Biserko: Vuçiq me çdo kusht e do këtë gjë në Kosovë, të reagojë Perëndimi ose do të shqetësohet i gjithë rajoni

Politika

Biserko: Vuçiq me çdo kusht e do këtë gjë në Kosovë, të reagojë Perëndimi ose do të shqetësohet i gjithë rajoni

Nga: A.Zh Më: 29 prill 2023 Në ora: 11:46
Sonja Biserko dhe Aleksandar Vuçiq

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka thënë se ajo çfarë do të ndodhë më 2 maj, në takimin e ardhshëm Kosovë-Serbi në Bruksel varet shumë nga ndërmjetësit, sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në takimin e radhës mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, pritet të miratohet deklarata për personat e zhdukur si pikë e parë e rendit të ditës dhe kjo do të pasohet me paraqitjen dhe diskutimet rreth kuadrit të parë të statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Pas këtyre dy temave, sipas zëdhënësit të Komisionit Evropian Peter Stano, do të shihet sesa mund të diskutohet edhe për çështje të tjera të rëndësisë politike mes të dyja vendeve.

Diplomatët perëndimor kanë thënë se presin nga Kurti dhe Vuçiq, që gjatë takimit të 2 majit të arrijnë përparim në zbatimin e marrëveshjes.

Por, duke folur për gazetën “Bota sot”, Sonja Biserko ka thënë se nëse ndërmjetësit nuk ia dalin të arrijnë rezultat në negociata kësaj here, ata do të dështojnë me politikën e tyre në Ballkan.

“Të dyja palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Është e vështirë të gjykosh se çfarë do të ndodhë duke pasur parasysh se asgjë nuk është arritur deri tani.

Varet shumë nga ndërmjetësit dhe do të thosha nga SHBA. Do të ishte dështim i politikës së tyre ballkanike në rast se nuk ia dalin kësaj radhe”, ka deklaruar Biserko për “Bota sot”.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit ka folur gjithashtu edhe për zgjedhjet lokale që u mbajtën në katër komuna në veri të Kosovës më 23 prill. Ajo ka thënë se përmes thirrjeve të tij për bojkotimin e këtyre zgjedhjeve nga serbët në veri, Vuçiq dëshiron konfliktin e ngrirë.

“Vuçiq me çdo kusht dëshiron të mbajë status quo-në ose konfliktin e ngrirë. Është gjithashtu një preferencë e Moskës. Është vendim i Vuçiqit që të bojkotojë zgjedhjet në veri. Serbët në Kosovë po paguajnë një çmim të lartë për manipulimet e tij”, ka pohuar më tej Biserko.

Ajo ka kërkuar nga ndërkombëtarët që të mos tolerojnë më presidentin serb, por ta ndëshkojnë dhe izolojnë përmes sanksioeneve.

Sipas saj, rajoni do të ketë shqetësim të madh, nëse Vuçiq vendos të pozicionohet me Lindjen.

“Shpresoj që komuniteti perëndimor të mos tolerojë më një sjellje të tillë... Perëndimi ende shpreson të fitojë Vuçiqin për opsionin e BE-së. Unë besoj se në një moment ata do të duhet të ushtrojnë presion më të ashpër, duke përfshirë sanksionet. Do të thoshte izolim për Serbinë. Në rast se Vuçiq vendos të shkojë me Lindjen, do të jetë një shqetësim i madh për të gjithë rajonin.

Ka shumë gjëra që po ndodhin në Serbi këtyre ditëve. Shpresojmë për më mire”, ka përfunduar Biserko për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat