Kosova duhet ta mbyllë urgjentisht Zyrën e Rusisë në Kosovë!?

Politika

Kosova duhet ta mbyllë urgjentisht Zyrën e Rusisë në Kosovë!?

Armira Shaqiri  Nga Armira Shaqiri Më 6 prill 2022 Në ora: 07:57
Foto arkiv

Pushtimi nga Rusia i një pjese të Ukrainë, dhe krimet që ajo i ka kryer atje, kanë nxitur një valë të re reagimesh në mbarë Perëndimin.

Aq sa edhe Zyra e të Drejtave të Njeriut e OKB-së, thuaja unanimisht, vlerësoi se vrasjet ishin kryer duke i pas zgjedhur si cak të qëllimshëm, civilët.

Perëndimi po vazhdon me krijimin e sanksioneve shtesë, dhe njëkohësisht po vazhdon ta ndihmojë me armatim, municione, pajisje etj, Ukrainën.

Është tashmë e qartë se agresion rus për pushtimin e Ukrainës i ka ndryshuar shumë dinamikat dhe politikat thuaja në mbarë botën.

Edhe pse Rusia është e izoluar nga fuqitë e mëdha botërore, ajo nuk po heq dorë nga pushtimi i Ukrainës.

Për përjashtim të Rusisë dhe dëbim

Përveç sanksioneve Perëndimi po shqyrton propozimet për përjashtimin e Rusisë nga shumë institucione ndërkombëtare, si për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Interpoli e deri nga OKB-ja.

Përjashtimin nga kjo organizatë e kërkoi të martën presidenti ukrainas Zelenski, i cili kërkoi në mënyrë ultimative, ose Këshilli i Sigurimit të OKB-së ta përjashtojë Rusinë ose të shpërndahet vetë OKB-ja.

Në këtë kontekst të ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me Rusinë, kanë filluar të shpeshtohen zërat që Kosova ta mbyllë Zyrën ruse në Kosovë, e cila nuk është në nivel ambasade për shkak se ajo refuzon ta njohë Pavarësinë e Kosovës.

Ne nuk kemi komunikim me të, mirëpo ajo ndodhet nën vëzhgimin e plotë të organeve tona kompetente, por pa dyshim që nuk janë pasiv as aleatët dhe partnerët tanë. Deri kur do të marrim ndonjë udhëzim për shkak të fakteve të reja që të veprojmë në ndonjë veprim të caktuar ,do të ngelet kështu siç është, mirëpo në momentin që ne sadopak vërejmë se ndodhin gjëra të rrezikshme ose të paparashikuara padyshim që s’do të hezitojmë për asnjë moment”, ka thënë Kurti.

E, para disa ditëve kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë ka thënë se institucionet janë duke e vëzhguar zyrën ndërlidhëse të Rusisë.

Presidentja Vjosa Osmani me 22 tetor të vitit të kaluar i pat shpallur dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse Ruse në Kosovë persona nongrata, pasi me aktivitetet e tyre kanë cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Kosovës.

Rusia zyrën ndërlidhëse e ka hapur në vitin 2005, kur Kosova administrohej nga UNMIK-u, ndërsa kryeadministrator atë kohë ishte Soren Jesen Petersen. Në ceremoninë e hapjes së zyrës, kishte marrë pjesë përveç ministrit të Jashtëm të Rusisë Sergej Lavrovit, nga pala e Kosovës, edhe kryeadministartori Petersen dhe kryeministri i vendit Bajram Kosumi, ndërsa presidenti Rugova nuk kishte marrë pjesë.

I vetmi zyrtar i Kosovës për 17 vjet që ka shkelur në zyrën ruse, sipas REL-it, mbetet Kosumi.

Kelmendi: Zyra ruse mund të mbyllet me vendim shtetëror!

Njëri nga intelektualët që e ka bërë thirrjen për mbyllje të Zyrës së Rusisë në Kosovë është, edhe ish-bankieri Emanuel Bajra, ekspert i tregjeve që jeton në Britani të Madhe.

Image
Muhamet Kelmendi

Zyra ruse në Prishtinë duhet të mbyllet. Sot, tash, në këtë moment. Demokracia jonë është shumë e shenjtë, që të mbajë në mesin e vet gjenocidistët rus. Jashtë!”, ka shkruar sot në Fb.

Lidhur me këtë juristi Muhamet Kelmendi thotë se një veprim i tillë edhe mund të bëhet duke shtuar se kjo Zyrë është hapur si rezultat i ndërtimit të shtetit, por që si e tillë është zyrë e një anëtari të përhershëm të KS të OKB-së.

Zyra e Rusisë mund të mbyllet me vendim të shtetit. Ka mendime se zyra ruse ka ardhur në bazë të ndonjë akti ndërkombëtar, përkatësisht nga KS të OKB-së. Mundet! Nuk ka fakte. Zyra është rezultat i ndërtimit të shtetit të Kosovës. Në këtë anë nuk ka marrëdhënie Kosova me Rusinë. Nuk ka ndonjë akt ndërkombëtar për ndërtimin e raporteve ndërshtetërore. Si e tillë është zyrë e një anëtari të përhershëm të KS të OKB-së. Mbi këtë dhe interesat gjeostrategjike ruse u hap zyra. Duket se ajo mbështetet në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së”, thotë ai.

Ai bënë thirrje që me këtë Kosova mos të ngutet duke thënë se këtë gjë Kosova mund ta bëjë bashkëpunim me miqtë tanë ndërkombëtar siç nga shtete të BE-së dhe SHBA-ja.

Mirëpo, Kosova nuk ka nevojë të ngutet dhe të veprojë në këtë drejtim, para se Bashkimi Evropian dhe USA nuk veprojnë. Me veprim të tillë mund të krijohen raporte tjera në BE dhe në KS të OKB-së. Nëse shkon në interes të shtetit të Kosovës edhe mund, edhe duhet të mbyllet. Përndryshe, është çështje e Kosovës, veprimi me zyrë. Kosova duhet të veprojë në unison me miqtë ndërkombëtar. E tëra varet nga raportet e miqve me Rusinë. Mbetet të shihen veprimet”, përfundon Kelmendi.

Mehmeti: Kosova dhe institucionet e saja duhet që ta ndërpresin çdo kontakt me këtë zyrë

Analisti Faton Mehmeti në një përgjigje për “Bota sot” thotë se Kosova duhet të jetë në bashkërendim të plotë me OKB-në sa i përket mbylljes së saj, por Kosova dhe institucionet e saj duhet që të ndërpresin çdo kontakt me këtë zyrë.

Image
Faton Mehmeti

Patjetër se zyra e Rusisë duhet të mbyllet, mirëpo për këtë vendos OKB-ja, pasi është zyrë ndërlidhëse dhe është krijuar me marrëveshje me UNMIK-un. Pra, institucionet e Kosovës nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë, megjithatë Kosova dhe institucionet e saj duhet që ta ndërpresin çdo kontakt me këtë zyrë. Natyrisht se largimi i kësaj zyre do të ishte i mirë për vendin tonë, aty mund të ketë edhe spiun rus, e të cilët punojnë kundër shtetit të vendit tonë”, shprehet ai.

Ai thotë që Kosova këtë temë duhet ta shtrojë në OKB kur do të diskutohet për Kosovën, meqenëse një ndër arsyet kryesore është se kjo zyrë punon për Serbinë.

Në mbledhjen që pritet të mbahet në këtë muaj në OKB, Kosova duhet të paraqes këtë kërkesë dhe të rendit arsyet, njëra ndër to është se Kosova rrezikohet nga kjo zyrë që punon për Serbinë dhe kundër vendit tonë. Kjo gjë do të jepte mesazh edhe tek vendet tjera ku veprojnë, aty ku ka edhe ambasada që të përjashtojnë diplomatët rusë, përderisa krimet në Ukrainë vazhdojnë”, vlerëson Mehmeti.

Mënyra si funksionon Zyra Ruse?

Nga viti 2005 Zyra Ndërlidhëse Ruse funksionon nën ombrellën e një akreditimi pranë misionit të UNMIK-ut që bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Pjesëtarët e zyrave ndërlidhëse nuk i nënshtrohen asnjë regjimi të vizave dhe kanë të drejtë të hyrjes dhe qëndrimit në Kosovë. Ata pajisen me dokumente speciale nga OKB-ja dhe kanë të drejtë të hyjnë dhe të dalin nga territori i Kosovës sa herë që duan.

Përpos imuniteteve të tjera të përcaktuara me këtë rregullore, stafi i Zyrës Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë ka imunitet të plotë “nga juridiksioni penal, civil dhe administrativ vendor”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat