Paralajmërimi: Liberalizimi i vizave nuk është i garantuar për Kosovën

Politika

Paralajmërimi: Liberalizimi i vizave nuk është i garantuar për Kosovën

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 25 nëntor 2022 Në ora: 23:02
Ilustrim

Situata që u krijua në veri të Kosovës për shkak të vendimit për targat, dhe zhvillimet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, bënë që propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili parasheh lëvizjen e lirë jo më larg se data 1 janar e vitit 2024, të hiqet hoq nga agjenda e takimit të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së më 23 nëntor.

“Për shkak të zhvillimeve politike në veri të Kosovës, ta kemi këtë pikë në agjendën e Coreper-it [trupi i ambasadorëve] nuk është ideale”, tha presidenca çeke e BE-së në njoftimin për shtyrje.

Image
Gurakuç Kuçi

Por sipas doktorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, me liberalizimin e vizave, Bashkimi Evropian po i kërkon Kosovës që të bëjë lëshime ndaj Serbisë.

“Liberalizimi i vizave për Kosovën vazhdimisht ka qenë çështje politike, BE-ja e ka shfrytëzuar këtë mundësi të liberalizimit të vizave që të fitoj nga Kosova lëshime ndaj Serbisë. Këtë veprim BE-ja e ka bërë kur vetë politikanët në Kosovë kanë pranuar që një çështje teknike ta kthejnë në një stad politik. Andaj, BE-ja akoma e dëshiron që këtë kartë ta shfrytëzojë në maksimum për aq gjatë sa të ketë mundësi”, thotë Kuçi për “Bota sot”.

Kuçi deklaron se edhe pas arritjes së marrëveshjes për targat, liberalizimi i vizave nuk është i garantuar për Kosovën.

“Edhe tani kur iu premtua liberalizimi me 1 janar 2024, iu dha me një afat më shumë se gjashtë muaj më të gjatë se sa ka ndodhur kur vendeve tjera iu është dhënë liberalizimi i vizave. Shtyrja e tanishme edhe pse ka mundësinë që prapë të vijë në rend të ditës në COREPER pas rreth një jave pasi u arrit marrëveshja për targat, nuk përbën një siguri po ashtu edhe nëse COREPER e fut në agjendë nuk ka një siguri që ambasadorët aty e miratojnë. Një kalim potencial i kësaj faze na dërgon në Këshillin e Ministrave ku aty kërkohet një shumicë e kualifikuar apo ajo që quhet shumicë e dyfishtë 55% te vendeve anëtare, që përfaqëson të paktën 65% te popullsisë se BE-së”, shprehet Gurakuç Kuçi, sipas të cilit, BE po kërkon në vazhdimësi arsye që ta shyjë liberalizmin i vizave për Kosovën.

“Këto procedura edhe pse do të duhej të mos ishin shqetësuese, në rastin e Kosovës po bëhen shumë shqetësuese për shkak të politikës që BE-ja po e përkrah Serbinë në minimin e sovranitetit të Kosovës.BE-ja mezi nuk pret të gjejë një arsye që të shtyejë liberalizimin e vizave, edhe pse Kosova nuk po e kërcënon sovranitetin e Serbisë, por kjo e fundit të Kosovës.Pra, ajo që quhet sindromi i kërmillit i BE-së është duke u aplikuar edhe ndaj Kosovës”, thekson Kuçi.

Për fund, doktor Kuçi deklaron se presioni i Bashkimit Evropian ndaj Kosovës nuk do të ndodhte në rast që do të kishte një unitet te shqiptarët.

“BE-ja nuk e pranon Kosovën si shtet, po ashtu ka pesë vende anëtare që nuk e njohin Republikën e Kosovës, në anën tjetër BE-ja edhe pse tenton të jetë një organizim institucional, nuk i përfill vendimet e institucioneve si ajo e GJND-së ku i ka dhënë të drejtë Kosovës në shpalljen e Pavarësisë dhe thirrjet e PE-së për liberalizim vizash.BE-ja po provon qasjen me Serbinë siç patën me Rusinë, të reagimit vetëm pas fatkeqësisë një qasje që dikur e kishin bërë Britania dhe Franca ndaj Hitlerit, tani po e bëjnë edhe me Serbinë.Ky lloj presioni ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, sikur të kishte një unitet ndërmjet shqiptarëve nuk do ndodhte si p.sh. qeveria e Shqipërisë të ishte pro Kosovës dhe jo Serbisë”, përfundon për “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat