“Janë bashkuar për t’i dhënë fund konfliktit shqiptaro-serb”/ Bytyçi zbulon katër fuqitë botërore

Politika

“Janë bashkuar për t’i dhënë fund konfliktit shqiptaro-serb”/ Bytyçi zbulon katër fuqitë botërore

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 12 tetor 2022 Në ora: 21:32
Harta e Ballkanit Perëndimor / Foto ilustrim

Pas Ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e ka pranuar se ekziston një iniciativë franko-gjermane, e cila dëshiron t’i jap më shumë fuqi Miroslav Lajçakut.

“Ka një iniciativë franko-gjermane, e cila dëshiron që t’i jap edhe më shumë fuqi z. Lajçak, sikurse që i jep edhe mbështetja e vazhdueshme amerikane. Sa i përket propozimit gjermano-francez nuk ka një propozim të tillë për marrëveshje përfundimtare, më 19 korrik është dashur të mbahet takimi në Bruksel që u shty për një muaj me kërkesë të Beogradit për 18 gusht, dhe në atë takim është diskutuar korniza e përgjithshme e marrëveshjes. Unë kam dhënë propozimin tim aty dhe kjo nuk duhet të ngatërrohet me hapat sa i përket menaxhimit të krizës këto janë gjëra të ndryshme. Ka diskutime, ka opsione, ka ide, ka sprova mirëpo nuk mund të them që kemi diçka të ngurtësuar të cilën do të mund ta prezantonim në një formë përfundimtare, nuk ka diçka të tillë, dialogu vazhdon, takimet, diskutimet vazhdojnë, jam optimist edhe aty për shkak se Republika e Kosovës po dëshmohet shteti i suksesshëm ndërkaq besoj qe edhe Bashkimi Evropian e ka kuptuar se kush është në anën e drejtë edhe verore edhe historike në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë kryeministri Kurti.

E sipas profesor, doktor Enver Bytyçit, tashmë katër fuqi botërore janë bashkuar për t’i dhënë fund konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë.

Image
Profesor, doktor Enver Bytyçi

 

“Një katërshe euro-atlantike dhe një përfaqësues i BE-së tashmë janë bashkuar për t'i dhënë fund konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë. SHBA-të dhe tri vende të Evropës, përkatësisht Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca, kanë caktuar përfaqësuesit e tyre për t'u marrë me dialogun Kosovë-Serbi. Të katër këta duket se janë në një mirëkuptim të përbashkët jo vetëm për parimet e këtij dialogu, por kanë përcaktuar dhe objektivin kryesor për përmbylljen e tij. Miroslav Lajçak do të jetë edhe më tej interlokutori zyrtar, sepse Rezoluta e KS të OKB-së njeh Bashkimin Evropian si ndërmjetësues”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, katërshja euro-atlantike do të ushtrojë më shumë presion ndaj Serbisë, se sa Kosovës.

“SHBA dhe tri vendet evropiane janë koordinatorët, këshilltarët. Në fakt ato përcaktojnë edhe vendimmarrjen. Unë besoj se vendet e përmendura janë bashkuar me përfaqësuesit e tyre, me qëllim që të dëshmojnë unitet e seriozitet dhe të ushtrojnë më shumë presion ndaj Serbisë sesa ndaj Kosovës. Kjo nuk do të thotë se Kosova do të jetë një vend me të cilin Fuqitë e Mëdha të Perëndimit do të bëjnë dasmë. Grupi i negociatorëve u plotësua javët e fundit me dy përfaqësuesit evropianë, atë të kancelarit Scholz dhe presidentit Macron. Këta të dy, të shoqëruar nga zoti Lajçak, zhvilluan muajin e shkuar takime në Prishtinë dhe Beograd. Sigurisht do të ishte naive të mendosh se ata nuk kanë projektuar një objektiv dhe një model të zgjidhhjes së konfliktit. Ndërkaq është e sigurt se gjithçka po bëhet për ta mbyllur këtë vatër krize në Ballkan e në Evropë. Prandaj dhe zoti Kurti e zonja Gërvalla e pranuan më në fund se ka disa rekomandime, disa modele, disa propozim-zgjidhjeje”, deklaron Bytyçi.

MË tej, ai thotë se projekti i prezantuar nga Baton Haxhiu nuk është propozim franko-gjerman, por është marrë nga zyra e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

“Një projekt-fantazmë që e ka publikuar portali i Baton Haxhiut nuk është projekt franko-gjerman. Për këtë jam plotësisht i bindur. Ai projekt është marrë nga zyra e Aleksandër Vuçiq. Presidenti serb, para se ta japë atë për publikim e ka strukturuar sipas interesave të tij. Ka lansuar idenë se Serbia në këmbim të integrimit në BE do të duhet të pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Thjesht për të mat pulsin e ndërkombëtarëve, të Kosovës dhe të vetë serbëve e bashkëpunëtorëve të tij. Ajo që Batoni ka publikuar është varianti serb i zgjidhjes. Nuk është varianti franko-gjerman, as amerikan, as evropiano-britanik. Mediat që deklaratat e Kurtit, Osmanit e Gërvallës i pranojnë si konfirmim të lajmit të AP bëjnë gjithashtu diversion. Kam lexuar të thonë analistët se pohimet e krerëve të shtetit të Kosovës konfirmojnë rrenën e Baton Haxhiut”, shpjegon profesor Bytyçi.

“Kurti, Osmani dhe Gërvalla nuk thonë se projekti i dy emisarëve të lartpërmendur parashikon dëshirat e Aleksandër Vuçiq të transmetuara nga Baton Haxhiu me dëshirën e tij dhe miratimin e Edi Ramës! Thonë, po ekzistojnë modalitete dhe projekte që na janë paraqitur dhe se asgjë nuk ka përfundimtare në kuptimin ultimativ të fjalës "Na, ja lere, ja merre"! Nuk ka kësij alternativash diplomatike. Atëherë diskutohen modalitetet. Atëherë palët janë të lirë të shtrojnë argumentet, të bëjnë propozimet. Modalitetet janë thjesht lehtësim i dialogut. Ndryshe nuk kishte pse të thuhej se deri nga vera e vitit 20023 duhet mbyll kjo vatër krize”, shton Bytyçi.

Sipas profesor Bytyçit, Kosova ka epërsinë ndaj Serbisë në dialog.

“Afati i caktuar le të kuptosh se do të bëhen diskutime, do të shtrohen alternativa. Kosova ka epërsi në këtë dialog. Kosova është pjesë e Perëndimit, Serbia është pro një vendi agresor, si Rusia. Kosova dëshiron të ruajë integritetin territorial, njësoj siç lufton për një qëllim si ky Ukraina. Perëndimi lufton për të rikthyer integritetin territorial të Ukrainës, përfshirë edhe Krimenë. Atëherë kjo le të kooptojë se Perëndimi mbron gjithashtu integritetin territorial të Kosovës. Këtë e kanë pohuar të gjithë euro-amerikanët”, thekson Bytyçi, i cili tregon dy elementet që sipas tij, garantojnë shtetësinë e Kosovës.

“Perëndimi kërkon një shtet unitar e funksional në Ukrainë. Të njëjtën gjë kërkon e do të kërkojë edhe për Kosovën. Sepse vetëm shteti unitar e qytetar i Kosovës siguron stabilitet, paqe e siguri rajonale. Nuk ka dy standarde në përcaktimin parimor të Evropës dhe SHBA-ve. Këto janë dy elementët që garantojnë shtetësinë e Kosovës”.

Për fund, Bytyçi nënvizon se vetëm njohja e ndërsjellët sjellë stabilitet e paqe.

Së fundi, nuk besoj se në Evropë dhe në SHBA do të duan që të këmbejnë pranimin e Kosovës në OKB me integrimin e Serbisë në BE. Vetëm njohja e ndërsjellët sjellë stabilitet e paqe. Në Berlin, pares, Londër e Uashington e kanë mësuar tashmë se nëse i lihet akoma Beogradit hapësirë kohore, atëherë veprimtaria e tij diversive në Kosovë do të intensifikohet edhe më shumë dhe rajoni do të jetë përsëri një vatër tensioni dhe lufte. Ky eksperiment i dhënies kohë Serbisë është praktikuar që prej 15 vitesh. Nëse në Evropë e në SHBA nuk e kanë marrë mësimin se Serbia spekullon me kohëzgjatjen, atëherë duhet menduar se ka një hile të madhe kundrejt Kosovës! Por unë nuk e besoj këtë!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat