“Heshtja” e emisarëve përballë Serbisë destabilizuese, Maxharraj del me një kërkesë rreth dialogut

Politika

“Heshtja” e emisarëve përballë Serbisë destabilizuese, Maxharraj del me një kërkesë rreth dialogut

Nga: A.SH. Më: 25 maj 2023 Në ora: 23:02
Gabriel Escobar, Albin Kurti dhe Mirosllav Lajçak

I dërguari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi ka thënë se nuk ka asnjë arsye që Kosova të mos e themelojë Asociacionin.

Ai madje ditë më parë kishte deklaruar se ky është një obligim për palën e Kosovës.

“Edhe nga Kosova pritet të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Më falni, kjo nuk është pritje. Është obligim”, tha Eskobar.

Analisti Binak Maxharraj në një prononcim për “Bota sot” ka folur në lidhje me presionin që po i bën Amerika, konkretisht i dërguari amerikan Gabriel Escobar Kosovës, për themelimin e Asociacionit.

Sipas tij, me presionin nga BE Kosova është mësuar tashmë, por nga Amerika po duket paksa e çuditshme.

Ai madje thotë se në dialog emisarët po përdorin standarde të dyfishta.

“Duhet në veçanti të theksohet se Senatori Bob Mendenez në fjalën e tij në Seancën e Komitetit për punë të jashtme të Senatit Amerikan në veçanti u shpreh për shqetësimet e tij për standardet e dyfishta që po përdoren gjatë dialogut midis Kosovës dhe Serbisë kur njëra palë nga emisarët e BE dhe ShBA-së kërcënohet, bile edhe fyhet siç është Kosova kur heziton me plot të drejtë të formojë Asociacionin një etnik ani pse Kosova i pranoi marrëveshjet e Brukselit më 27 mars 2023 dhe 18 prill 2023, kurse Serbia anipse pohonte publikisht u deklarua disa herë se nuk do t’i zbatojë marrëveshjet e Brukselit dhe atë të Ohrit.

Krijimi i standardeve të dyfishta në dialog nuk është e çuditshme nga ana e BE-së kur dihet se BE-ja qëllimshëm i ka zgjedhur emisarët e tyre në dialog pro serb si Borrellin dhe Lajçakun, të cilët vijnë nga dy vendet e pesëshes që nuk e kanë njohur Kosovën, nga Spanja dhe Sllovakia. Këta të dy, si dhe të tjerët me herët, gjithnjë ia kanë mbajtur anën Serbisë dhe Vuçiqit në kërkesat e tyre të cilat kishin dhe kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës. Emisarët ndërmjetësues të BE-së asnjëherë nuk reaguan siç duhet për situatat e krijuare qëllimshëm nga Serbia, përmes kriminelëve dhe bandave me qëllim të destabilizimit të veriut, ata nuk reaguan as kur u vunë barrikadat disa javë vitin e kaluar, as kur Vuçiqi i nxori qëllimshëm serbët e veriut nga të gjitha institucionet e Kosovës, nuk reaguan siç duhet as kur u mbajtën zgjedhjet lokale në veri, e sidomos kur Vuçiq bënte presion dhe kërcënim mbi serbët e Veriut që t’i bojkotojnë zgjedhjet duke u dëmtuar pronat, veturat,duke i kërcënuar etj”, shprehet ai.

Maxharraj, biles Escobarin e krahason me Grenellin, kur në atë kohë bënte presion shumë më të madh ndaj Kosovës sesa ndaj Serbisë.

Image
Analisti Binak Maxharraj

“Por, pse këto standarde të dyfishta përdoren edhe nga emisarët e Amerikës në dialog. Gjatë Administratës së Trampit, emisari i tij Richard Grenell ashiqare e kërcënonte Kosovën lidhur me taksën dhe reciprocitetin, të cilin Serbia e zbatonte, por e pengonte Kosovën të bëjë të njëjtën gjë. Ai ishte aq i ashpër sa që urdhëroi që me ultimatum brenda shtatë ditësh të rrëzohet qeveria Kurti I, por edhe për shkak se Kurti nuk pranoi t’i bënte shoqëri Hashim Thaçit që së bashku të shkojnë në Shtëpinë e Bardhë, ku së bashku me Vuçiqin planifikohej t’i futnin thikat në hartën e Kosovës. Kjo se çka bëri Grenelli me grenellistët e Kosovës është diçka e pa imagjinuar për demokracinë amerikane, të përzihet qëllimshëm në punët e Kosovës, për të dëmtuar atë, dhe në dobi të Serbisë. Por ne dialogun midis Kosovës dhe Serbisë nuk ishte aspak më i mirë, më i sinqertë as Gabriel Escobar, i cili me bullizmin e tij ia mbante anën Serbisë për çdo gjë edhe kur e drejta nuk ishte në anën e saj, e duke e kërcënuar Kosovën për gjoja mos zbatimin e Asociacionit. Nuk është fort befasuese se qëndrimet e këtilla që vijnë nga BE pro Serbisë, sepse kjo është historikisht e njohur, por është shumë e çuditshme çmenduria, insistimi dhe presioni i paparë për formimin e Acociacionit një etnik serb, edhe nga përfaqësuesit nga Amerika, duke ia mbajtur anën Serbisë. Këtë e përkrahin edhe dy ambasadat e ShBA-së, në Kosovë e sidomos ai në Serbi, sepse atje është emëruar aksidentalisht për ambasador Christopher Hill, një pro serb dhe njeriu i cili ka qenë kundër pavarësisë së Kosovës”, nënvizon analisti.

Në fund, ai i numëron të gjitha ato ‘kërcënime’ që po i bëhen Kosovës për themelimin e Asociacionit, për ta larguar nga pozita Escobarin.

“Bullizimi i Gabriel Escobar shkon edhe më larg nga kërcënimet e tij se Asociacioni një etnik serb duhet të ndodhë ani pse çfarëdo çoftë ai është një rrezik potencial për sovranitetin e Kosovës, duke i pasur parasysh aspiratat e Serbisë për territore apo ndarje te Kosovës. Escobar shkon edhe me larg me arrogancën dhe kërcënimin e tij kur thotë se Asociacionin nuk mund ta ndalojë asnjë njeri dhe asnjë parti”, duke i anashkaluar institucionet e Kosovës dhe sikur po harron se “ai njeri dhe ajo parti”, sot janë institucionet më të besueshme të dala nga vota e popullit, i zemëruar aq fort në këtë njeri dhe parti ai shkon edhe më larg me bullizimin e tij duke theksuar se Asociacioni nuk është punë midis Kurtit dhe Serbisë, por mes Kosovës dhe Serbisë. Paksa e çuditshme z. Escobar, .... e kush e përfaqëson Kosovën pos të zgjedhurit e popullit! Escobar, por edhe Hill e mbështesin Serbinë në çdo gjë edhe ateherë kur ajo i gënjen dhe i mashtron, nuk e kundërshtojnë Serbinë edhe ateherë kur ajo nuk zbaton marrëveshjet e arritura.

Si të tillë nuk janë të përshtatshëm që edhe më tutje të qëndrojnë në pozitat e tyre. Vërejtjet ndaj Escobarit dhe sjelljes së tij në dialog midis Kosovës dhe Serbisë u panë edhe në seancën e Komitetit për punë të jashtme, të Senatit Amerikan”, përfundon Maxharraj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat