Zogaj: Viktimat e vrasjeve politike, njolla më e turpshme e dështimit të institucioneve shtetërore

Politika

Zogaj: Viktimat e vrasjeve politike, njolla më e turpshme e dështimit të institucioneve shtetërore

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 2 dhjetor 2022 Në ora: 08:12
Foto ilustrim- Viktimat e vrasjeve Politike

Më 28 nëntor, Dita e flamurit, ishte festë për shqiptarët dhe u festua më ndryshe se herëve të tjera.

Krerët e shtetit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca shkuan në Shqipëri dhe festuan këtë ditë.

Por, para kësaj në Kuvendin e Shqipërisë u mbajt seancë solemne për nder të 28 Nëntorit, të bashkuar në politikë, duke marrë pjesë edhe deputetë nga partitë nga Kosova.

Gjatë fjalimeve të tyre, kontributi i ish-Presidentit Ibrahim Rugova dhe të tjerëve u anashkalua sidomos nga disa figura nga Kosova, por edhe nga Shqipëria.

Kjo ngjalli debat në Kosovë, duke anashkaluar gjithnjë drejtuesit e shtetit, të cilët dhanë kontribut për këtë vend dhe këtë shtet.

Apo anashkalohen në këtë mënyrë gjithnjë e më shumë, viktimat e vrasjeve politike, familjarët e tyre, kur në asnjë rast nuk përmenden nga drejtues të shtetit? A është një lloj përpjekje për t'i maskuar apo edhe arsyetuar vrasjet e mbështetësve të Rugovës?

Hajdaraj: Disa eksponentë të kësaj mendësie do të kujdesen që emri i tyre të mos dëgjohet

Shpëtim Hajdaraj, djali i ish-deputetit të LDK-së, Smajl Hajrdarajt, i cili u vra politikisht më 2002, thotë për “Bota sot”, se pushteti në Kosovës ka ndryshuar frymën, andaj edhe disa eksponent të tij i takojnë mendësisë së vjetër ideologjike.

Image
Shpëtim Hajdaraj

“Edhe pse pushteti ka ndryshuar pakëz si frymë në Kosovë, disa eksponent të këtij pushteti i takojnë mendësisë së vjetër ideologjike - vrastare. Të presësh nga këta eksponent të kësaj mendësie që do t’i përmendin figurat kombëtare të vrara për motive politike është normalisht një naivitet i madh. Qëllimi kryesor i vrasësve ka qenë ndalja e fjalës dhe emrit (autoritetit) të tyre, dhe natyrisht që eksponent të kësaj mendësie do të kujdesen që emri i tyre të mos dëgjohet. Normalisht, ka përjashtime të shumta, por që ka eksponent të tillë, kjo është e padyshimtë”, thotë ai.

Sipas Hajdarajt, anashkalimi i tyre po bëhet nga mungesa e drejtësisë.

Anashkalimi më i madh i viktimave dhe familjeve të tyre po bëhet nga mungesa e DREJTËSISË, dhe mbajtja e anës së vrasësve kundrejt viktimave. Me dy palë heronjsh (edhe vrasësi edhe viktima e tij) kjo shoqëri nuk ka me mund me ecë përpara”, thotë ai.

I kanë anashkaluar viktimat dhe i kanë mashtruar familjet e tyre

Analisti Skënder Zogaj në një përgjigje për “Bota sot” thotë se përgjegjësit shtetëror, por edhe politikë i kanë injoruar dhe i kanë keqpërdorur vrasjet politike, duke i shfrytëzuar për marrjen e pushtetit.

Image
Skender Zogaj

Ai shton, se LDK-ja gjatë fushatave politike ka thënë se do të punojë për zbardhjen e vrasjeve politike, por që nuk i ka mbajtur premtimet, madje siç thotë Zogaj edhe kur e kanë pasur mundësinë.

Viktimat e vrasjeve politike janë njolla më e turpshme e dështimit ligjor të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, të cilat, duke e anashkaluar hetimin, zbardhjen dhe dhënien e dënimeve të merituara të vrasësve, e kanë dëmtuar boshtin kurrizor të shtetndërtimit dhe e kanë zvogëluar vlerën e lirisë dhe rolin e Pavarësisë, që edhe 22 vjet pas luftës nuk po arrijnë të konsolidohen në nivelin e merituar! Pra, kjo është dëshmia se, përgjegjësit shtetëror, por edhe politikë, jo vetëm se e kanë injoruar, por i kanë keqpërdorur vrasjet politike, duke i shfrytëzuar për marrjen e pushtetit, e aspak për të trajtuar viktimat dhe hallin e familjeve të viktimave!

Dëshmi janë fushatat elektorale, kur partitë politike, ndër to, sidomos LDK-ja, e ka pas kryefjalë zbardhjen e vrasjeve, por nuk i ka mbajtur premtimet, edhe kur e ka pasur këtë mundësi! Pra, i kanë anashkaluar viktimat dhe i kanë mashtruar familjet e tyre, të cilat qe dy dekada vuajnë në pritje të kot! E theksova LDK-ja, sepse ajo ka dhënë në vazhdimësi premtime dhe as edhe një herë nuk është angazhuar seriozisht, pos fjalimeve kurtuazie në përvjetore, që janë hedhur në harresë duke u lexuar!”, thotë ai.

Ai thotë se është për keqardhje kur figurën emblematike të Presidentit Rugova, përpiqen ta injorojnë disa nga Kosova e Shqipëria.

Kjo mënyrë e veprimit nuk është e rastit, përkundrazi, është abuzim me aspiratën përparuese të vendit dhe popullit, që, jemi dëshmitar se, ka mbetur në pozitën përbuzëse: më i izoluari i rajonit, i kërcënuar nga fqinjët, me vështirësi të shumta ekonomike sociale e politike të brendshme dhe me thellim të pasigurisë në planin diplomatik, që mund të jetë shumë e rrezikshme. Është për keqardhje kur, figura emblematike dhe me renome botërore e Presidentit historik Ibrahim Rugova, në Kosovë dhe në disa kuluare të Shqipërisë, përpiqen ta injorojnë, dhe kjo nuk ka dyshim se çon ujin në mullinjtë antikosovar e antikombëtar!”, përfundon Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat