Njohja nga Greqia - Analistët: Kështu duhet t’i kundërpërgjigjet Kosova fushatës së egër të Serbisë

Politika

Njohja nga Greqia - Analistët: Kështu duhet t’i kundërpërgjigjet Kosova fushatës së egër të Serbisë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 29 mars 2023 Në ora: 18:51
Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiq

Presidentja greke Katerina Saelaropolou, ka deklaruar se qëndrimi i Greqisë për mos njohjen e Kosovës nuk ka ndryshuar.

“Greqia përveç qëndrimit të saj të njohur për statusin e Kosovës ndjek një politikë konstruktive në raport me Kosovën, e cila (politikë) synon të forcojë stabilitetin...” ka deklaruar presidentja greke, Katerina Saelaropolou të hënën, ndërsa të nesërmen u takua me presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Presidentja greke ia ka “përsëritur” Vuçiqit qëndrimin e Greqisë, gjersa ka shtuar se presionet nuk kanë ndikuar në pozicionin e tyre.

Gjithmonë ka presione në nivel diplomatik, por kjo nuk ka ndikuar në pozicionin tonë, ne kemi konsistencë në politikë”, tha Sakellaropoulou pas takimit të saj me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Kurse, presidenti serb, ka deklaruar se Serbia dhe Greqia kanë konfirmuar përkushtimin dhe mbështetjen e integritetit.

“Serbia dhe Greqia kanë konfirmuar përkushtimin dhe mbështetjen e tyre ndaj parimeve të Kartës së OKB-së, Rezolutës së OKB-së, integritetit territorial të njëra-tjetrës dhe ashtu si Greqia mbështet integritetin e Serbisë, Serbia gjithashtu mbështet integritetin e Republikës së Greqisë në tokë, det, ishuj dhe ajër. I jam mirënjohës presidentes për mbështetjen e qartë dhe pa mëdyshje”, ka pretenduar Vuçiq.

Sipas tij, “është e rëndësishme që Serbia të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe shtoi se e ka njoftuar presidenten greke se është jashtëzakonisht e rëndësishme të gjendet një zgjidhje kompromisi me Prishtinën”.

Gjersa, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për një marrëveshje normalizimi të raporteve, Vuçiq bën deklarata të atilla, të cilat asocojnë në mbështetje të vendeve, për mos njohjen e Kosovës.

Rreth “lobimit” të Serbisë kundër Kosovës dhe pavarësisë së saj edhe pas pranimit të marrëveshjes në Ohër, analistët thonë se Kosova para se ta pranonte marrëveshjen do të duhej të kërkonte njohjen e pesëshes evropiane. Sipas tyre, tani Kosova duhet të gjejë mënyra ta parandalojë fushatën e Serbisë.

Haziri: Marrëveshja parasheh vetëm që Kosova dhe Serbia mos ta pengojnë njëra- tjetrën për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare

Analisti politik, Nexhat Haziri, thotë se marrëveshja nuk jep garanci për njohje nga vendet e BE-së.

Image
Nexhat Haziri

“Marrëveshja e Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk jep garanci për njohje nga 5 shtetet mosnjohëse, të BE-së  siç është edhe Greqia, dhe po ashtu nuk precizohet sanksionimi i fushatës së Serbisë për mosnjohje të Kosovës nga shtetet e tjera. Marrëveshja parasheh vetëm që Kosova dhe Serbia mos ta pengojnë njëra- tjetrën për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare dhe nuk mund ta përfaqësojnë njëra tjetrën në këto organizata”, deklaron Haziri.

Sipas tij, Kosova duhet të gjejë mënyra që ta parandalojë fushatën e Serbisë që do e pengojë apo dëmtojë marrëveshjen e Ohrit.

“Kjo marrëveshje gjithashtu parasheh normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve në fushat e caktuara, të cilat janë specifikuar në marrëveshje. Ndërsa sa i përket fushatës së Serbisë për ta penguar njohjen e Kosovës nga shtetet e tjera, qeveria jone duhet të gjejë forma për t’iu kundërvënë kësaj fushate, të cilat nuk do ta pengonin apo dëmtonin marrëveshjen e arritur në Ohër më 18 mars, dhe për ta bërë këtë kërkohet një diplomaci aktive dhe e koordinuar edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë”, thekson Haziri.

Duhanaj: Kosova duhej të kërkonte nga BE njohje nga 5-shja evropiane

Image
Leon Duhanaj

Në anën tjetër, analisti politik Leon Duhanaj, shprehet se nga marrëveshja e Ohrit nuk duhet pritur shumë.

“Pas marrëveshjes së Ohrit, e cila nuk ka as nënshkrim e as përcaktim kohor, përpos që llogaritet që palët të negociojnë për përmbajtjen, dhe pastaj t'i zbatojnë pikë për pikë, për t'i përfunduar diku pas 10 vjetësh, nuk ke çfarë të presësh me shumë se sa një status quo e re”, pohon Duhanaj.

Sipas tij, Kosova para se të pranojë marrëveshjen është dashur të kërkojë njohje nga 5-shja evropiane.

“Për fat të keq, Serbia do ta shfrytëzojë ketë kohë për ta zvarritur procesin, në mënyrë që Kosova të pengohet në konsolidimin e saj si shtet. Në këtë segment, do të ndikojë edhe në çështjen e njohjes, duke shfrytëzuar situatat e shteteve të ndryshme për të nxjerrë krahasime dhe paralele me Kosovën. Në këtë pikë, është dashur që Kosova para se të pranojë marrëveshjen të kërkojë nga BE njohje nga 5-shja Evropiane. Tani jemi si jemi dhe gjërat do të vazhdojnë të jenë zvarrë dhe në tavolinë negociatash, duke shkuar nga kompromisi bë kompromis”, përfundon Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat