Dëshmia në Speciale/ Ish bashkëluftëtari i Sali Çekajt: Ja pse Hazir Borovci po e mbron “Calin”, banditin e akuzuar për...

Politika

Dëshmia në Speciale/ Ish bashkëluftëtari i Sali Çekajt: Ja pse Hazir Borovci po e mbron “Calin”, banditin e akuzuar për...

Nga: P.R Më: 5 prill 2022 Në ora: 19:57
Salih Mustafa, njohur si komandant Cali

Sipas prokurorit të Gjykatës Speciale, Jack Smith, gjitha viktimat e Salih Mustafës, i njohur si komandant Cali, ishin anëtar të LDK-së.

“Asnjë prej provave të mbrojtjes nuk i hedh poshtë akuzat, alibia nuk i hedh poshtë ato. Mbrojtja pretendon se krimet thjeshtë nuk kanë ndodhur fare, asnjëherë. Pretendojnë se nuk ka pasur as marrje në pyetje, rrahje, keqtrajtim apo abuzim. Sipas tyre asnjëra prej këtyre krimeve nuk kanë ndodhur. Provat do të dëshmojnë se këto krime kanë ndodhur dhe që Mustafa është përgjegjës për to. Të gjitha viktimat ishin shqiptarë të Kosovës. Askush nga burrat e ndaluar nuk përbënte kërcënim ushtarak për UÇK-në. Ata po përpiqeshin të siguronin jetesën duke bërë tregti nëpër tregje lokale. “Faji” i tyre ishte se i përkisin një partie të caktuar politike – LDK-së”, kishte deklaruar Cezary Michalczuk nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, Jack Smith.

Por kjo nuk e ka penguar fare kryetarin e degës së tretë të LDK-së në Prishtinë, Hazir Borovcin që Salih Mustafës t’i dal si dëshmitar mbrojtës në gjykimin që po zhvillohet në Hagë.

Në Speciale, ndër të tjerash Mustafa ka thënë që është i bindur në pafajësinë e Salih Mustafës, duke i thënë turpit gjykues të mos bien pre e dëshmitarëve të manipuluar.

“Kryetare trupit gjykues, shkëlqesia e juaj, kërkoj nga ju jo mëshirë por drejtësi dhe jam shumë i bindur që do të vendosni drejt, do t’i analizoni mirë të gjithë dëshmitarët, mos bini pre e dëshmitarëve të manipuluar, dëshmitarëve të shantazhuar, por t’i analizoni mirë rrethanat në të cilat kemi vepruar, rrethana në të cilat kemi punuar ,që kanë qenë rrethana shumë të vështira dhe uroj të mos i ndodh asnjë populli, asnjë kombi ajo që na ka ndodhur ne. Ju falënderoj dhe ju përshëndes të gjithë juve që jeni këtu dhe e përshëndes edhe Salih Mustafën që unë e konsideroj të pafajshëm”, ka thënë ndër tjerash Borovci para Gjykatës Speciale.

Pas dëshmisë së tij, anëtari i LDK-së dhe ish bashkëluftëtari i Sali Çekajt, Saim Tahiraj, thotë se Borovci po e mbron një “bandit”, i cili është i akuzuar për vrasjen e anëtarëve të LDK-së.

Image
Saim Tahiraj

“Dëshmia e Borovcit përmes së cilës tenton ta mbrojë një bandit i cili akuzohet për vrasjen e anëtarëve dhe veprimtarëve të LDK-së, është skandaloze dhe fyerje për tërë anëtarësinë e LDK-së. Ky hibrid me dëshminë e tij tregoj se LDK është bërë hambarë i lloj-llojë hibridi të cilëve nuk ju dihet gjeneza as vendi i kryqëzimit. Një kryetar dege i LDK-së, besoj shumë se ka informacione të mjaftueshme për të gjitha vrasjet politike të veprimtarëve të LDK-së, e sidomos kryetari i një dege të madhe të kryeqytetit”, thotë Tahiraj për gazetën “Bota sot”.

Tahiraj hedh dyshime se Borovci mund të jetë i dyshuar si bashkëpunëtor i Salih Mustafës, andaj edhe i del në mbrojtje.

“Atëherë lindë pyetja se cila ishte arsyeja dhe shkaku që e shtyri këtë hibrid të dëshmoj pro një krimineli të dyshuar për vrasje të veprimtarëve të LDK-së? Mos vallë edhe ky hibrid ishte bashkëpunëtor i këtij krimineli të dyshuar dhe nga frika se po zbulohet hidhet në ofensivë mbrojtëse? Disa figura të LDK-së, si ky hibrid bashkëpunuan me disa kriminelë të dyshuar për vrasjet politike te veprimtarëve të LDK-së, andaj edhe afrimi me PDK-në dhe AAK-në dhe lidhja e koalicioneve të pa natyrshme nuk ishte rastësi, por si rezultat i këtij bashkëpunimi permanent”, deklaron Tahiraj.

Më tej, ai kërkon largimin e menjëhershëm të Borovcit nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Strukturat e reja drejtuese të LDK-së duhet ta kenë parasysh këtë fenomen të çuditshëm dhe disa figura të tilla si ky tipi hibrid t’i largoj nga postet drejtuese të nëndegës, degës, këshillit të përgjithshëm apo kryesisë qendrore. Gjithashtu ngarendja e pas disa figurave të pa verifikuara mirë, të cilat pa kurrfarë kriteri dhe pa kurrfarë kontributi për LDK-në, madje pa qenë kurrë në LDK i vendosin në pozita të larta drejtuese në emër të reformimit”, thekson Tahiraj.

“Ka edhe të tillë që ishin kundërshtarë ekstrem dhe propaganduese të devotshëm kundër LDK-së dhe me pompozitet të madh i vendosin në pozita të larta udhëheqëse. Si rezultat i këtyre veprimeve të pa analizuara mirë po ndodhin dridhje të një pas njëshme që LDK-në po e rrëzojnë për tokë dhe ri ngritja po jetë shumë e vështirë pastaj. Pas kësaj dëshmie të turpshme dhe fyese për anëtarësinë e LDK-së të këtij hibridi, anëtarësia dhe kryesia e degës ky është kryetar, duhet të kërkoj urgjentisht dorëheqjen e tij ose ta shkarkoj nga të gjitha strukturat e degës së LDK-së. Nuk i duhet asgjë ky shpirt shitur LDK-së sepse vetëm dëme i sjellë. Duhet pastruar hambari nga hibrid të tillë”, përfundon për gazetën “Bota sot”, Saim Tahiraj anëtar i LDK-së, njëherit edhe ish bashkëluftëtar i heroi të kombit, Sali Çekaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat