U vranë me kallashnikov, u arrestuan edhe tre persona/ Kjo është kërkesa e ekspertit të sigurisë për vrasjen e Gllogjanit!

Politika

U vranë me kallashnikov, u arrestuan edhe tre persona/ Kjo është kërkesa e ekspertit të sigurisë për vrasjen e Gllogjanit!

Nga: N. Sh. Më: 13 dhjetor 2021 Në ora: 15:52
Kreshnik e Malsor Mehmetaj

Tre persona janë arrestuar për vrasjen e trefishtë që ndodhi dy javë më parë në Deçan.

Policia e Kosovës ka arrestuar Halil Mehmetaj dhe dy djemtë e tij, Kreshnikun dhe Malsorin.

Të arrestuarit dyshohet se kanë lidhje me privimin nga jeta të shoferit Gani Gjokaj dhe dy nxënësve Genta Mustafaj dhe Ledion Hamzaj në Gllogjan.

Sipas njoftimeve, Policia e Kosovës, po kërkon edhe autorin e vrasjes në Gllogjan.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, ka bërë të ditur se prokurorja e çështjes e ka parashtruar kërkesën për masën e paraburgimit për tre personat e dyshuar.

“Tre pesona janë të ndaluar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, dhe plagosjen e një personi. Me ç’rast prokurorja e rastit brenda afatit ka parashtruat kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit. Këtë kërkesë e ka elaboruar në seancën e sotme dhe shpresojmë që gjyqtari të merr vendime në lidhje me këtë kërkesë”, ka thënë Zëdhënësi i Prokurorisë.

“Çështja është e ndijshme, andaj duhet të jemi të rezervuar për çështjen”, tha ai.

Pyetur se të arrestuarin a janë të ndaluarën “për bashkë-kryerje të veprës, apo për vepra të kryera veçmas”, Nikçi tha se “ajo që mund të them është se të njëjtin dyshohen për veprën vrasje e rëndë dhe armë-mbajtje pa leje”.

Ndërsa, gjatë ditë së diel, në emër të familjes Mehmetaj nga Deçani, ka reaguar Kastrioti.

Ai përmes një postimi në Facebook e ka mohuar në mënyrë eksplicite se familjarët e tij janë fajtorë, duke thënë se “babai dhe dy vëllezërit e tij janë të pafajshëm”.

“Babai ka dhjetëra bashkëfshatarë dëshmitar që ka qenë me të kur ka ndodh tragjedia”, ka shkruar Mehmetaj në Facebook.

Sipas tij, “vëllai Malsori ka qenë në një vend të punës në Gjakovë kur rasti ka ndodhur” dhe se “këtë mund ta dëshmojnë edhe kamerat”.

Vëllai i madh posedon fakte që ka qenë i operuar, kemi qenë të dytë bashkë në shtëpi”, shtoi ai.

Image
Hajrullah Tërnava

Për këtë çështje, eksperti i sigurisë në Kosovë, Hajrullah Tërnava paralajmëron se mbledhja dhe sigurimi i provave të dëshmive rreth këtij krimi ka ndodhur me vonesë, andaj shton se, rreziku që edhe ky rast të mbetet i pa zbuluar sikurse shumë raste të tjera në Kosovës ekziston.

Tërnava tregon se, në rrethanat ku kryhet një krim, Policia duhet të dal sa më parë në vendin e ngjarjes për të siguruar vendin së bashku me prokurorin dhe kryeteknikun.

Sipas tij, në vendin e ngjarjes duhet të dilet sa më parë sa janë dëshmitë, apo gjurmët e freskëta për të ardhur sa më shpejt të zbulimi i vrasjes.

Kur ndodhin krime të kësaj natyre, sikur në Gllogjan dhe intervenohet me kohë për t’i zënë gjurmët e freskëta, shpesh ndodhë që aty për aty të merren provat e mjaftueshme, kur gjithçka rrjedh ashtu si duhet, edhe zbulohet rasti-krimi, në bazë të fakteve dhe dëshmive të freskëta dhe sa nuk janë të dëmtuara ato dëshmi. Intervenimi për të gjetur prova dhe fakte duhet të jetë i shpejtë, sepse kur ndodh një krim, aty pari sillen edhe shumë personalitete nga kureshtja që vendi i ngjarjes frekuentohet dhe vjen deri te përzierja edhe me dëshmi tjera, dhe në disa raste edhe vepër kryesi mund të kthehet që t’i dëmtoj ato fakte të vendit të ngjarje”, shprehet Tërnava.

Ai tregon se, në kriminalistikë thuhet që vepër kryesi i pari kthehet në vendin e ngjarjes që t’i humb apo dëmtoj dëshmitë e rastit, dhe kjo sipas tij, është një përvoje e argumentuar.

“Në bazë të situatës të tanishme sikur që po zhvillohet, ku janë të vrarë tre persona, dhe deri me tani nuk kemi fakte se është zbuluar rasti, përveç atyre që u arrestuan, por që vrasësi i vërtetë dyshohet të ketë ikur, gjithnjë e më shumë po vështirësohet situata e sidomos kur s’kemi dëshmitar që ishin të pranishëm gjatë kryerjes së krimit. Vetë prokurorja e rastit ka thënë se kanë disa indikacione, të cilat janë duke i gjurmuar dhe janë duke ecur përpara që t’i vërtetojnë, por janë disa rrethana që tregojnë se nuk do ta kenë të lehtë, por janë optimistë se do ta bëjnë zbardhjen. Edhe për këto raste nëse bëhen zbardhjet e këtyre veprave kriminale të vrasjeve, institucionet e Kosovës që punojnë në zbardhjen e këtyre rasteve, do ta dëshmojnë fuqinë e hetimit dhe zbardhjes së këtyre rasteve të zbuluara, por edhe aftësinë e të gjitha institucioneve të sigurisë, sepse një proces hetimor si rasti i Gllogjanit, kërkon prokurorë që kanë përvojë dhe eksperiencë, për ekspertizë, dhe pavarësi, të plotë, si dhe guxim dhe vullnet të hekurt për ta trajtuar këtë rast me profesionalizëm, efikasitet dhe integritet”, thotë ai.

Tërnava thekson se, një prokuror profesional, apo në këtë rast ekip prokurorësh, duhet të veprojnë me guxim që t’i identifikojnë dëshmitarët dhe t’iu kërkojnë që mos të deklarohen në publik ose për media në lidhur me atë që ka ndodhur në vendin e ngjarjes, ose mos të publikojnë ndonjë informacion që mund të dëmtojnë apo pengojnë hetimet.

“Një prokurori serioz në këtë rast do të duhet të vepron 24 orë pa ndalim në sigurimin e burimeve të besueshme të informatorëve, dhe deklaratat e dëshmitarëve do të duhej të deponoheshin e krahasoheshin në polici dhe prokurori, e assesi nëpër studio televizive. Nëse ndodhë zbulimi i këtij rasti në këto rrethana të rënduara që tani po i vërejmë, edhe kjo përvojë dhe këto fakte do të jenë një nga provat më të rënda të nxjerrjes së krimit para drejtësisë, kurse në të kundërtën nëse nuk zbulohen këto vrasje, mjerisht do të mbetet vetëm edhe një dosje e pa zbuluar, sikur edhe shumë tjera nga ato të kaluarat”, shprehet ai.

Eksperti thotë se, sipas një publikimi të IKD për krimet e rënda, vrasje të pa zbuluara, që nga viti 1999 deri 2020, janë bërë mbi 450 vrasje në Kosove që akoma nuk janë identifikuar dhe dënuar kryesit e këtyre veprave penale të vrasjes.

“Në bazë të këtyre fakteve të mos zbulimit të krimeve, po dëshmohet se shumë raste të zbulimit të vrasjeve kanë dështuar edhe për shkak të neglizhencës dhe pakujdesisë së ekipit të hetimeve, pasi që jo rrallë herë provat materiale që paraqesin korpus delicti merren në vendin e ngjarjes me dorë pa dorëza, dhe për këtë shkak mund të humbin vijat papilare që paraqesin prove kruciale për zbardhjen e rastit. Kur flasim për gëzhojat që gjinden në vendin e ngjarjes sikur në këtë rast që janë gjetur 7, edhe ato duhet të merren me dorëza dhe secila nga to duhet të vendosen në qese të veçanta veç e veç, e jo sikur që po veprohet të gjitha në një qese, kjo për faktin se gëzhojat kanë sipërfaqe të përshtatshme ku mbeten vijat papilare të gishtave të duarve të kryesit të veprës penale”, tregon eksperti.

Ai shton se, zbulimi i këtyre vrasjeve, sikurse rasti i Gllogjanit, Policisë do t’ia kthente reputacionin pozitiv.

Sulmi ndaj autobusit kishte ndodhur rreth orës 19:00 më 26 nëntor nga një person i maskuar i cili kishte nxënë pritën autobusit, duke i dalë përballë dhe shtënë me breshëri në drejtim të tij.

Raporti i policisë tregoi se dyshimet e para janë se sulmuesi që lëshoi breshëri plumbash, aktin e kreu me një armë të tipit AK-47, apo siç njihet ndryshe si kallashnikov.

Më 28 nëntor, në fshatin Gllogjan të komunës së Deçanit, iu është dhënë lamtumira e fundit dy nxënësve dhe shoferit të autobusit që u vranë në sulmin e ditës së premte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat