Mësojeni të vërtetën e kompanisë gjermane Bilfinger – kush ishte i përfshirë në këtë projekt?

Politika

Mësojeni të vërtetën e kompanisë gjermane Bilfinger – kush ishte i përfshirë në këtë projekt?

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 28 janar 2022 Në ora: 17:59
Foto ilustrim

Ka disa javë që në Kosovë, temë diskutimi është bërë zgjidhja e problemit të energjisë elektrike.

Ky problem është aq i madh, sa që, edhe Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë, për të gjetur një ‘formulë’ për daljen nga kriza.

Edhe propozimi për rritjen e faturave të rrymës për shkak të kësaj krize ka ngjallur reagime të ashpra në vend, madje qytetarët kanë mbajtur edhe protestë.

Shkak i krizës energjetike është përmendur edhe mos shfrytëzimi i mundësisë së shumë përfolur i projektit të rehabilitimit të katër blloqeve të Termocentralit Kosova A nga pesë sa i ka, të kompanisë gjermane Bilfinger.

Kurti: Eh sikur ta kishim tash TC ‘Kosova A’

Disa ditë më parë kryeministri i vendit Albin Kurti kur njoftoi për rikthimin e bllokut B2 në punë tha “me fjalë tjera, për çdo orë do t’i paguajmë rreth 50 mijë euro import më pak, e deri nesër në mëngjes rreth 1,2 milion euro më pak se gjatë ditëve të javës që po lëmë pas. Ky është lajm shumë i mirë për të gjithë neve. Eh sikur ta kishim tash TC ‘Kosova A’ të rindërtuar nga Bilfingeri gjerman dhe blloqet B3 dhe B4 me nga 300 MW fuqi secila”.

Por, ishte ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, që reagoi ndaj Kurtit.

Mustafa në një postim në facebook ka thënë se kompania gjermane Bilfinger nuk ka ofruar asgjë më shumë sesa 15-20 faqe Powerpoint.

Ai ka thënë se kjo është e vërteta për këtë firmë dhe zhurmën që po bëhet për investimet e saj në rindërtimin e Kosova A e që po vazhdon ende në Kuvend.

Mustafa: Bilfinger është treguar e painteresuar

“Është e vërtetë se në takimin tim, si Kryeministër me Kancelaren Merkel, më 30 qershor 2015, ndër çështjet e rëndësishme shtroi edhe rindërtimin e Kosova A përmes firmës Bilfinger. Unë shpreha gatishmërinë e plotë ta zhvillojmë këtë projekt. Me angazhimin e Kancelares, të njëjtën ditë, në orët e mbrëmjes, kemi organizuar takim me përfaqësuesit e Bilfinger në Berlin. Kemi kërkuar ta konkretizojnë propozimin e tyre, koston e investimit, kapacitetin dhe burimet e financimit”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij përfaqësuesit e Belfinger u zotuan se do të informojnë brenda 15 ditëve, por nuk kanë informuar asnjëherë edhe përkundër insistimit të vazhdueshëm të kabinetit të tij.

“Duke pasur parasysh lidhjet ekonomike me Gjermaninë dhe teknologjinë gjermane në gjenerimin e energjisë elektrike në Kosovë, ne kemi qenë të interesuar që projektin ta realizojmë së bashku me ta, por kompania Bilfinger është treguar krejtësisht e painteresuar. Krahas kësaj ne kemi vazhduar me Kosovën e Re”, ka shkruar Mustafa.

Bosch i reagoi ish-kryeministrit

E kësaj deklarate të Isa Mustafës i është kundërpërgjigjur, ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch.

Ish-ambasadori holandez e ka cituar statusin e Mustafës në Facebook, duke thënë se ato që ka shkruar Mustafa janë të pavërteta.

“Për fat të keq, e pavërtetë. Unë isha i përfshirë personalisht dhe ne, ambasada gjermane dhe ambasada holandeze, bëmë gjithçka për ta bindur qeverinë se përmirësimi i katër nga pesë njësitë ishte i realizueshëm dhe relativisht i lirë, por asgjë, asgjë nuk ndodhi. Një mundësi e humbur që energjia për relativisht pak para të sigurohej duke filluar nga periudha rreth viteve 2017/18”, ka shkruar Bosch.

Pas kësaj, ishte përsëri Isa Mustafa që i reagoi ish-ambasadorit holandez në Kosovë, Robert Bosch.

Kërkesa e Mustafës për Bosch

“S’dëshiroj të merrem me Ambasadorin Bosch, por dua të nënvizoj edhe njëherë se nga Bilfinger nuk na është ofruar asgjë më shumë sesa disa faqe të pamjeve të blloqeve të Kosova A në Powerpoint”, ka deklaruar Mustafa.

Mustafa ka kërkuar nga ish-ambasadori Bosch që ta prezantojë para opinionit dokumentacionin e “Bilfinger-it”.

Ai thotë se si Kryeministër nuk e ka parë asnjëherë këtë dokumentacion, pasi sipas tij, nuk i është prezantuar.

“Ndryshe, pasi Bosch po paraqitet si mbret i të vërtetës le të prezantojë para opinionit dokumentacionin e Bilfingerit me studim të fizibilitetit, me kosto dhe burime të investimit, me saktësim se a do të jenë pajisjet e reja apo të përdorura që do të montohen në Kosova A, me burime të financimit dhe normë të kthimit të investimit. Unë këtë dokumentacion si kryeministër nuk e kam parë kurrë, sepse nuk na është prezantuar”, ka deklaruar Mustafa.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat