Presioni mbi Kurtin për Asociacionin/ Deklarohet Anton Quni

Politika

Presioni mbi Kurtin për Asociacionin/ Deklarohet Anton Quni

Nga: A.Zh Më: 4 shkurt 2023 Në ora: 11:51
Anton Quni, Albin Kurti

Diplomatët amerikanë dhe evropianë, e kanë rritur presionin ndaj Kosovës, për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Megjithëse SHBA këmbëngul që nuk do të lejojë Republikë Sërpska brenda Kosovës, Qeveria e Kosovës po insiston që diskutimet për Asociacionin të nisin vetëm pas hapjes së çështjes së marrëveshjes finale, me njohjen reciproke në qendër.

Pos, kësaj, kryeministri Albin Kurti, ka prezantuar edhe pesë pika të tjera, si kushte për themelimin e Asociacionit.

“Përveç Kushtetutës dhe Ligjit janë edhe pesë kushte të tjera. Monoetnik nuk bën. Reciprocitet midis Kosovës dhe Serbisë sa U përket të drejtave të pakicave. Shuarje e strukturave dhe dorëzim i armëve ilegale. Zbatimi, vetëm pas njohjes reciproke dhe në përputhje me OKB-në ku Serbia duhet t’i ketë pranuar parimet dhe raportet ndërshtetërore me ne. Dhe e fundit, presidenti i Serbisë t’i tërheqë ato pesë letra që i ka dërguar në Spanjë, Sllovaki, Rumani, Greqi edhe në Qipro”, ka thënë Kurti, dy ditë më parë gjatë seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, duke nxitur reagimin e opozitarëve, që e akuzuan se ai do ta themelojë “Zajednicën”.

Duke komentuar këto zhvillime, deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës Anton Quni, ka vlerësuar se kjo çështje është kompetencë vetëm e institucioneve të Kosovës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, e mbështet procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, me përfshirjen e plotë të SHBA-së. Orientimet e LDK-së janë për një marrëveshje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme, dhe me njohjen reciproke në thelb të saj. Ndërkaq, në lidhje me Asociacionin, LDK-ja vlerëson se kjo çështje është kompetencë dhe përgjegjësi kushtetuese vetëm e institucioneve të Republikës së Kosovës, në radhë të parë e Qeverisë”, ka thënë Quni për gazetën “Bota sot”.

Ndërsa, duke folur për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, deputeti Quni ka deklaruar se LDK-ja është në rrugëtim të sigurt për rikthimin në pozitën e parë në nivelin qendror, pas dyfishimit në zgjedhjet e fundit lokale.

Ai e ka cilësuar si “të jashtëzakonshme” punën e kryetarit të partisë Lumir Abdixhiku.

“Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, është duke e bërë një punë të jashtëzakonshme. Kësisoj, LDK në zgjedhjet lokale u dyfishua, duke u bërë subjekti i parë në vend me numër të komunave të fituara, si dhe subjekti i parë me ulëse të fituara për asambletë komunale. Ndërsa tani, kryetari Abdixhiku, me shumë përkushtim e profesionalizëm, me dëgjim të kujdesshëm dhe permanent të të gjithë qytetarëve anë e mbanë vendit, me hapje të dyerve të LDK-së për profesionistë, e me hapje të mundësive për kapacitetet e brendshme, është në rrugëtim të sigurt për rikthimin e shtëpisë sonë politike në pozitën origjinale edhe në nivel qendror”, ka theksuar Anton Quni për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat