Deklarata e Deliut është papërgjegjësi politike dhe e dënueshme / PDK-ja duhet të distancohet

Politika

Deklarata e Deliut është papërgjegjësi politike dhe e dënueshme / PDK-ja duhet të distancohet

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 24 nëntor 2021 Në ora: 23:14
Blerta Deliu-Kodra

Një debat i hapur aksidentalisht apo qëllimisht, të enjten në Kuvendin e Kosovës, i dha flakë përplasjeve politike, dhe nxori në shesh mospajtimet reale.

Ishte deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, që deshi ta paraqiste veten sikur vjen nga ndonjë parti, që këtij vendi i ka sjellur veç të mira, dhe jo se vjen nga një parti që ka udhëhequr me SHIK-un, dhe ndoshta ende ka grupe të tyre apo rrjet që kanë një komandë të përbashkët.

SHIK-u konsiderohet si organizatë kriminale nga KFOR-i, EULEX-i, por edhe nga hetimet e bëra për gjykatën speciale, pasi besohet se ka kryer vrasje politike, rrëmbime, harraq, plaçkitje, madje edhe vjedhje, por edhe tenderime e çka jo.

Madje, ajo kishte krijuar një ‘konstrukt’, se në CV-në e ministres së Drejtësisë Alubulena Haxhiu, shkruan se e ka një kunat terrorist.

Deliu e pyeti Haxhiun se si takohet me homologët e saj, kur, siç tha, në CV i shkruan që “e ka të arrestuar kunatin për terrorizëm në Maqedoni”.

“Një Ministre që vjen sot këtu dhe lëshohet në shpifje të pavërteta, kunatin e saj e ka të akuzuar për terrorizëm. Imagjinoni, Ministrja e Drejtësisë që vjen sot dhe më flet për sistemin e drejtësisë në Kosovë, e kunati i saj është i akuzuar për terrorizëm në Maqedoni, sot mua më jep e më mban leksione për sistem të drejtësisë. Si takoheni ju me homologë znj.Ministre, si e takon një Ministre të Gjermanisë, kur në CV’në tënde shkruan që kunatin e keni të arrestuar për terrorizëm në Maqedoni”, tha Deliu-Kodra.

Pas kësaj deklarate, ka reaguar edhe Haxhiu. Ajo ka sqaruar se rasti për të cilin po flet Kodra-Deliu është rasti i Kumanovës.

Tutje, Haxhiu ka thënë se ndoshta deputetja e PDK-së e di si ka ndodhur ky rast dhe është mirë të tregojë, duke thënë se zbulimi i këtij rasti është shumë i rëndësishëm për Republikën e Kosovës.

Ky dialog është kthyer në një zjarrmi ligjërimesh, kryesisht dhe thuaja tërësisht në mbrojtje të djelmoshave të Kumanovës, të dënuar me afër tetë shekuj burg, dhe me 10 të vrarë.

Analistët politik për “Bota sot”, thonë që ky debat solli një pasqyrë të dëmshme para syve të popullit.

Sipas tyre rasti në Kumanovë ka të përfshirë shumë qytetarë të cilët e pësuan më së keqi gjithë këtë situatë.

Kelmendi: PDK duhet të distancohet nga deklarata e Deliut

Image
Muhamet Kelmendi

Në lidhje me këtë temë ka folur në një prononcim për “Bota sot”, profesori Muhamet Kelmendi, i cili u shpreh se Deliu në mënyrë të padrejtë është deklaruar.

“Znj.Deliu nga PDK-ja akuzoi në Kuvendin e Kosovës pjesëtarin e grupit të qytetarëve nga Kosova që u gjenden në Kumanovë, në vitin 2015, e ku u sulmuan nga forcat militare e ushtarako - policore maqedone, si "terroristë". Natyrisht se u gjendën keq! Pse shkuan në Kumanovë? Por, sulmi i armatosur mbi ta, është një akt i rëndë. Sulmit iu përgjigjën këta qytetarë të Kosovës me mbrojtje”, u shpreh ai.

Më tej, ai thotë se deklarata e Deliut është papërgjegjësi politike dhe e dënueshme, për këtë arsye PDK-ja duhet të distancohet nga kjo deklaratë.

“Ranë shumë veta. Shumë u kapën. Kjo ngjarje, nëpërmjet një akuzë ndaj një pjesëmarrësi, nga znj. Deliu u cilësua si terroriste. Kjo është papërgjegjësi politike dhe akt i dënueshëm. PDK-ja kërkohet të distancohet nga deklarata e znj.Deliu në Kuvend”, thotë Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Duhanaj: Debati mes Deliut dhe Haxhiut, pasqyrë e dëmshme

Image
Leon Duhanaj

Analisti Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që kjo temë është shumë e ndjeshme dhe se në këtë aksion kanë qenë të involvuara segmente të agjenturave pansllaviste, të cilat këtë aksion kishin qëllim ta shfrytëzonin kundër interesit shqiptarë.

“Çështja e grupit të Kumanovës është rast studimi në vete. Për ta diskutuar arsyen dhe motivin për të cilin shkuan në Kumanovë, mundet vetëm të spekulohet. Fakt është se në ketë aksion kanë qenë të involvuara segmente të agjenturave pansllaviste, të cilat këtë aksion kishin qëllim ta shfrytëzonin kundër interesit shqiptarë. Për fat të keq ky grup mbeti viktimë e këtyre manipulimeve gjë që është tejet e dhimbshme për shqiptarët si komb, por, që për mendimin tim, nuk ka vend për ndonjë mburrje me këtë akt, sepse edhe përkundër faktit të dhimbshmërisë, nuk mund të themi që ishte mision dobiprurës, përkundrazi”, thotë ai.

Duhanaj më tej thotë që debati mes Deliut dhe Haxhiut është një pasqyrë e keqe e përfaqësuesve të shtetit dhe se ky debat gjithashtu është për keqardhje.

“Për sa i përket debatit në Kuvend, është e vërtetë, një akt për keqardhje dhe një pasqyrë e keqe e përfaqësuesve të shtetit se si në vend të qeverisjes së mirë, shërbehen me akuza linçuese e konspiracion. Në fakt i tërë debati filloj nga znj. Haxhiu, Ministre e Drejtësisë, e cila filloi sipas traditës së VV-së t'i akuzoj familjarët e kundërshtarëve politik. Në këtë debat u kyç edhe znj. Deliu, e cila për mendimin tim, nuk tha asgjë më shumë e as më pak se ta përmend një fakt. Znj. Deliu, nuk e akuzoj e aq më pak e quajti dikën terrorist, por e potencoi faktin se kunati i znj. Haxhiu është i akuzuar për terrorizëm”, nënvizon analisti.

Në fund, ai thotë që aktet e orkestruara të linçimit, nuk kanë karakter shqiptarë.

“Madje ajo e tha, i akuzuar, edhe pse i njëjti tashmë është i dënuar. Znj. Deliu, në asnjë moment, nuk ka shprehur ndonjë fjalë, e cila kishte me qenë e padrejtë dhe që tregon se ajo i cilëson ata si terrorist”, përfundoi Leon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat