“I akuzuar për 100 vrasje, e pret errësira”/ Paralajmërohet dënimi i rëndë për Hashim Thaçin

Politika

“I akuzuar për 100 vrasje, e pret errësira”/ Paralajmërohet dënimi i rëndë për Hashim Thaçin

Nga: P.R Më: 28 janar 2022 Në ora: 19:59
Hashim Thaçi

Gjatë ditës së djeshme, Gjykata Speciale ka njoftuar se ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, i është vazhduar masa e paraburgimit.

Në njoftimin e Speciales, ndër tjerash është konstatuar se rreziku për pengim të procesit gjyqësor “mund të zvogëlohet mjaftueshëm vetëm nëpërmjet rregullave për monitorimin e komunikimeve, që zbatohen në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara”.

“Në çështjen Thaçi dhe të tjerët, Gjykatësi i Procedurës Paraprake të martën, më 25 janar, e dorëzoi versionin e redaktuar publik të vendimit me të cilin urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Thaҫit. Gjykatësi i Procedurës Paraprake konstatoi se rreziku që i akuzuari të pengojë procesin gjyqësor apo të kryejë krime të tjera mund të zvogëlohet mjaftueshëm vetëm nëpërmjet rregullave për monitorimin e komunikimeve që zbatohen në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara”, thuhet në njoftimin e Speciales.

Pas këtij vendimi të Speciales, për Hashim Thaçin po parashikohet një dënim i rëndë. Së paku kështu thotë analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri.

Image
Gani Qarri

“Vet emërtimi i trishtë i grupit të Thaçit me shokë, si “Ndërmarrje Kriminale”, akuza epike për mese 100 vrasje, torturë, detyrim e keqtrajtime dhe mbi 300 dëshmitarët e paralajmëruar për rastin e tyre, dëshmojnë se sa maratonik do të jetë gjykimi dhe sa i rëndë e i pa-parashikueshëm dënimi për ta, nga Gjykata Speciale në Hagë. Prandaj kjo duhet të ketë qenë edhe arsyeja kryesore që shefja e Informimit dhe Komunikimit Publik në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), Angela Griep përmes platformës online “Zoom”, ka bërë të ditur se Gjykata e Specializuar, ia vazhdoi serish masën e paraburgimit ish-presidentit Hashim Thaçi”, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, nëse do të ekzistonte shteti ligjor në Kosovë, Hashim Thaçi do të burgosej e do të dënohej qysh moti.

“Për aq më tepër duke pasur parasysh faktin se Thaçi, për bashkëmendimtarët dhe rrjetin e kriminalizuar të SHIK-ut ilegal nuk është thjeshtë vetëm emër, por një strukturë e tërë e mirë organizuar, e shtrirë dhe ndër-rrjetëzuar në përmasa shtetërore, në mbarë Kosovën, e bën tërësisht të pamundshëm lirimin e tij, nga droja për ndikimin te dëshmitarët dhe frikën që do të përçonte lirimi i tij, edhe te familjet e viktimave. Në fakt sikur Kosova të ishte një shtet i mirëfilltë ku sundon rendi dhe ligji, Hashim Thaçi do duhej të ishte dënuar qysh moti nga drejtësia (inekzistente) e Kosovës”, shprehet Qarri.

Por pse do të duhej të dënohej Hashim Thaçi sipas Gani Qarrit?

“Dënimi i tij, medoemos do duhej të ndodhte, pikësëpari për faljen e 2500 hektarëve tokë të Kosovës më 2009 FYROM-it, shfuqizimin e Pavarësisë së shtetit tonë me vendosjen e "Fusnotës" dhe neutralizimin e statusit të saj, nënshkrimin e marrëveshjes për asociacionin kundër kushtetues një etnik serb, më 2013 nga Thaçi dhe më 2015 edhe nga Isa Mustafa, në kundërshtim me mbi 23 nene të Kushtetutës së Kosovës. Thaçi e Mustafa, i ofruan në mënyrë të kundërligjshme autonomi territoriale, “zajednicës” serbe, në katër qytete të Veriut me rrethinë pa siguruar asnjë dokument zyrtar që shqiptarët e dëbuar me dhunë, nga Veriu, të mund të kthehen në vatrat e tyre shekullore matanë Ibrit”, shpjegon ai.

Më tej, analisti Qarri deklaron se ishte pikërisht Thaçi ai që synoi ndarjen e Kosovës me Vuçiqin.

“Thaçi ishte ai i cili, për të plotësuar teket e kriminelit Aleksandër Vuçiq, i dërgoi letër edhe shefit të NATO-së, që FSK të mos guxojë të vendoset në veri të Kosovës. Thaçi paraqiti publikisht kërkesën, në Apbach të Austrisë për ndarjen e Kosovës, Thaçi autorizoi Dhurata Hoxhën ti paguante firmat e huaja për realizimin e ndarjes, Thaçi bashkë me Haradinajn & Co i falën edhe 8300 hektar tokë të Kosovës, Malit të Zi, me gënjeshtrat se po i liberalizonin vizat”, thekson Qarri për “Bota sot”.

Sipas Qarri, Gjykata Speciale e akuzon për më shumë se 100 vrasje “ndërmarrjen kriminale”, pjesë e secilës është edhe Hashim Thaçi.

“Madje ajo që është më e rënda, së fundi nga Gjykata Speciale Thaçi & Co, akuzohen edhe për qindra vrasje të para dhe pasluftës në Kosovë, të pazbardhura asnjëherë, asnjë prej tyre, tash e mbi dy dekada me radhë etj, etj... Ndërsa për tu bërë këto akte edhe më trishtuese dhe tërësisht të papërballueshme për familjet e viktimave shqiptare në Kosovë, për mëse 100 vrasje, akuza e Gjykatës Speciale rëndon pikërisht mbi të ashtuquajturën "Ndërmarrje Kriminale" pjesë e të cilës konsiderohet edhe vet Thaçi me shokë. Ndaj kjo duhet të jetë edhe arsyeja vendimtare, pse Thaçi & Co po mbahen të arrestuar dhe nuk po lirohen të mbrohen në liri, të paktën deri me fillimin e procesit të gjykimit në Hagë”, deklaron Qarri.

Për fund, Qarri parashikon një dënim të rëndë për Hashim Thaçin, për të cilin thotë se karriera politike ka marr fund.

“E për aq më keq, nëse vërtetohen lidhjet e Thaçit & Co me aktet dhe akterët e vrasjeve në Kosovë, jo vetëm që do të errësohet plotësisht karriera e tij politike dhe do të marr fund, por me siguri të madhe, ai me shokë do të mbahen edhe për kohë të gjatë në burg, gjë që i mbetet Gjykatës Speciale që në procesin gjyqësor në Hagë, t’i sqarojë këto të gjitha, deri në fund”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti politik, Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat