Doli nga PDK-ja dhe hapi parti të re – Sa do të jetë i suksesshëm Isa Agushi?

Politika

Doli nga PDK-ja dhe hapi parti të re – Sa do të jetë i suksesshëm Isa Agushi?

Nga: A.Z Më: 10 mars 2022 Në ora: 22:39
Isa Agushi

Së fundmi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) është regjistruar edhe një parti e re. Partia quhet “Bashkimi për Ndryshim ANAMORAVA” (BNA), e cila udhëhiqet nga Isa Agushi.

Ai kishte shërbyer si asamblist nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës për dy mandate, deri më 12 gusht 2021 i kishte dhënë fund rrugëtimit të tij këtë parti.

Ai në njoftimin që kishte bërë për dalje nga PDK-ja ishte shprehur mjaft i ashpër me lidërshipin e ri të kësaj partie, kishte falënderuar ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin por jo edhe lidershipin aktual me në krye Memli Krasniqin.

“Mendoj që të zgjedhurit prapë s`kanë faj së shumica prej tyre i kanë servilat, klanet, grupet dhe sahanlëpirësit për rreth veti. Shfrytëzoj rastin të ju njoftoj dhe të jua bëjë me dije të vetmin sinqeritet dhe që kam pa e pash te Kadri Veseli njeri i fjalës dhe besës. Një falënderim të sinqertë nga zemra për gjithë ata që më mbështeten për dy mandate sa isha në kuvendin komunal të Gjilanit, zoti ju ruajt juve me familjen tuaj, ju jam mirënjohës tan jetën”, kishte shkruar Agushi.

Lidhur me këtë, analisti politik Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se deri më tani të gjitha partitë e reja kanë dështuar në zgjedhje, madje ai si shembull e ka përmendur edhe partinë e Bukoshit dhe të Dacit, të cilët në zgjedhje nuk e kanë kaluar as pragun.

Image
Skënder Mulliqi
 
"Nga praktikat e deritashme kemi pa se formimi i partive politike nga ata të cilat kanë qenë në ndonjë subjekt tjeter politik, të cilët nga pa knaqësit e tyre kanë dalë duke formuar parti të re politike, kanë dështuar në zgjedhje. Kjo ka ndodhur me PREK te Bujar Bukoshit, dhe me partinë e Nerxhat Dacit, të LDD-së. Që të dytë ishin pjestarë të LDK-së dhe këta dështuan me partitë e tyre, duke mos e kaluar as pragun zgjedhor e para, kurse kjo e dyta mbeti parti pa ndikim të madh në skenën politike. Kështu më duket mua do të ndodhë edhe me partin “Bashkimi për Ndryshim- ANAMORAVA”, e cila do të udhëhiqet nga ish ansablisti i PDK-së për dy mandate, Isa Agushi”, tha ai.

Tutje u shpreh se politika e Agushit nuk mund të krahasohet me politiken e Bukoshit dhe të Dacit, por sidoçoftë, Mulliqi thekson se është e vështirë të ketë sukses me parti të re.

“Me krahasu këtë person me Bukoshin dhe akademik Dacin në politikë, ky është krejt një anonimus që shumë vështirë do të këtë të mbijeton në politikë me partinë e formuar. Nuk është e mjaftueshme nga Agushi që të ngritet në politikë nëse ai ka bërë kritika ndaj PDK-së, duke e quajtur parti të klaneve dhe servileve, e duke e lavdëruar vetëm ish krytarin e PDK-së, Kadri Veselin. Nejse, kjo nuk është shumë e rëndësishme sa është e rëndësishme e dhëna se për të pasur sukses me parti të re politike pas 22 viteve të shtegtimit në liri, është vështirë”, shtoi Mulliqi

Sipas Mulliqit, për të pasur sukses, partitë duhet të jenë të formuara nga intelektualët, gjë e cila nuk ka ndodhur deri më sot.

“Së pari, ata që kanë dalur nga subjektet tjera zor se mund të jenë të sukseshëm. E dyta, për të arritur diçka më shumë në skenën politike ka mundësi për të arritur më shumë sikur do të kishin një parti të formuar nga intelektualët, të cilët deri më tash nuk kanë qenë në asnjërin nga subjektet aktuale politike. Duhet të jenë personalitete me autoritet të madh në popull. Nuk dua të themë se nuk është e nevojshme formimi i ndonjë subjekti politikë me kuadro të forta dhe profesionale, të pa korruptuara dhe të pastër moralisht dhe kombëtarisht, por që vërtetë nuk do të jetë lehtë krijimi i autoritetit partiak për të bërë ndonjë befasi, të shprehem ashtu në skenën tonë politik”, tha tutje ai.

Mulliqi deklaroi tutje se një subjekt i kësaj partie është i nevojshëm por që të jetë serioz, sepse krahasuar me numrin e partive që janë, asnjëra nuk kanë pasur sukses për rregullimin e jetës shoqërore.

Ai si shembull të partive e morri Amerikën, me ç’rast theksoi se kanë vetëm dy parti, madje kanë edhe shtet të zhvillluar.

“Deri më sot kemi parë shumë dështime të kësaj klase politike në shtetndërtim dhe mirëqenie të qytetarëve, çka fletë se paraqitja e ndonjë subjekti serioz edhe është e nevojshme, por jo nga të larguarit nga partitë politike. Skena jonë politike nëse e marrim me numrin e partive që garojnë për pushtet në zgjedhjet lokale dhe ato qendrore janë shumë, por të cilat nuk kanë treguar ndonjë sukses të madh në rregullimin e jetës shoqërore dhe politike në vend. Tek e fundit nuk është me rëndësi për një shtet të kemi shumë parti, por të kemi parti cilësore të cilat punojnë mirë për shtet dhe rregullimin e jetës të qytetarëve. Kemi shembullin e Amerikës si model të demokracisë liberale ku për pushtet garojnë dy parti, ajo Republikane dhe Partia Demokratike, dhe dihet se çfarë niveli zhvillimor ekonomik dhe social kemi në këtë shtet, dhe shumë shembujë të tjerë në shtetet e zhvilluara të Evropës”, potencoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat