‘Garda e vjetër’ nuk i ndal ‘goditjet’ ndaj Abdixhikut/ Analistët: Ja kush e solli LDK-në në 12 për qind!

Politika

‘Garda e vjetër’ nuk i ndal ‘goditjet’ ndaj Abdixhikut/ Analistët: Ja kush e solli LDK-në në 12 për qind!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 11 tetor 2022 Në ora: 17:58
Lumir Abdixhiku

Ndonëse në disa sondazhe LDK-ja ka shënuar ngritje elektorale, kritikat ndaj kreut të kësaj partie, Lumir Abdixhiku, janë ashpërsuar.

Por, më e çuditshmja, është se këto vijnë pikërisht nga ish-drejtuesit e LDK-së, ose thënë më mirë nga ‘garda e vjetër’, të cilët kundërshtojnë qasjen e Abdixhikut për mos rrëzim të qeverisë Kurti.

Sipas Skender Hysenit, Lumir Abdixhiku është i paguximshëm karshi qeverisjes së Albin Kurtit. Prej kohësh, thotë Hyseni, VV dikton politikat dhe qëndrimet e LDK-së përmes njerëzve si Vjosa Osmani e Lumir Abdixhiku. Këta, sipas Hysenit, “LDK-në e kanë sjellë në nivel të AAK-së”, e jo ata që kundërshtonin instalimin e Vetëvendosjes përbrenda LDK-së.

“Si është e mundshme që një lider opozitar, Abdixhiku ia numëron gjithë atë mal dështimesh Kurtit, dhe në të njehtën kohë deklarohet kundër rrëzimit të kësaj qeverie, si qëndrim politik partiak”, pyet Hyseni.

Më parë, kritika, kreu i LDK-së, ka marë edhe nga Isa Mustafa dhe Agim Veliu.

Siç duket, Abdixhikut po i dalin ‘kundërshtarë’ ish-udhëheqësit e partisë.

Nuk dihet nëse në pyetje janë inatet personale apo mos pranimi që qeveria Kurti është ende në pushtet.

Analistët për “Bota sot” komentuan këto akuza që po i bëhen Abdixhikut nga ‘garda e vjetër’.

Mulliqi: Koalcionet me PDK-në, e sollën LDK-në e fortë të Ibrahim Rugovës në 12 përqind të votave

Image
Njohësi i çështjeve politike, Skënder Mulliqi

Njohësi i çështjeve politike, Skënder Mulliqi në një prononcim për “Bota sot” komentoi kërkesën e ‘gardës së vjetër’ të LDK-së për rrëzimin e qeverisë Kurti II.

Fillimisht, ai u shpreh se një gjë e tillë është vështirë të ndodhë, pasi nuk është situata e njëjtë si në kohën kur LDK-ja e PDK-ja me ndihmën e Grenellit e rrëzuan qeverinë Kurti I.

“Një herë arritën ta rrëzojnë qeverinë Kurti 1, pikërishtë garda e vjetër reaksionare e LDK-së, me PDK-në, dhe me ndihmën e amerikanit Grenell. Para se të përgjigjem më drejtëpërdrejt në pyetjen tuaj, të themi se nuk është hera e parë që do të rrëzohej një qeveri në Kosovë. Madje pas një kohe të gjatë do të ishte hera e parë po të ndodhte që një qeveri ta dërgojë mandatin deri në fund. Këtu do t’i them disa fjalë pse? Sepse partitë më të mëdha politike në vend, nuk ishin të interesuara për reformen zgjedhore, se kjo po iu mundëson krerëve të këtyre subjekteve politike të mbeten gjatë në pushtet. Nëse ndodhë kësaj radhe që qeveria Kurti 2 të mbetet deri në fund të mandatit katër vjeçar, dhe ka shumë mundësi, i hap pastaj rrugë reformës zgjedhore. Kjo është një temë e gjatë për ta elaboruar”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Mulliqi kritikoi ashpër ‘gardën e vjetër’ të LDK-së, ku tha se ishin pikërisht ata që e sollën këtë parti në 12 për qind, me koalicionet e tyre me PDK-në e Hashim Thaçit.

Sipas tij, në këtë pikë, Abdixhiku nuk ka asnjë faj.

“Garda e vjetër politike jo vetëm e LDK-së, por edhe e partive tjera politike me mos punën e tyre, apo me keqpërdorim të pozitës shoqërore dhe politike i bën dëme Kosovës. Në LDK, ndodhën disa ndryshime, dhe këto ndryshime kadrovike duhet shikuar si të shëndetshme. Isa Mustafa, Skënder Hyseni, Agim Veliu, Sabri Hamiti tashmë të larguar nga postet politike, pak të mira i sollën LDK-së dhe Kosovës. Këta së bashku me Lutfi Hazirin që edhe ai duhet të largohet nga struktura më e lartë e LDK-së, ishin ideatorët e koalicioneve jo parimore me PDK-në e Hashim Thaçit. Këto koalicione dhe zgjedhja për president të ish të parit të PDK-së, Hashim Thaçit, e sollën LDK-në e fortë të Ibrahim Rugovës në 12 për qind të votave, e jo Lumiri. Dhe, kur e kemi parasysh këtë fakt dhe shumë gabime të tjera të gardës së vjetër të LDK-së, atëherë, është mirë që këta nuk janë më aty”, vlerësoi analisti.

Tutje, ai theksoi se kritikat e Hysnit ndaj Abdixhikut më shumë janë si shkak i inateve personale, se sa që janë politike dhe të arsyeshme. Ai shtoi, se Lumiri ende nuk është sprovuar mirë si kryetar i LDK-së, prandaj ka kohë të kritikohet.

“Ardhja e Lumir Abdixhikut në vend të Isa Mustafës, i cili e bartë mëkatin më të madh për rënien në vota të LDK-së, megjithatë, duhet shikuar pak më ndryshe, edhe pse Abdixhiku kurrë nuk ka qenë kuadër i LDK-së. Hyseni nuk ka të drejtë ta kritikojë Abdixhikun se ende nuk i ka kaluar shumë kohë për t’u sprovuar si i pari në këtë parti, dikur më të madhen në vend. Hyseni ka inate pse ai nuk është më në strukturat drejtuese të LDK-së. Nuk duhet të shikohet vetëm një deklarim i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut se në “këtë kohë nuk duhet të rrëzohet qeveria Kurti”, për çka edhe është kritikuar nga Hyseni. E gjithë opozita, edhe LDK, po bëjnë presion të madh jo parimor politik, pikërishte për ta rrëzuar qeverinë Kurti 2. Madje, LDK kishte parashikuar rënie të qeverisë në këtë vjeshtë. Nuk po bëjnë opozitarizëm konstruktiv, dhe nuk po i shikojnë interesat e përgjithshme të vendit”, nënvizoi Mulliqi.

Ndër të tjera, analisti potencoi se është e vështirë për ta rrëzuar Qeverinë, pasi ajo po punon mirë dhe ka përkrahjen ndërkombëtare.

“Kësaj radhe nuk do të jetë e lehtë në krahasim me heren e parë, për ta rrëzuar Qeverinë, e cila u formua pas fitores plebishitare të LVV-së dhe Listës Guxo në zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale. Ajo po punon kryesisht mirë, dhe kur qeveria Kurti, ka përkrahje edhe ndërkombëtare. E gjithë opozita e bashkuar nuk ka deputetë sa ka Vetëvendosje e vetme. Kosova po kalon nëpër procese bukur të vështira politike, kur dihet se ende po vazhdojnë bisedimet me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve, dhe kur kemi edhe shumë probleme të brendshme që na i servirën pushtetet e kaluara. Skenës tonë politike i duhet një rifreskim edhe më i madh politik, pikërisht tek opozita, e cila ende është me logjikë të vjetër të sundimit”, përfundoi Skënder Mulliqi për “Bota sot”.

Duhanaj: As LDK-ja, as PDK-ja, nuk munden ta rrëzojnë qeverinë Kurti

Image
Leon Duhanaj

Ndërsa, analisti tjetër politik, Leon Duhanaj kritikat ndaj Abdixhikut i vlerësoi nga një këndvështrim tjetër.

Ai në prononcimin e tij për “Bota sot” vlerësoi se kritikat janë një instrument i shëndosh demokratik dhe kërkoi që kreu i LDK-së t’i marrë parasysh.

“Në LDK, çdoherë ka pasur zëra kritik dhe kjo për mendimin tim është instrument i shëndoshë, i cili i kontribuon demokracisë së brendshme.

Pa marrë parasysh se nga kush vijnë kritikat, ato duhen të merren seriozisht dhe të analizohen në atë mënyrë që të nxirret më e mira, qoftë për subjektin, qoftë për ofertën karshi qytetarëve”, tha ai.

Pavarësisht kësaj, Duhanaj u shpreh se Abidixhiku nuk e ka dëmtuar LDK-në, megjithatë tregon një seriozitet nëse i merr trajton seriozisht këto kritika.

“Në anën tjetër, mendoj se duhet me qenë normë apo standard që nëse dikush kritikon e që e thamë se kritika duhet të jetë e mirëseardhur, atëherë bashkë me kritiken do duhej ofruar edhe ide të reja, në kontekst të temave që i trajton.

Nuk mendoj që z. Abdixhiku ta ketë dëmtuar LDK-në, megjithatë mendoj që kritikat duhet t'i trajtojë me seriozitet, sepse janë element i rëndësishëm për përmirësimin e vazhdueshëm”, theksoi analisti.

Në fund, ai theksoi se opozita nuk mund ta rrëzojë Qeverinë, pasi nuk i kanë numrat e mjaftueshëm për ta bërë këtë gjë.

“As LDK-ja, as PDK-ja nuk munden ta rrëzojnë qeverinë Kurti, sepse përderisa i ka pasur numrat të zgjidhet, duhet t'i ketë edhe të mbrohet.

Për mendimin tim, një qeveri bie, atëherë kur do vetë ajo, apo kur thyerja ndodhë nga brenda, qoftë koalicion apo parti.

Në këtë kontekst, mendoj se nëse Kryeministri Kurti, do dhe di ta menaxhoj qeverisjen e tij, ajo do të qëndrojë. Në momentin që nuk e bën këtë, atëherë ose e ka në plan ta rrëzoië veten ose nuk është në gjendje ta menaxhojë Qeverinë e tij”, përmbylli Leon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat