A po ringjallet skuadra e SHIK-ut nga Memli Krasniqi? 

Politika

A po ringjallet skuadra e SHIK-ut nga Memli Krasniqi? 

Nga: N. Sh. Më: 21 qershor 2022 Në ora: 16:52
Memli Krasniqi dhe Kadri Veseli

Tash e më shumë se një muaj, Partia Demokratike e Kosovës, ka filluar një Qeveri e cila po thirret ‘nën hije’.

Si askund në botë, PDK-ja, ka filluar të formojë kabinetin e saj qeveritar, duke qëndruar ‘nën hijen’ e Sheshit të Prishtinës, por duke ‘punuar’ për Kosovën!

Tashmë janë emëruar disa ministra nga kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili po u thur lavde dhe po krenohet me punën që ata do e bëjnë duke qëndruar nën hije!

Ky kabinet qeveritar i PDK-së, pritet së shpejti të shkojë ‘nën hijen e çadrave’ në plazhet më luksoze të Turqisë e vendeve të tjera të Azizë, e ndoshta edhe në Afrikë.

Pas kthimit nga atje, pritet që të ‘shpallin’ dhe njëherë Kosovën e pavarur dhe sovrane.

Formimi i kësaj Qeverie të PDK-së është aktivizim i veprimeve kriminale të agjenturave të SHIK-ut.

Kështu po e vlerëson eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava, i cili shton se, infiltrimi i SHIK-ut për disa vitet në institucionet e Kosovës ka krijuar qeverisje të inkriminuar.

“Formimi i Qeverisë në hije të PDK-së, është një riaktivizim gjysmë legal dhe i fillimit të ri të veprimit kriminal të agjenturave të SHIK-ut, shërbim ky kinse i shuar, por që realisht po funksionon akoma i fshehur e i maskuar me ngjyrimin politik, por që në mënyrën më perfide është future dhe “integruar” në të gjitha nivelet e shtetit për dy dekada me kontroll dhe kapje të pushtetit. Pikërisht infiltrimi i SHIK-ut nëpër institucionet e shtetit ishte pasoja që prodhoj qeverisje të inkriminuar e cila në shumicën e mandateve është drejtuar nga PDK-ja me vartësit e saj satelit të nënshtruar’, shprehet Tërnava.

Image
Hajrullah Tërnava

Ai thekson se, kryesia e përbërë nga të rinjtë e PDK-së që kanë filluar ta udhëheqin këtë parti, do të qëndrojnë për një kohë të gjatë në opozitë.

Sipas tij, ata kanë kohë të merren me eksperimente të tilla, pasi mandati i Qeverisë aktuale do të jetë i plotë.

“PDK-ja me tjerat parti politike, po mundohen ta imitojnë të kaluarën e PDK-së që e udhëhiqte Hashim Thaçi, me opozitarizëm më aktiv karshi qeverisë legale me krijimin e strukturës paralele, qeveri në hije apo ilegale- qeveri në hije, dhe mbas një kohe nga viti 2008 i fituan votat dhe nga ajo kohë deri në burgosjen e Thaçit, në të shumtat e rasteve fitonte”, pohon ai.

Sipas tij, kjo ishte vetëm një periudhë mashtrimi por nuk ishte rezultat ndryshimi apo reformimi.

“Kthesa e asaj kohe në PDK ishte shkaku i vdekjes së ish presidentit Ibrahim Rugova në vitin 2006, kështu që pas ndarjes së LDK në dy pjesë si LDK dhe LDD, atëherë s’ishte problem për PDK-në t’i fituar votat. Ky skenar po mundohet  të ripërsëritet edhe tash, por tash është vetëm si një lojë me karta të bixhozit. Pra ky është vetmi qëllim pse PDK-ja me strukturën e riorganizuar të SHIK-ut po e bënë këtë improvizim me shpalljen e Qeverisë në hije, edhe që kjo është vetëm një improvizim por assesi nuk është shkëputje nga e kaluara për ndryshim”, thotë ai.

Tërnava pohon se, ky test i PDK-së është i dështuar.

“Ky kabinet i ri qeveritar i drejtuar nga LVV-ja dhe Albin Kurti,  është duke e qeverisur pa asnjë skandal që e njollos dhe e bënë qytetarin për t’u penduar përse ka votuar. Në krye të Qeverisë po dëshmohet një burrështetas të cilin po e nderojnë dhe respektojnë edhe liderë të vendeve të ndryshme, duke thënë se të gjithë shqiptarëve gjithandej ku gjinden iu duhet një Albin i tillë. Opozita po tmerrohet nga stabiliteti dhe kredibiliteti i këtij kabineti qeverisës që po dëshmohet edhe në opinionin e brendshëm edhe në atë të jashtëm, sepse Kryeministri Albin Kurti deri më tani po i udhëheqë politikat suksesshëm”, pohon ai.

Ai shton se SHIK-u është duke vepruar akoma.

“Qytetari është bindur për këtë formë mashtrimi dhe kapjes së shtetit nga e kaluara e PDK-së dhe ka vendosur në zgjedhjet e fundit për ta ndëshkuar këtë kastë politike të dështuar dhe të inkriminuar. PDK-ja ka vendosur që në kuadër të të ashtuquajturit  “Kabinet të Qeverisjes së mirë” të formon 15 departamente të cilat në mënyrë sektoriale do të ja bëjnë opozitën qeverisë legale dhe ligjore, duke provuar për ta kontrolluar dhe bërë publike secilin veprim të gabuar, apo siç pretendon opozita, çdo hap të qeverisjes së dështuar. Pavarësisht veprimit që do të ndërmerr partia  PDK, ky do të mbetet vetëm një tentim sa për me u pa që po bëhet kinse diçka nga ata që po e udhëheqin këtë parti, dhe efekti i këtij tentimi do të jetë i pasuksesshëm dhe këtë do ta dëshmojë koha”, përfundon Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat