Lajçak përmendi 15 modele për Asociacionin/ Vjen reagimi, ja pse duhet të kemi kujdes!

Politika

Lajçak përmendi 15 modele për Asociacionin/ Vjen reagimi, ja pse duhet të kemi kujdes!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 15 mars 2023 Në ora: 14:33
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Miroslav Lajcak dhe Aleksander Vuciq

Qeveria e Kosovës po shqyrton 15 modele të ndryshme për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Këtë e konfirmoi kryeministri Albin Kurti, që saktësoi se ato janë dorëzuar nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak.

Pohoi se mes tyre ka elementë të mirë, ndërsa garantoi se nuk do të bëjë asnjëherë kompromis me diçka që bie ndesh me kushtetutën, ligjet, barazinë dhe funksionalitetin e shtetit.

Kurti theksoi se këshilltarët e tij dhe disa nga ministrat janë duke trajtuar 15 modelet për Asociacionin që emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ia ka ofruar atij.

Kurti tha se nga këto modele të trajtimit të pakicave kombëtare në Bashkimin Evropian, do të shohin të marrin elemente që edhe pakicat në Kosovë të jenë në nivelin e duhur. Por nënvizoi se nuk do të bëjë kompromis me kushtetutshmërinë, ligjshmërinë dhe funksionimin e shtetit.

“Modelet të cilat janë prezantuar nga emisari evropian Lajçak janë solucione të ndryshme të pakicave kombëtare në vendet e Bashkimit Evropian, janë pesëmbëdhjetë sosh gjithsej të cilat janë të mirënjohura. Ato po trajtohen nga këshilltarët e mi, nga disa prej ministrave në mënyrë që të shohim se çka është më e favorshme. Natyrisht, kushtetutshmëria, ligjshmëria, barazia, funksionimi i shtetit janë diçka që ne nuk bëjmë asnjëherë kompromis”, tha ai.

Kurti ndër të tjera tha se para takimit të së shtunës me presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Ohër të Maqedonisë së Veriut, do të dihet agjenda dhe pikat përmbajtjesore që do të diskutohen.

Qarri: Vuçiq nga deklaratat po vrehet që po manipuloj me dialogun

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Gani Qarri.

Ai u shpreh se deklaratat e Vuçiqit tregojnë që i njejti nuk është serioz në dialog dhe se po mundohet të manipuloj me situatën.

“Nga vet deklaratat publike të Vuçiqit, tanimë po shihet qartë se Serbia vetëm ka bërë sikur është pajtuar me propozimin evropian, në shenjë "falënderimi" kamuflues dhe të pa sinqertë, për lëshimet e jashtëzakonshme që asaj i janë bërë nga ndërmjetësuesit e BE-së dhe emisari Eskobar, duke futur “zajednicën” në proces dhe hequr nga marrëveshja njohjen e Kosovës që ishte pika kryesore për të cilën, para më tepër se një dekade edhe kanë filluar bisedimet. Në fakt, Vuçiqi tani po përpiqet ti bishtërojë edhe këtij plani, duke kërcënuar që, ose të jetë asociacioni tema qendrore, ose ai nuk do ta nënshkruaj as në Ohër më 18 mars, këtë gjysmë marrëveshje edhe pse ç‘është e vërteta, në letrën e Presidentit Joe Biden, flitej për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe jo për ngritjen e asociacionit në krye-temë të marrëveshjes”, u shpreh ai.

Image
Gani Qarri

Më tej, analisti thotë që opozita është arsyeja pse Kosova sot përballet me Asociacionin dhe se kryeministri Kurti është detyruar të filloj me strategjinë e 6 pikëshit.

“Për aq më tepër, i lënë vetëm, padrejtësisht nga të gjithë dhe i atakuar tmerrësisht nga gjitha anët, jo vetëm nga ndërmjetësuesit e huaj Eskobar e Lajçak, por veçanërisht nga opozita e inkriminuar, kryeministri Kurti, u detyrua që të startonte me strategjinë e mirë menduar mbrojtëse të 6 pikëshit dhe paraqitjes së kushteve nga ana e Kosovës, duke u deklaruar i gatshëm ta nënshkruante edhe propozimin e BE-së, të njohur ndryshe si plani franko-gjerman, si bazë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. Por sa i takon asociacionit, të cilin opozita e inkriminuar ia la kopil në derë, Kosovës, duke u nënshkruar dy herë, nga ish kryetarët e tyre Thaçi & Mustafa dhe miratuar me votat e deputetëve të PDK-së dhe LDK-së bashkë me votat e Listës serbe edhe në Kuvend. Kryeministri Kurti serish ka theksuar, se asociacioni, si detyrim i trashëguar nga opozita, mund të formohet vetëm si asociacion, jo-një etnik, duke ndërruar emërtimin dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, shpjegoi analisti.

Qarri thotë tutje që deklarata e fundit e Kurtit ishte kundërpërgjigjja e duhur për opozitën dhe se kryeministri Kurti duhet ta mbrojë me të gjitha mënyrat parimin e reciprocitetit, të cilin për fat të mirë, ai tanimë ka arrit ta fus si pikë në planin franko-gjerma.

“Kështu që së fundi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka sqaruar se këshilltarët e tij dhe disa nga ministrat janë duke trajtuar 15 modelet që emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ia ka ofruar Qeverisë, si modele të trajtimit të pakicave kombëtare në Bashkimin Evropian, për të inkorporuar elemente adekuate, që edhe pakicat në Kosovë të jenë në nivelin e duhur, por pa bërë në asnjë mënyrë kompromis me kushtetutshmërinë, ligjshmërinë dhe funksionimin e shtetit të Kosovës që është edhe përgjigjja më e mirë dhe e duhur, jo vetëm për Vuçiqin por edhe për opozitën e inkriminuar, e cila në vazhdimësi “sulmon” pa asnjë arsye dhe kriter, kryeministrin Kurti! Por duke pasur parasysh gjendjen e dhembshme të shqiptarëve në Kosovën Lindore, kryeministri Kurti duhet ta mbrojë me të gjitha mënyrat parimin e reciprocitetit, të cilin për fat të mirë, ai tanimë ka arrit ta fus si pikë në planin franko-gjerman, dhe ta përdor atë si mundësi për trajtim dhe të drejta të barabarta të shqiptarëve nën Serbi, njëjtë me të drejtat që do të gëzojnë pjesëtarët e pakicës serbe në Kosovë”, nënvizoi Qarri për “Bota sot”.

Kelmendi: Subjekti që po organizohet në Kosovë për pakicen serbe është një autonomi e gjerë

Ndërsa juristi Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim për “Bota sot”, shtjellon çështjen e Asociacionit në mënyrë juridike duke theksuar që po krijohet një subjekt për minoritetin serb.

“Z.Kurti i përmendi mbi 10 statute. Sa janë nuk dihet. Ne mundemi vetëm të spekulojmë. Mirëpo, ajo që duhet theksuar këtu, është fakti se po krijohet një subjekt për minoritetin serb, i cili mjafton që kompetencat e komunave t'i bashkojë në një vend qëndror në nivel të subjektit dhe subjektiviteti juridiko-politik veç të ndërtohet. Asociacioni me kompetencat që i kanë komunat është mjaftë i fuqishëm. Fushat e asociacionit janë ato administrative, të rendit dhe të sigurisë, të arsimit dhe të shëndetësisë, të kulturës, të rendit gjyqësor dhe prokurorial dhe të prones, të infrastrukturës dhe të planifikimit zhvilimor të subjektit politiko-jurudik. Vetëm me kompetenca mjaftojnë të barten në një qendër udhëheqëse dhe të krijohet një subjekt i ri politiko-juridik dhe organizativ. Tamam njësi e re shtetërore serbe në Kosovë”, u shpreh juristi.

Image
Muhamet Kelmendi

Në fund, ai shprehet skeptik nëse Asociacioni nuk do të sjellë probleme në Repulikën tonë.

“Në fakt plani franko - gjerman apo i UE-së dhe i SHBA-ve i jep mundësi komunave në asociacion që t'i bartin kompetencat në një qendër. Është nen i veçant ku theksohen që marrëveshjet midis Kosovës dhe Serbisë të realizohen. Këtu bënë pjesë Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Në këtë kontekst, ska rëndësi se si do të quhet, ndoshta jo asociacion, por me emër tjetër, megjithatë me kompetencat e përmendura është subjekt i ri shtetëror që po lind në territorine Kosovës. E keqja është se veç komunave veriore do të futen në këtë subjekt edhe shumë komuna brenda Republikës, e që de-fakto është përfundimi Republikës në sovranitet dhe në tërësi territoriale të shtetit. Ky subjekt thuhet në marrëveshje do të ruan një kanal komunikiml me Prishtinën. Nuk qëndron se t' i nënshtrohet shtetit të Kosovës, por thuhet vetëm do të ketë një kanal komunikimi”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat