj për gazetën “Bota sot”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat