Vrasjet për konflikte nuk kryhen në formën e tillë / Rasti i Gllogjanit

Politika

Vrasjet për konflikte nuk kryhen në formën e tillë / Rasti i Gllogjanit

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 30 nëntor 2021 Në ora: 08:12
Foto nga aksidenti në Deçan

Lot, dhembje, hidhërim dhe pezëm sot, mund të shihje ngado. Mijëra veta me pikëllim të thellë ia kanë dhënë lamtumirën e fundit tri viktimave të vrasjes makabre në Gllogjan të Deçanit.

Sot i është dhënë lamtumira e fundit dy nxënësve të fshatit Glogjan Genta Mustafaj dhe Ledion Hamzaj dhe shoferit të autobusit Gani Gjokaj nga Skivjani.

Më 16 nëntor një autobus derisa ishte duke bartur nxënës, duke u kthyer nga shkolla është qëlluar nga kallashnikovi në hyrje të fshatit Gllogjan të Deçanit. Sulmi ndodhi rreth orës 19:00.

Në këtë rast lëndime vdekjeprurëse pësuan drejtuesi i autobusit, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes dhe dy nxënës. Personi i katërt që u godit nga plumbat ende është në Spitalin Rajonal të Pejës, jashtë rrezikut për jetë.

Shoferi i autobusit, i cili u vra nga sulmi me armë zjarri që ka ndodhur në Gllogjan të Deçanit është varrosur sot. Ndërsa, në orën 14:00 është bërë edhe varrimi i vajzës 16 vjeçare dhe djalit 17-vjeç. I dyshuari i vrasjes së trefishtë ndodhet akoma në arrati.

Ndërsa, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se do të dhurojë 20 mijë euro shpërblim për personin që do të jep informacione që mundëson arrestimin e autorit/autorëve të vrasjeve në Deçan.

Kryeministri i vendit Albin Kurti ka folur për mundësinë e më shumë se një vrasësi, dhe se përkundër informacioneve të shumta, ende nuk ka një të arrestuar.

Për këtë ofrojmë një shpërblim prej 20.000 euro (njëzet mijë euro), për cilindo qytetar i cili mund të jep informacione të cilat shpijnë në zbardhjen ose zbulimin e këtij rasti”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit Kurti.

Lidhur me zhvillimin rreth hetimit për kapjen e autorit/autorëve për gazetën “Bota sot”, kanë folur edhe disa njohës të kësaj çështjeje.

“Ky akt mund të vijë nga shteti serb”

Juristi Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se ky rast nuk është as i pari dhe as i fundit, por tani dora gjakatare u shtri edhe ndaj fëmijëve.

Image
Muhamet Kelmendi

Ai shtoi se ky akt mund të vijë edhe nga ana e organeve të shtetit serb.

Krimi është akt makaber, rasti që ndodhi në Gllogjan nuk është i pari dhe as që do të jetë i fundit. Në Kosovë kemi me dhjetëra vrasje kriminale dhe akte të ndryshme terroriste të pa zbuluara nga organet e shtetit. Janë vrarë heronjtë e kombit shqiptar. Tash dora gjakatare u shtri edhe ndaj fëmijëve. Natyrisht se kryesit dhe shkaqet e veprave të tilla janë të nduarduarshme. Mund të ketë shkaqe të ndryshme, deri te hakmarrje e ultë. Megjithatë mbesin disa anë nga mund të vijë terrorizmi. Përkatësisht, ky akt makabër dhe terrorist mund të vijë nga ana e organeve të shtetit serb. Natyra e veprës është e tillë dhe nga ajo i dedikohet vetëm kriminelëve serbë. Vrasje të tilla kanë kryer kriminelët e shtetit serb me dhjetëra e me qindra herë në Kosovë”, potencoi ai.

Kelmendi ka shtuar se janë një numër i madh i rasteve të tilla të hartuara në Beograd, por që është e vështirë të zbulohet, sepse Serbia nuk i dorëzon.

Sipas Kelmendit, kjo ngjarje nuk do të mund të ketë ndodhur për shkak të hakmarrjes, sepse sipas tij, hakmarrjet apo konfliktet nuk kryhen në këtë formë të tillë.

Janë mbi 1.500 fëmijë të masakruar nën firmat e njëjta nga kriminelët e shtetit serb. Mos t’i harrojmë as vrasjet e të rinjve në Pejë në vitin 1998 nga policia serbe për t’iu mbetur shqiptarëve akti i tillë. Janë me dhjetëra planprograme të tilla kriminale të hartuara në Beograd. Nuk duhet lënë anash. Pista shkon këndej dhe këtu është shumë vështirë të zbulohet rasti, sepse kryesit veç gjinden në Serbi dhe shteti serb nuk i dorëzon. Shkaqet tjera, si hakmarrja familjare, vrasjet për konfliktet ekonomike apo konfliktet e rrugës, nuk kryhen në formën e tillë dhe praktika nuk e dokumenton këtë”, shtoi Kelmendi.

Është dashur të mbyllen kufijtë, të izolohen manastiret

Tutje deklaroi se është dashur që të kemi bllokim të kufijve, madje edhe të manastireve ortodokse serbe, pasi që vrasësi mund të jetë fshehur në këto vende.

Më tej ai tha se vendi ku është bërë krimi, tregon se ka të bëjë me hakmarrje, sepse Serbia nuk i harron humbjet nga UÇK-ja.

Që çështja të merrte kahjen e duhur ka qenë vetëm bllokimi i vendit, komunës dhe të manastireve ortodokse serbe dhe të vendbanimeve, ku me siguri ka gjetur strehim vrasësi. Po kështu është dashur në moment të kemi bllokim të kufijve dhe të qendrave të ndryshme nga mendohet se vijnë krimet. Nuk e di se si dhe sa është bërë dhe zhvilluar kjo masë e bllokimit dhe të kontrollit të territorit dhe të qendrave të dyshimta. Vetë vendi ku është kryer krimi tregon një hakmarrje kriminale serbe ndaj heronjve dhe veprave madhështore të qytetarëve të Gllogjanit. Nuk mendohet se Serbia i harron humbjet nga radhët e UÇK-së të udhëhequra nga vëllezërit Haradinaj dhe luftëtarët tjerë. Vrasjet e tilla janë bërë edhe ndaj të tjerëve. Serbia vepron”, përfundoi ai.

“Përmes shpërblimit financiar të kërkohet ndihmë nga qytetarët”

Eksperti i sigurisë Drizan Shala, ka potencuar se nëse brenda 78 orëve nuk mund të identifikohet kryesi i këtij akti, atëherë duhet të publikohet fotografia e të dyshuarit.

Image
Drizan Shala

Sipas Shalës, institucionet kanë kapacitet që të bëhet shpejt hetimi për të kapur personin e dyshuar.

Në rend të parë duhet pritur hetimet dhe rezultatet e tyre të para, e që në rastin tonë pas 78 orësh duhet të identifikohet kryesi i mundshëm i aktit makabër, dhe nëse nuk mund të gjendet personi, atëherë të publikohet fotoja e të dyshuarit. Ndërsa, është e mundur që të ofrohet edhe para për të kapur kryesin, kjo është faza ku shteti nuk ka kapacitete për të kapur dhe kërkon ndihmën e qytetarëve përmes shpërblimit financiar për informacion. Por, institucionet tona kanë të gjitha kapacitet për të ofruar profesionalizëm hetimi për të kapur personin e dyshuar dhe kjo të bëhet shpejt. A është vepër e planifikuar a jo kjo duhet të pritet vlerësimi nga ekipi hetimor që është duke u marrur me rastin në fjalë”, ka potencuar Shala.

“Të prangosen sa më parë nga Prokuroria speciale”

Ndërsa analisti politik Islam Krasniqi, ka deklaruar se institucionet nuk duhet të ndalen deri në gjetjen e kriminelëve. Sipas tij, ky sulm është i planifikuar, madje nëse bazohemi në të kaluarën, arsyeja e kësaj mund të jetë linja e autobusëve, siç kanë ndodhur edhe disa raste të tilla më parë.

Image
Islam Krasniqi

Është një rast shumë i shëmtuar, i cili nuk ka asnjë justifikim, e që nuk e arsyeton asgjë, kur familja i pretë fëmijët që të kthehen nga shkolla e që ata kthehen në arkivol. Institucionet e drejtësisë kanë filluar hetimet duke i ndjekur çdo pistë të mundshme ku mund t'i gjejë akterët e këtij sulmi makabër, që shtiu me armë zjarri mbi fëmijët, të cilët po kthehen nga shkolla, e që nuk duhet të ndalen për asnjë moment deri në kapjen e atyre kriminelëve që festën e Nëntorit na e kthyen në zi. Ky sulm është i planifikuar, por nuk mund të dimë arsyet se çka e solli deri këtu. Por, nëse bazohemi në të kaluarën ndoshta mund të ketë qenë për linjën e autobusit, siç e kemi pasur një rast në Prizren apo edhe në Skenderaj, por prokuroria speciale e Republikës së Kosovës duhet sa më parë t’i prangos këta akterë të këtij sulmi, e jo të mbetet kjo lëndë siç ka mbetur lënda e z.Pista, i cili u vra dhe kryesit janë të lirë”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat