Kosova e kërcënuar me luftë nga Serbia, FSK e gatshme për kundërpërgjigjje!

Politika

Kosova e kërcënuar me luftë nga Serbia, FSK e gatshme për kundërpërgjigjje!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 24 shtator 2022 Në ora: 14:28
FSK në stërvitjen shumëkombëshe së përvitshme “Saber Junction 2022” në Gjermani

Kontingjenti i FSK-së, së bashku me 4400 trupa ushtarake të forcave amerikane si dhe aleatëve dhe partnerëve të saj, me sukses kanë ekzekutuar operacione sulmuese dhe mbrojtëse gjatë stërvitjes shumëkombëshe së përvitshme “Saber Junction 2022” në Gjermani.

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj ka thënë se stërvitja kishte për synim vlerësimin e gatishmërisë së njësive me bazë evropiane, si Brigada e 173-të Ajrore "Sky Soldiers", për të ekzekutuar operacionet tokësore në një mjedis të përbashkët, të kombinuar me vendet aleate dhe partnere pjesëmarrëse.

Këto stërvitje dhe operacione të ushtarëve të FSK-së e trupat ushtarak amerikanë, vijnë pas deklaratave të kryeministrit Kurti për mundësinë që i kanoset vendit për një luftë nga shteti serb.

Deklaratë e cila nxiti reagime të mëdha nga kundërshtarët politik të kryeministrit Kurti, ndonëse ai vetëm paralajmëronte në bazë të veprimeve të shtetit serb.

Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS dhe eksperti për siguri dhe inteligjencë, Drizan Shala për “Bota sot” treguan se sa është e përgatitur FSK-ja të përballojë ndonjë sulm të koordinuar nga Serbia me grupe paramilitare në veri të Kosovës.

Halimi: Deklaratat e kryeministrit Kurti të merren seriozisht

Image
Armend Halimi

Së pari, Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS në prononcimin e tij për “Bota sot” vlerësoi se pjesëtarët e FSK-së bazuar në stërvitjet e shumta, janë në hap me vendet e NATO-s.

“Forca e Sigurisë së Kosovës falë stërvitjeve brenda dhe jashtë vendit, dhe në të gjitha rastet me vendet e NATO-s, ka bërë që në aspekt të përgatitjes profesionale të jetë në hap me këto vende”, deklaroi ai.

Sipas tij, ndonëse ka mungesë të armatimit të rëndë, kjo nuk ia humbë FSK-së rolin dhe fuqinë e saj për mbrojtjen e vendit nga çdo formë rreziku.

“Edhe pse është e theksuar mungesa e aspektit teknik, pra armatimit të rëndë, megjithatë nuk e humb rolin dhe fuqinë e saj që të jetë e denjë në mbrojtje të vendit ndaj çdo formë rreziku. Për më tepër jo veç lufta Ukrainë-Rusi dha mësim se fitorja apo disfata nuk është gjithherë e varur nga krahasimi i disponimit të armatimit të njërës apo tjetrës palë, ngase Rusisë pushtuese nuk i mjaftoj aspekti teknik ushtarak karshi një Ukraine rezistuese. Sigurisht, këtu luan rol morali i ushtrisë, i cili gjithherë është i lartë tek ushtria mbrojtëse për dallim mungesës së tij tek ushtria pushtuese, ku këtë të fundit e karakterizon detyrimi dhe frika. Një paralele e tillë do të vlente pra edhe mes shtetit të Kosovs me atë të Serbisë”, vlerësoi Halimi.

Më tej, shtoi se deklaratat e kryeministrit Kurti për luftë nuk duhet të kritikohen nga kundërshtarët e tij politik, por të merren seriozisht, pasi mund të jenë informacione nga institucionet e sigurisë.

Sa i përket deklaratave të kryeministrit që alarmon për një luftë të mundshme, në vend se t'i përkthehet si frikë nga kundërshtarët, do të sugjeroja të merret seriozisht, ngase kryeministria dhe presidenca e një vendi, si pozitat më të larta të një vendi marrin informacione të sigurta nga institucione të thirrura për vlerësime të kërcënimit të rrezikut, siç është Agjencioni Kosovar i Inteligjencës, ku drejtori i këtij agjencioni është njëherësh edhe këshilltar i kryeministrit dhe presidentit për siguri, andaj besoj shumë se deklaratat e kryeministrit kanë bazë nga informacionet e ofruara nga institucionet e sigurisë”, përfundoi Armend Halimi për “Bota sot”.

Shala: Situata bëhet edhe më komplekse për faktin se pala serbe ka rrit presionin kundër qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë

Image
Drizan Shala

Ndërsa, eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se ushtarakët erdhën në kampin Bondsteel për shkak të operacioneve në territorin e Kosovës dhe mundësisë së tensionimit të situatës nëse nuk ka marrëveshje me Serbinë.

“Gjatë kësaj jave kanë ardhur në Kosovë rreth 600-1000 persona ushtarakë në kampin Bondsteel dhe janë duke kryer disa aktivitete operacionale në territorin e Kosovës, në bashkërendim edhe me EULEX-in, bazuar në atë që mund të ketë tensionim të situatës, nëse nuk arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi ai.

Po ashtu, Shala tha se situata po bëhet edhe më e vështirë, shkaku i provokimeve të vazhdueshme nga pala serbe.

“Situata bëhet edhe më komplekse për faktin se pala serbe në mënyrë sistematike është duke rritur presionin kundër qytetarëve të komunitetit serb në Kosovë që kanë pranuar institucionet tona.

Djegia e veturave në njërën anë dhe në anën tjetër shantazhet që ju bëhen deri te largimi i të afërmeve të tyre nga institucionet e Serbisë apo edhe ndalja e ndihmave nga shteti i Serbisë nëse ata nuk do të zbatojnë vendimet e Beogradit zyrtar”, vlerësoi eksperti i sigurisë.

Në fund, ai tha se duhet të arrihen disa marrëveshje me Shqipërinë, Kroacinë dhe SHBA-në, në mënyrë që të garantohet sovraniteti më i fortë.

“Sa i përket FSK-së mund të themi që tani është faza ku politika duhet të ndërroj diskursin politik për të arritur marrëveshje taktike me Shqipërinë, atë operacional me Kroacinë dhe strategjik me SHBA-në, për të garantuar një sovranitet të fortë dhe në anën tjetër FSK të vazhdojë planin e saj të tranzicionit”, përmbylli Drizan Shala për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat