“Kjo është e rrezikshme”/ Cilës agjendë po i shërben diskutimi rreth bartjes së shamisë në shkolla?

Politika

“Kjo është e rrezikshme”/ Cilës agjendë po i shërben diskutimi rreth bartjes së shamisë në shkolla?

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 13 gusht 2022 Në ora: 08:02
Foto ilustrim

Mbajtja e shamisë për vajzat e besimit mysliman në shkollat fillore dhe të mesme është rikthyer si një temë diskutimi në Kosovë.

Një grup qytetarësh ditëve të fundit po e zhvillojnë një fushatë intensive nëpër rrjete sociale e paraqitje të tjera publike ku kërkojnë ndryshimin e Udhëzimit Administrativ të MASHT-it që e ndalon bartjen e shamisë në shkolla fillore e të mesme.

Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë nuk kanë vendosur ende nëse do ta ndryshojnë këtë Udhëzim Administrativ, ndonëse kryeministri Kurti ka deklaruar se mendimi i tij është lejimi i mbajtjes së shamisë në shkolla për vajzat mbi moshën 16 vjeçare.

“MAShT-i është duke e përcjell me vëmendje shqetësimin që disa qytetarë e kanë lidhur me këtë Udhëzim Administrativ, dhe ne shumë shpejt do ta sjellim Udhëzimin Administrativ për komunitete, dhe unë e kam thënë se nuk duhet të ketë ndalesa e duhet të jenë të lirë të vendosin. Pra, pragu duhet të jetë 16 vjeç, pas kësaj moshe duhet të vendos vetvetiu”, ka thënë kryeministri.

Mendime të ndryshme janë dhënë edhe nga analistë e njohës të çështjeve të arsimit.

Kështu Xhavit Rexhaj, ish-zv.ministër në MASHT ka thënë se i vetmi institucion i autorizuar për interpretimin e Kushtetutës dhe për mbrojtjen e rendit kushtetues të Kosovës si vend demokratik e evropian është Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

“E tillë si është çështja e shamisë – që prekë dispozita e vlera fundamentale të rendit kushtetues – nuk mundet, e as nuk guxon të trajtohet nga adresa jokompetente. Në këtë rast MASHT-i nuk është kompetent të vendosë dhe, edhe po të pretendonte se mund ta bëjë një gjë të tillë, prapë në Kushtetuese do të shkonte çfarëdo vendimi apo qëndrimi saj”, ka shkruar mes tjerash Rexha në fb.

E gjithë këto diskutime po ndodhin vetëm pak ditë para takimit në Bruksel të Kryeministrit Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe pak javë pas tensioneve në pjesën veriore të Mitrovicës.

Për këtë arsye gazeta “Bota sot”, ka pyetur analistët nëse kjo çështje mund të përdoret nga Serbia për dëmtimin e imazhit të Kosovës në botë e po ashtu sa i përket dialogut.

Duhanaj: Serbia armen më të fortë kundrejt shqiptarëve e ka armiqësimin e tyre me botën perëndimore

Image
Leon Duhanaj

Analisti Leon Duhanaj, thotë për gazetën “Bota sot” se Serbia jo vetëm mund ta shfrytëzojë, por edhe është bartësja dhe koordinatorja kryesore e investimeve që bëhen në drejtim të vendosjes në qendër të vëmendjes të një çështjeje siç është bartja e shamisë në shkolla.

“Serbia armën më të fortë kundrejt shqiptarëve e ka armiqësimin e tyre me botën perëndimore, gjegjësisht paraqitjen e shqiptarëve si rrezik për civilizimin perëndimorë.

Këtë po e bën me zell dhe këtë po e zbatojnë agjenturat pansllaviste e panislamike, të cilat kundrejt vlerave qytetëruese perëndimore kanë qenë dhe mbeten aleat dhe armiq të përbetuar.

Se a duam ne shqiptarët, të pozicionohemi me perëndimin apo me lindjen, kjo pyetje tanimë po na shtrohet hapur”, thotë Duhanaj.

Për fat të keq, sipas Duhanajt, elitat politike e intelektuale, nëse nuk janë shitur, atëherë në masë të madhe janë strukur dhe po i shmangen përballjes me të keqen që e kemi në mesin tonë.

“Kjo heshtje do të na kushtoj shtrenjtë nëse nuk i japim zgjidhje urgjente”, ka theksuar ai.

Nga ana tjetër, Leon Duhanaj ka theksuar se keqpërdorimi i të drejtës për të ushtruar besimin lirshëm, duke shkelur mbi të drejtat e fëmijëve, nuk është vetëm shkelje më vete, por krim!

“Të drejtat e njeriut, gëzojnë një rëndësi të jashtëzakonshme në kuadër të ligjeve ndërkombëtare.

Në kuadër të të drejtave të njeriut, segmenti më i rëndësishëm është ai i të drejtave të fëmijëve.

Pra, fëmijët janë pjesa më e ndjeshme dhe më e rëndësishme e shoqërisë, pasuar nga të drejtat e grave, e kështu me radhë.

Megjithatë, ka përpjekje të vazhdueshme që pikërisht këto të drejta të keqpërdoren.

Një përpjekje e tillë, po vazhdon tashmë me vite në Kosovë, e që kohëve të fundit ka marrë një intensitet të shtuar.

Keqpërdorimi i të drejtës për të ushtruar besimin lirshëm, duke shkelur mbi të drejtat e fëmijëve, nuk është vetëm shkelje me vete, por krim!”, është shprehur ai.

Kosova nuk e ndalon bartjen e shamisë, nëse bartësja e ka arritur moshën 18 vjeçare

Më tej ai thotë se një fëmijë i mitur, në një shoqëri, e shtet me Kushtetutë sekulare përgjatë shkollimit të tij, nuk guxon t'i vendoset etiketat e çfarëdolloj organizimi, qoftë ai fetar apo diçka tjetër.

Ai rikujton se Kosova nuk e ndalon bartjen e shamisë, nëse bartësja e ka arritur moshën 18 vjeçare. Pra, nuk kemi diskriminimi fetarë.

“Fëmijëve duhet t'u mundësohet rritja, shkollimi pa brenga dhe pa dallime, derisa ta arrijë moshën e pjekurisë.

Kosova nuk e ndalon bartjen e shamisë, nëse bartësja e ka arritur moshën 18 vjeçare. Pra, nuk kemi diskriminim fetarë.

Përpjekja për ta ngatërruar e keqpërdorur për t'i mbuluar fëmijët përbën shkelje flagrante të të drejtave të fëmijëve.

Në anën tjetër, mbulesa si e tillë, nuk përbën normë fetare sa atë kulturore.

Ka mjaft dijetarë islam, të cilët e mohojnë mbulesën si akt fetar. Duke e pohuar në anën tjetër si përkatësi kulturore arabe.

Pra, ne si shqiptarë, me kulturë e tradita autoktone shekullore, nuk kemi as nevojën, e as luksin të bëhemi prezantues të kulturës së veshjes arabe”, është shprehur ai.

Duhanaj, thotë se shqiptarët e kanë projektuar të ardhmen e tyre në Evropë, në kuadër të së cilës vlerat dhe traditat shqiptare vlerësohen dhe respektohen, gjë që nuk e kanë fare nevojën e përshtatjes.

"Sot, në shekullin XXI kur e tërë bota po e ëndërron mënyrën e jetesës perëndimore dhe këtë po e dëshmojnë edhe shpërnguljet nga e gjithë bota drejt Perëndimit, të mundohesh të instalosh një kulturë, e cila e tjetërson kulturën dhe traditën shqiptare, për ta zëvendësuar me atë arabe, përderisa dikush i thotë vetin shqiptar duhet të cilësohet si tradhti e rëndë kombëtare.

Shoqëria në Kosovë dhe ajo shqiptare në përgjithësi, duhet urgjentisht të ngrihet dhe në mënyrë të vendosur ta kundërshtoj, çdo përpjekje për instalimin e kulturave të huaja në dëm të vlerave dhe traditave kombëtare shqiptare!”, ka përfunduar ai.

Kelmendi: Shteti duhet të implikohet në veshje, sikurse bëri Franca

Image
Muhamet Kelmendi

Ndërkaq, për juristin Muhamet Kelmendi kombi shqiptar i ka simbolet e veta kombëtare. Sipas tij, çështja e veshjes është personale dhe nuk duhet që shteti të përzihet në çështjen e tillë.

“I takon çdo kujt të veprojë me veshje sipas dëshirës dhe ideologjisë që e ka në zemër, por jo në dëm të kombit dhe të simboleve kombëtare”, thotë profesori.

Sipas tij, shteti duhet të implikohet në veshje, sikurse bëri Franca, nëse fillon veshja apo ndonjë shenjë tjetër të përdoret nga armiqtë e Republikës së Kosovës.

“Sa dihet kjo ende nuk është në Kosovë në një nivel të rrezikshëm.

Por, shteti duhet të përkujdeset. Këtej duhet të ketë kujdes edhe me shfrytëzimin e çështjes së tillë nga ana e Serbisë. Kjo, nuk ka ndonjë rëndësi të madhe, ndonëse Turqia është e kapur pas shamisë etj., por kujdes duhet të ketë.

Nëse për shami keqësohen raportet, ato atëherë nuk kanë qenë në nivel asnjëherë.

Asnjë shtet nuk duhet që për këtë të keqësoj raportet ndërshtetërore ose edhe ti ndërpres ato. Raportet bëhen mbi bazën e interesave tjera, si gjeostrategjike, politike, ideologjike, nacionale dhe shoqërore.

Këtu, ka raste, kur edhe shamia ka hynë si mjet simbolik i marrëdhënieve”, thotë Kelmendi.

“Feja po ka ndikim shumë me të madh në shoqëri”

Sipas tij, Republika nuk ka pse merr vendim për të ndaluar shaminë në shkolla. Nëse ka fakte të armiqësisë duhet të ndalohet bartja e shamisë. Në të kundërtën jo.

“Kosovës i duhet një shpjegim i gjerë i gjendjes. Nëpër shkolla kërkohet shumë më shumë të shpjegohesh kultura shqiptare, gjuha, veshjet tona kombëtare dhe të tregohet se nga vjen shamia, ferexheja e dukuritë tjera jo kombëtare shqiptare.

Shteti nëpërmjet Ministrisë së Arsimit këtë shpjegim duhet të përforcojë.

Këtu kemi çalime të mëdha.

Feja po ka ndikim shumë më të madh në shoqëri. Ajo ka arritur të përcaktojë edhe shkollën, deri edhe sjelljet në shoqëri etj. Kjo është e rrezikshme.

Kërkohet punë këmbëngulëse që kësaj dukurie t`i dilet përball me fakte”, thekson Kelmendi.

E këtu sipas tij ndihmon shkolla, radio televizioni, institucionet social kulturore, rrethi, familja etj., dhe, ka raste, kur për këtë kërkohet të ngritën edhe grupe shpjeguese në punë me publikun.

“Kurrë masat nuk duhen lejuar të bëhen vegla të ideologjive jo kombëtare shqiptare. Ne çdo vend ruhet kombi, e kaluara e tij, gjuha, kultura dhe veshjet popullore.

Këtë duhet të bëjë Republika”, ka përfunduar ai.

Abdixhiku: Tema irelevante që prodhohet nga vet pushteti

Ndryshe, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, s’ka dashur të komentojë mbi çështjen e hapur së fundi nëse duhet të hiqet udhëzimi administrativ që ndalon bartjen e shamisë në shkolla.

“Nuk e kam ndërmend të merrem me tema irelevante që prodhohen nga vet pushteti për të mbuluar paaftësinë qeverisëse të Kurtit”, thotë Abdixhiku.

Ai thotë se partia e tij ka tjetërkund vëmendjen.

“Për LDK-në, brengë mbetet rritja e alarmante e çmimeve prej 14.2% brenda një viti. Brengë mbetet kriza e madhe energjetike e dimrit dhe mosveprimi i Qeverisë karshi kësaj krize. Brengë mbetet bllokimi investiv i Kosovës dhe mungesa e projekteve kapitale si asnjëherë më parë – janë ministri të tëra me zero pë rqind realizim. Brengë mbetet neglizhimi alarmant i shëndetësisë e mosfurnizimi i spitaleve tona me barna bazike. Këto janë brengat e qytetarëve tanë dhe këtu do të mbajmë diskursin tonë politik”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat