Qeveria po e çmonton sistemin korruptiv/ Sindikatat po i kundërvihen me greva!

Politika

Qeveria po e çmonton sistemin korruptiv/ Sindikatat po i kundërvihen me greva!

Armira Shaqiri  Nga Armira Shaqiri Më 11 prill 2022 Në ora: 16:33
Qeveria e Kosovës

Sindikatat e Pavarura në Kosovë, të premten më 8 prill kanë mbajtur protestë me kërkesën për rritjen e pagave, zbatimin e Ligjit për sigurimin shëndetësor, si dhe ndryshim-plotësimin e Ligjit për skemat pensionale.

Ata madje kanë paralajmëruar greva, nëse kërkesat nuk iu plotësohen.

Kurse, Qeveria e Kosovës ka thënë më herët se Projektligji i pagave, që parasheh rritje të tyre, është në fazën e fundit të hartimit.

Por, që kur ka ardhur Albin Kurti në pushtet sindikatat kanë paralajmëruar greva të ndryshme, madje kryetari i sindikatës së arsimit Rrahman Jashari kishte thënë se për gjithë këtë faji i mbetet Kurtit.

A po bëhet kjo për ta rrëzuar qeverinë Kurti?

Analistët vlerësojnë se prapa protestave qëndron opozita.

Kapiti: Protestat kanë prapavijë politike

Analisti Skënder Kapiti në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se rritja e paga ka qenë premtim i të gjitha partive politike dhe që mosrritja e pagave nuk duhet të mbetet e pandryshuar sepse një gjë e tillë bllokon rritjen e ekonomisë.

Image
Skënder Kapiti

Që të rriten pagat duhet pasur parasysh mundësitë dhe ekuilibrat ekonomikë e financiar. Është e lehtë që nëpër fushata elektorale të premtohet rritje pagash për të marrë vota, dhe pastaj në qeverisje nuk është mundësia për rritjen e tyre. Po kështu vihet re se qeveritë në prag të fushatave elektorale rrisin numrin e punonjësve në administratë me qëllim që të fitojnë vota të sigurta, gjë e cila edhe e bën rrënimin e financave. Mirëpo, mosrritja e pagave nuk mund të vazhdojë të mbetet e pandryshuar gjithmonë, sepse një gjë e tillë e bllokon dhe e pengon edhe rritjen e ekonomisë, pra pengon zhvillimin e saj. Vetëm rritja e ekonomisë e justifikon rritjen e pagave”, thotë analisti.

Sipas tij, me rritjen e pagës po merret qeveria aktuale, e cila do ta paraqesë së shpejti edhe Projektligjin për rritjen e pagave, të cilin ajo e ka pasur premtim elektoral, por tashmë do ta realizojë edhe si një detyrim moral e ligjor.

Tutje, ka thënë se këto protesta kanë prapavijë politike.

Rritjen e pagave e pengon korrupsioni, sepse korrupsioni nuk ka ndjesi sociale dhe as nuk është I interesuar për zhvillimin e vendit dhe as për mirëqenien e njerëzve, pasi korrupsioni madje bën kërdinë në vendet e pazhvilluara e të varfra. Votuesit në Kosovë e votuan qeverinë Kurti, ku si arsyeja e parë vota e tyre ishte pikërisht për ndëshkimin e korrupsionit e të hajdutërisë institucionale të keqqeverisjeve të mëparshme, ku pothuajse korrupsioni kishte bllokuar shtetin, shoqërinë, zhvillimin, punësimin, mirëqenien dhe integrimin”, thotë ai.

Buxheti i ngarkuar me administratorë parazitarë

Sipas Kapitit, qeveria aktuale po merret me çmontimin e sistemit korruptiv në vet institucionet.

Qeveria aktuale me sfidën kundër korrupsionit dhe çmontimin e tij nga sistemi, kjo po i hap rrugën edhe mundësisë për rritjen e pagës, gjë me të cilën edhe seriozisht po merret qeveria aktuale, dhe do paraqesë së shpejti edhe ligjin për rritjen e pagave të cilin ajo e ka pasur premtim elektoral por tashmë do ta realizojë edhe si një detyrim moral e ligjor. Paralajmërimet për greva për të kërkuar rritje pagash, duket se kanë prapavijë politike të nxitur nga opozita e cila nuk bëri asgjë kur ajo ishte në pushtet, por vetëm sa stër-rriti pagat e benefitet për veten e saj, vetëm sa e kishte stërngarkuar qeverinë me ministri, ministra e me zëvendësministra, me drejtorë e kushedi se çfarë administratorësh parazitarë, dhe tani ia kërkojnë këtë qeverisë Kurti që ka një vit që ka marrë pushtetin”, deklaron ai.

Në fund ai shton se para këtyre protestave po qëndron opozita e cila ka dështuar vet dhe si e tillë po nxitë greva e protesta me qëllim rrëzimin e Qeverisë Kurti.

Pra opozita që u ndëshkua bën gjithçka që mundet që kjo qeveri të dështojë e të nxisë greva e protesta me qëllim rrëzimin e saj. Mirëpo, publiku nuk është se nuk i di këto, pasi nuk ka kaluar shumë kohë që të shlyhet nga kujtesa korrupsioni, hajnia dhe zhvatja e parasë publike dhe keqpërdorimet e saj nga ish-pushteti”, përfundon Kapiti.

Mulliqi: Opozita po i kërkon vrimat e zeza

Edhe analisti, Skënder Mulliqi thotë se të gjitha keqpërdorimet e grumbulluara qe 20 vite nuk mund t’i faturohen kësaj qeverie.

Image
Skënder Mulliqi

Problemet e grumbulluara për 20 vite nga qeveritë e kaluara, nuk ka mundësi as teorike të zgjidhen në afat kohor të shkurtër. Shumë gjatë në Kosovë kanë ndodhur keqpërdorime të vogla dhe të mëdha, të cilat ua kanë bërë qytetarëve jetën e keqe. Numri i atyre që kërkojnë punë ishte i lartë, numri i atyre që po jetojnë në varfëri po ashtu është i madh, numri i atyre të cilët ikën nga vendi, po ashtu është i lartë, lulëzoi korrupsioni, nepotizmi, klientela etj. Të gjitha këto, janë produkt i qeverive të kaluara, jo të kësaj qeverie, e cila po angazhohet aq sa po e lejojnë mundësitë buxhetore. Patëm një krizë pothuaj globale dhe rajonale si me energjinë elektrike, por edhe me rritjen e çmimeve të produkteve vitale për jetë, edhe të naftës”, thotë ai.

Tutje thotë se për të sjellë në Kuvend Projektligjin për paga, nevojitet hartim dhe elaborim konkret dhe i saktë se deri ku mund të rritet paga minimale.

Pse ndodhën këto nuk është fajtore qeveria. Për të sjellë në Kuvend Projektligjin për paga, nevojitet hartim dhe elaborim konkret dhe i saktë se deri ku mund të rritet paga minimale, ku sindikatat po kërkojnë rritje shumë të lartë, të papërballueshme për buxhetin e varfër të Kosovës. Nuk them që nuk duhet rritur paga, dhe nuk po e thotë këtë as qeveria, por që lypset pak kohë që të konkretizohen gjërat”, thotë ai.

Sipas tij, pas gjithë kësaj qëndron opozita, e cila po kërkon vrima të zeza duke shtuar se edhe protesta ishte më shumë e karakterit politik.

Duket se opozita rregullisht po kërkon vrima të zeza, pikërisht aty ku ajo vet ka dështuar për shumë vite. Po i instrumentalizon duket sindikatat, punëtorët e sektorit publik, që veç e mbajtën protestën e tyre para objektit të qeverisë të Kosovës. Më së shumti zhurmë është duke bërë sindikata e arsimit, e cila ka paralajmëruar grevë 20 ditëshe në prill, për rritje të pagave. Edhe pse arsimi që shumë kohë nuk ka qëndruar keq me paga në krahasim mesektorët tjerë shoqëror dhe veçmas në sektorin privat. Prandaj, ata para se të organizojnë grevë më shumë të karakterit politik, do të ishte mirë të pyesin veten, sa a i meritojnë pagat aq të larta, që po i kërkojnë, në krahasim me punën të cilën po e bëjnë në arsimimin dhe edukimin e brezave të rinj, e dinë mirë edhe vet se çfarë niveli të arsimit kemi sot në Kosovë, jo të mirë”, deklaron ai.

Në fund, ai thotë se opozita së bashku me sindikatat po bëhen të zëshme, dhe në prapavijë e kanë për qëllim rrëzimin e qeverisë, edhe pse arsyeja e tyre është e pa argumentuar.

Sindikatat po bëhen të zëshme, së bashku më opozitën, ku në fakt, edhe pse nuk e thonë, prapa kërkesave të tyre fshihet ajo për rrëzimin e qeverisë, e që është e pa arsyeshme dhe nuk do të realizohet një kërkesë e tillë, sepse është e paargumentuar. Opozita duhet t’i lë qasjet jo konstruktive ndaj pushtetit. Nëse kanë krijuar aversion ndaj qeverisë Kurti, kjo nuk ju jep të drejtë të sillen në mënyrë jo parimore. Koha është për punë të mëdha dhe të bashkimit të forcave që të tejkalohen vështirësitë sidomos të planit politik, ku ende po kemi telashe me Serbinë, e cila po na kërcënon me luftë. Nëse dikush në këtë situatë po sillet në mënyrë komode, kjo nuk i ndihmon proceseve dhe as ardhmërisë të vendit tonë”, përfundon analisti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat