Presidenti i Serbisë Vuçiq dhe makineria politike serbe kundër Shaip Kamberit

Politika

Presidenti i Serbisë Vuçiq dhe makineria politike serbe kundër Shaip Kamberit

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 12 maj 2022 Në ora: 08:35
Shaip Kamberi

Më 3 prill u mbajtën zgjedhjet në Serbi. Me numërimin e të gjitha votave Shaip Kamberi nuk arriti të fitojë ulëse në Kuvendin e Serbisë, por pas përsëritjes së zgjedhjeve nëTërnoc, ai arriti votat e nevojshme për tu rizgjedhur deputet. Por, sërish pat ankesa për procesin dhe Komisioni Republikan Zgjedhor i Serbisëka vendosur që të ripërsëriten zgjedhjet në Tërnoc.

Sipas tij, kjo po bëhet nga pushteti autoritar i Vuçiqit dhe Daçiqit në Beograd që po vazhdojnë të përjashtojnë ata pak shqiptarë të mbetur në institucionet shtetërore.

“Vuçiqi dhe Daçiqi dëshmojnë se nuk duan integrim të shqiptarëve në institucione, por kontroll të vendimmarrjes së komunave të Luginës për t’ia ngushtuar edhe aty shqiptarëve praninë dhe përfshirjen. Pushteti autoritar i Vuçiqit dhe Daçiqit në Beograd po vazhdon të veprojë për t’i përjashtuar ata pak shqiptarë të mbetur në institucionet shtetërore. Dje instrumentalizuan politikisht Komisionin Republikan Zgjedhor për përsëritjen e zgjedhjeve në vendvotimin nr.6 në Tërnoc të Bujanoci”, ka thënë Kamberi.

Kelmendi: Lugina kërkohet të punojë për organizimi e bashkësisë shqiptare

Jursiti dhe profesori, Muhamet Kelmendi, thotë për “Bota sot”, se Serbia e do Luginën të asimiluar nga shqiptarët, duke shtuar se edhe me përsëritjen e zgjedhjeve synohet të përjashtohet me vota Shaip Kamberi.

Image
Muhamet Kelmendi

“Serbia është një shtet autoritaro-diktatorial i udhëhequr nga neofashistët e rinjë dhe të vjetër.

Në Serbi nuk ka vullnet tjetër për ndërtimin e shtetit, përveç të atij shoveno-serbomadh. Kontesti i tillë tregon se Serbia e do Luginën e Preshevës të asimiluar nga shqiptarët.

Këtej është edhe qëndrimi për të përsëritur zgjedhjet në fshatin më të madh shqiptar, në Tërnoc të Bujanovcit. Me përsëritje të zgjedhjeve synohet të përjashtohet gjoja me votë ShaipKamberi nga deputeti. Duket se shteti serb ka arritur të sigurojë në fshat këtë pikësynim”, thotë ai.

Sipas tij, Lugina jo vetëm deputet të kërkojë, por edhe të kërkohet organizim i ri i këtyre tri komunave, duke e organizuar Asociacionin Shqiptar në Luginë.

“Çështja është te fakti se Lugina nuk duhet vetëm të synojë ndonjë vend në Parlamentin e Serbisë, sepse atje, veç diskutimit, asgjë tjetër nuk arrihet. Lugina kërkohet të synojë tërësisht pushtetin lokal dhe mbi atë, bashkërisht të synohen votat për deputet. Krahas kësaj, kërkohet organizim i ri i këtyre tri komunave, duke organizuar Asociacionin Shqiptar në Luginë. Ndoshta, kështu dhe kësaj ideje i bashkohen edhe sanxhakasit dhe, me këtë ka mundësi të barazohet çështja. Pa Asociacion shqiptar dhe Asociacion te Sanxhakut nuk ka barazi nacionale në Serbi”, deklaron ai.

Në fund, shton se Kosova dhe Shqipëria nuk duhet ta lënë vet Luginën, t’i bashkojnë forcat për të arritur sukseset së bashku.

Në këtë anë kërkohet të veprojë edhe Kosova dhe edhe Shqipëria. Luginën nuk duhet lënë vetëm. Është mirë që të kemi bashkërenditje të forcave nga Lugina me Prishtinën dhe me Tiranën. Bashkërisht arrihen sukseset. Aktiviteti vetëm për deputet nuk i shërben sa duhet Luginës. Kuptohet se duhet vepruar për të fituar. Megjithatë, mbetet veprimtaria për statusin e bashkësisë shqiptare të Luginës. Këtu kërkohet aktivitet, unitet i qytetarëve dhe guxim demokratik dhe politik për çështje të lirisë”, përfundon Kelmendi për “Bota sot”.

Shahu: Kjo përballje kur shqiptarët votojnë masivisht shqiptarin

Image
Rexhep Shahu

Lidhur me këtë analisti Rexhep Shahu, shprehet sekjo nuk është luftë e panjohur as e pabesë, dhe se kjo fitohet me përballje kur shqiptarët votojnë masivisht shqiptarin.

“Presidenti i Serbisë Vuçiq dhe gjithë makineria politike serbe nuk duan deputet shqiptarë dhe natyrisht që nuk punojnë për shqiptarët. Shqiptarët le të votojnë shqiptarin, sfida është e hapur, e qartë. Kjo nuk është luftë e panjohur as e pabesë, dhe nuk mund të qahet asnjë shqiptar para serbëve se nuk fitohet me ankime, fitohet me përballje kur shqiptarët votojnë masivisht shqiptarin”, thotë ai.

Në fund, deklaron se nëse Serbia i manipulon apo tjetërson votat e shqiptarëve kjo nuk duhet të pranohet nga shqiptarët.

“Nuk ka sfidë tjetër dhe nuk sfidohet ndryshe Serbia e autoritetet e saj përveçse nga vota e shqiptarëve. Nëse Serbia i blen votat e shqiptarëve nuk është faji i Serbisë, por nëse Serbia i manipulon apo tjetërson votat e shqiptarëve kjo nuk besoj se pranohet nga shqiptarët. Lufta në atë rajon në këto momente bëhet dhe fitohet me vota”, përmbyllë Shahu.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat