Ëndrrat serbe për ndarjen e Kosovës nuk do të mbijetojnë me Bidenin!

Politika

Ëndrrat serbe për ndarjen e Kosovës nuk do të mbijetojnë me Bidenin!

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 2 dhjetor 2021 Në ora: 12:05
Presidenti Joe Biden

Ndryshimi i kufijve të Kosovës, në kohën kur president i Republikës ishte Hashim Thaçi, mori hov të madh, por për fatin e mirë u ndalua. U ndalu dhe u këput procesi negativ me arrestimin e Hashim Thaçit.

Mirëpo, ka dyshime se ende është duke u diskutuar në tavolina diku ideja e ndryshimit të kufijve.

Kjo ide, përveç në Kosovë e Serbi, ishte diskuar në BE e më gjerë, madje deri në SHBA.

“Ndarja e Kosovës ide e Thaçit dhe Vuçiq”

John Bolton, ish-këshilltari për Siguri Kombëtare i presidentit të Amerikës, Donald Trump, kishte thënë se ndarja e Kosovës, ishte ide e Hashim Thaçit dhe e Aleksandër Vuçiqit.

Një goditje të fuqishme kësaj ideje, ia kishte dhënë edhe Ramush Haradinaj, në kohën kur ishte Kryeministër i Kosovës.

Ai shumë herë ndryshimin e kufijve apo shkëmbimin e territoreve e kishte quajtur “ftesë për tragjedi të reja në Ballkan”.

Haradinaj madje ishte i shprehur i gatshëm për luftë nëse ndodhë një gjë e tillë, në kohën kur Thaçi mbante takime sekrete me Vuçiqin.

“Diskutimi i vazhdueshëm publik mbi ridizajnimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve është një ftesë për tragjedi të reja në Ballkan, i cili çon në destabilizim, pasiguri dhe rrezikon investimet afatgjata politike dhe të sigurisë për stabilitetin dhe paqen në Kosovë dhe rajon”, deklaronte Haradinaj, ndërsa u bënte thirrje institucioneve ndërkombëtare që ta kundërshtonin një ide të tillë.

Por, ai nuk sillej kështu pas dorëheqjes dhe rënies së qeverisë së tij.

Në një intervistë për gazetën tonë “Bota sot”, Sonja Biserko, deklaron se ende është në tavolina ideja për ndarjen e Kosovës, ndërsa përmend dy emra të njohur që lobojnë në favor të Serbisë për këtë ide (të paguar nga ajo), ish ndërmjetësuesi amerikan Riçard Grenell dhe eksperti britanik Timothy Less.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka rideklaruar se ideja e ndryshimit të kufijve do të mund të gjente zbatim vetëm nëse do të mandatohej nga Kombet e Bashkuara ose një institucion tjetër.

"Ndryshimi i kufirit është i mundur vetëm nën mandatin e Kombeve të Bashkuara ose të ndonjë institucioni tjetër", ka thënë Vuçiq.

Po këtë vit, mediat në rajon, por edhe më gjerë, kanë shkruar për idetë për ndryshimin e kufijve të vendeve në rajonit të Ballkanit si mundësi për të zgjidhur çështjet e mbetura si të pazgjidhura nga procesi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

SHBA-ja dhe Gjermania kundër ndryshimit të kufijve

Me ardhjen e presidentit Joe Biden në krye të SHBA-ve, procesi mori një rrjedhë tjetër. U ndal diplomacia kundër kufijve të Kosovës, dhe u rikthye në shtratin e saj, ‘kufijtë e Kosovës’ janë të paprekshëm. Këtë e ka deklaruar gjatë fushatës së tij, e konfirmuar pas inaugurimit, në letrën dërguar presidentes Osmani, dhe në intervistimin nga Senati të ambasadorit të ri amerikan, Jeffrey M. Hovenier, i cili e ka marrë përsipër pikërisht të negociojë dhe mbështesë diplomacinë dhe qëndrimet e z.Biden për Kosovën.

Disa shtete të BE-së, e më së shumti Gjermania, janë shprehur kundër ideve të tilla duke i quajtur si të rrezikshme. Ato janë refuzuar nga kancelarja Merkel, dhe ministri i Jashtëm Heiko Mas, politika që i ka marrë përsipër t’i zbatojë edhe qeveria e re gjermane.

“Gjermania kundërshton çdo ide apo propozim për ndryshim të kufijve në rajon”, kishte deklaruar ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas.

Presidentja Osmani kundër “non-papers”

Edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ishte deklaruar për këtë çështje.

Ajo ishte shprehur se Serbia është burimi i dokumenteve të ashtuquajtura “non-papers”, që kanë përbrenda ide destabilizuese për rajonin e Ballkanit.

“Non-papers” të tillë, lëre që refuzohen nga ana jonë, por as nuk do të mund t'i përcaktojnë̈ veprimet tona e as mbarëvajtjen e dialogut. Leximi i kujdesshëm i këtyre “non-papers” dhe idevë që prezantohen aty (siç janë ndryshimi i kufijve, krijimi i regjioneve autonome apo pushteteve të treta) tregon qartë se kush është hartuesi i vërtetë i këtyre dokumenteve”, kishte deklaruar Osmani.

Kurti: Është interes i Federatës Ruse ta përdor Ballkanin Perëndimor

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte deklaruar duke thënë se, dokumentet “non paper” të publikuara në nga mediat në Ballkan, mund ta kenë prejardhjen nga Beogradi dhe Moska.

“Nuk besoj që autorët e këtyre janë kryeqytetet perëndimore, sigurisht që jo SHBA-ja dhe as ato evropiane. Besoj që kjo vjen nga Beogradi dhe verilindja. Është interes i Federatës Ruse ta përdor Ballkanin Perëndimor për të sulmuar Bashkimin Evropian dhe NATO-n”, ishte shprehur Kurti.

Tali: Serbia ka për synim ta kthejë sundimin e saj

Image
Driton Tali, këshilltar i kryeparlamentarit Glauk Konjufca.

Në lidhje me ndryshimin e kufijve dhe zvarritjen e dialogut Kosovë-Serbi nga shteti serb, është deklaruar Driton Tali, këshilltar i kryeparlamentarit Glauk Konjufca.

Tali thekson se Serbia nuk është gati për njohjen e Kosovës, dhe me ndryshimin e kufijve synon të kthejë sundimin e saj.

“Kjo Serbi aktuale, me këtë "model kulturor" nuk do ta njeh Kosovën, dhe pikë! Sepse nuk është gati. Prandaj, me ndryshim të kufijve apo pa ndryshime të kufijve, për synim ka ta kthejë sundimin e saj, edhe atë jo vetëm në Kosovë, por në tërë të ashtuquajturën "Botën serbe". Shih si sillet me Malin e Zi, Bosnjën e Kroacinë. Shi për këtë ajo luan herë me Rusinë, e herë me Union Europian, e herë me NATO-n, duke i prolonguar proceset me shpresë se me futjen e fuqishme në skenë të Kinës, në të ardhmen jo të largët, gjeopolitika do të ndryshojë në favorin e saj”, thotë Tali për gazetën “Bota sot”.

Ai thekson se, këtë edhe e thonë haptazi udhëheqës politikë e analistë të ndryshëm serbë në debatet publike, "duhet pritur që kjo botë unipolare - e dominuar nga e vetmja fuqi ShBA - të shndërrohet në botë multipolare me Rusinë e Kinën".

“Kosova e ka vetëm interesin e saj”

Tali për gjendjen aktuale të bisedimeve ua lë fajin qeverive të kaluara. “Duhet theksuar se edhe qasja inferiore e palës kosovare në të kaluarën, e cila në vazhdimësi bëri kompromise për t'ia plotësuar dëshirat Serbisë si bie fjala me eksterritorialitet, decentralizmin etnik, "diskriminimin pozitiv", Gjashtë Pikat e Ban Ki Munit, Ahtisari Plus, Zajednica, Komunat e Rankoviqit, ndarjen.., e inkurajonte Serbinë që edhe më shumë të lazdrohej. Andaj, kjo Qeveri duke e pasur të qartë situatën, por edhe për faktin se nuk mund të shantazhohet me këtë gjykatë apo atë gjykatë, e ka hartuar një strategji kryekëput për interesat e Republikës së Kosovës, si palë e barabartë në këtë proces”, potencon ai.

Sipas tij, kjo Qeveri nuk do të jetë "peshk i artë" i cili plotëson dëshira, “por palë reciproke, e cila e shikon vetëm (dhe vetëm!!!) interesin e Kosovës”.

Qarri: Ndryshimi i kufijve ka lindur nga Hashim Thaçi

Image
Analisti politik, Gani Qarri

Edhe analisti politik, Gani Qarri e komenton ndryshimin e kufijve, ku thotë se, ideja për këtë ka lindur nga Hashim Thaçi.

“Në fakt ndryshimi i kufijve, publikisht ka lindur me insistimin e kuislingut Hashim Thaçi, si temë qysh në korrik të vitit 2018, në forumin ballkanik të mbajtur në Alpbach të Austrisë, ku vet ai, atëherë ish president i Kosovës, në konferencën e mbajtur para kamerave televizive kërkoi edhe ndihmën e ndërkombëtarëve për ndryshimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nga ana tjetër, duke njohur historinë tragjike të luftërave të shpeshta për territore në këtë pjesë të Evropës, ashtu siç deklaronin edhe faktorët e huaj, ndryshimi i kufijve të Kosovës, në një rajon të ndjeshëm si Ballkani Jugperëndimor, mund të çoj në kriza të reja dhe lëvizje kufijsh edhe të shteteve tjera për rreth, dhe të eskalojë në një luftë të rrezikshme për gllabërime territoresh, njëjtë siç ka ndodhur edhe në luftërat e përgjakshme ballkanike apo edhe më herët, qysh nga vitit 1878 e këtej, kur edhe filloi tkurrja praktike e territoreve shqiptare dhe okupimi i tyre nga shtetet hegjemoniste fqinje, që nga Serbia e Mali i Zi, deri te Bullgaria dhe Greqia”, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.

“Edhe Trump ishte pro ndryshimit të kufijve”

Ai pretendon se për ndryshimin e marrëveshjeve, ishte edhe ish-presidenti amerikan Donald Trump. “Por, me gjithë faktin që për Kosovën ndarja është rruga më e keqe dhe tragjike e shkatërrimtare, duke pasur parasysh se edhe në memorandumin e ish presidentit Trump, dërguar Vuçiqit dhe Thaçit rreth 2 vite më parë, thuhej se, "ju tani jeni një hap larg marrëveshjes", kjo nënkupton se fatkeqësisht, jo vetëm John Bolton e Richad Grenelli, por edhe vet Trumpi, në parim ishin pajtuar për një marrëveshje me ndryshim të kufijve. Për aq më keq, me porosinë e Hashim Thaçit edhe ministrat e Qeverisë së PAN-it, si Dhurata Hoxha paguan edhe firma të huaja, për promovimin e ndarjes së Kosovës, në Evropë dhe botën mbarë”, thotë ai.

Analisti thekson se Kosova shpëtoi nga ndarja me shkuarjen e Thaçit në Hagë dhe me ardhjen e Joe Biden në krye të Amerikës.

Zvarritja e dialogut

Sipas tij, Serbia qëllimisht po e zvarritë dialogun, me shpresë se pas disa vitesh në Shtëpinë e Bardhë do të vijnë mbështetës të interesave të saja. “Kështu që, pikërisht për këtë qëllim Serbia edhe po e zvarritë vazhdimin e dialogut, për ta shty sa më tej procesin e marrëveshjes obligative me njohjen reciproke ndërmjet të dy vendeve, me shpresën se pas presidentit Joe Biden, në Shtëpinë e Bardhë, mund të vij përsëri dikush si Donald Trump, i cili do ta mbështeste ndryshimin e kufijve të Kosovës, për faljen e Veriut dhe pjesëve më vitale të vendit tonë, Serbisë okupatore, ashtu siç pretendon edhe krimineli Aleksandër Vuçiq tash e sa vite me radhë”, thotë ai.

Kosova të arrijë marrëveshje me Serbinë në mandatin e Joe Biden

Qarri potencon se, Kosova duhet të insistojë që të arrijë marrëveshje me Serbinë gjatë mandatit të Joe Biden.

“Por parë nga vet rrafshi real dhe praktik, Republika e Kosovës, përbëhet nga mbi 95% të popullsisë unike me shqiptar autokton, ndaj përkundër të gjitha tradhtive, e ndërskamcave të brendshme e të jashtme nga kuislingët si Thaçi me shokë dhe mbështetësit e tyre ndërkombëtar, me ndihmën e SHBA-ve dhe miqve tanë evropian, Kosova jo vetëm që ka arritur ta konsolidoj shtetësinë e vet në përmasa të qëndrueshme, por do ta mundë edhe tendencën e Serbisë okupatore, për ndarje, sepse ndarja e Kosovës, do të nxiste edhe ndarjen e vendeve fqinje, për shkak të shtrirjes së shqiptarëve në disa shtete në rajon, ndaj Qeveria e Kosovës duhet të insistoj që marrëveshja me Serbinë, të arrihet gjatë mandatit të mikut më të madh të shqiptarëve, presidentit Joe Biden, në Shtëpinë e Bardhë”, përfundon Gani Qarri.

Përgjigja kundër ndryshimit të kufijve

Ndërsa, përgjigja e vetme ndaj rritjes së nacionalizmit dhe idesë së ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor është zgjerimi i Bashkimit Evropian dhe BE-ja ka përgjegjësinë t’i përkushtohet më mirë se tani, ka deklaruar të dielën presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor gjatë vizitës në Serbi.

“Përgjigja e vetme ndaj rritjes së nacionalizmit dhe idesë së ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor është zgjerimi i Bashkimit Evropian dhe BE-ja ka përgjegjësinë t’i përkushtohet më mirë se tani. Është çështje paqeje dhe sigurie, këto mund të jenë procese të pakthyeshme, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm, tani, sot”, tha Pahor, duke shtuar se për këtë ndodhej në Beograd, javën që shkoi.

Kurse, i ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pas takimeve që zhvilloi në Prishtinë të enjten e shkuar u shpreh, se udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë janë shprehur të gatshëm të vazhdojnë procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Por, më e rëndësishmja sipas tij, është që të sigurohen rezultate nga ky proces.

Kosova e Serbia të arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse

Vizita e tij në Beograd dhe Prishtinë ishte përpjekja e radhës për të organizuar një takim të ri ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian javën e shkuar bënë thirrje për “angazhim konstruktiv në dialog të Kosovës dhe Serbisë për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

Megjithatë ka kohë që dialogu i nivelit të lartë politik Kosovë-Serbi ka ngecur për faktin që palët kanë qëndrime të ndryshme se për çfarë duhet të diskutohet në tavolinën e bisedave.

Kurti kundërshton Asociacionin

Kosova kërkon që në këtë fazë të diskutohet ҫështja e personave të zhdukur, ndërsa Beogradi kërkon që Prishtina ta themelojë asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kryeministri Albin Kurti në vazhdimësi e kundërshton këtë ku thekson se, Asociacioni “është i paimplementueshëm për faktin që këtë nuk e lejon Kushtetuta e Kosovës”.

Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është pjesë e një marrëveshjeje që është arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi.

Dy vjet më pas, në vitin 2015, palët kishin arritur edhe një marrëveshje për parimet e themelimit të këtij Asociacioni.

Por Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, ndonëse thotë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Dialogu Kosovë-Serbi për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve ka filluar qysh në vitin 2011.

Që nga ajo kohë janë arritur një sërë marrëveshjesh, por shumica prej tyre nuk janë zbatuar në praktikë nga Serbia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat