Deklarata e fuqishme e publicistit serb: Godet Vuçiqin dhe Listën serbe, ja çka thotë për Kurtin

Politika

Deklarata e fuqishme e publicistit serb: Godet Vuçiqin dhe Listën serbe, ja çka thotë për Kurtin

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 27 maj 2023 Në ora: 14:00
Policia e Kosovës ruan ndërtesën e Komunës së Zveçanit. 27 maj 2023

Situata në katër komuna veriore sot është e qetë, por me prani të policisë së Kosovës.

Sipas raportimeve, para ndërtesës së Komunës së Leposaviqit janë vendosur tri autoblinda policore me rreth 20 pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Në afërsi të ndërtesës së komunës, po ashtu janë parë ekskavatorë që po heqin rërën e hedhur një ditë më parë para ndërtesës së Komunës.

Forcat e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, nuk mungojnë as Zveçan e Zobin Potok.

Policia ka njoftuar se dje janë lënduar pesë policë dhe katër automjete janë dëmtuar, duke theksuar se një prej veturave është djegur.

Lidhur me situatën e së premtes në veri, ka folur për “Bota sot” publicist serb, Zlatoje Martinov.

Sipas Martinov, është e ligjshme që kryetarët e komunave të emërohen në bazë të rezultateve të zgjedhjeve komunale.

Ai thotë se serbët kanë bojkotuar zgjedhjet me urdhër të Vuçiqit, gjersa pyet se kush e ka fajin për mos pjesëmarrjen e tyre.

“Është plotësisht e ligjshme që kryetarët e komunave të emërohen në bazë të rezultateve të zgjedhjeve komunale. Serbët i bojkotuan zgjedhjet komunale të prillit me urdhër të Vuçiqit dhe kush e ka fajin që nuk ka marrë pjesë në pushtetin lokal? Ata kanë dhënë dorëheqje nga policia nga strukturat bashkiake dhe nuk mund të habisin faktin që duhet të vendoset qeverisja në komuna. Sepse pa qeveri do të kishte anarki, grabitje dyqanesh, argjendari, përdhunime, vjedhje...Qeveria e re është e ligjshme, e bazuar në ligj, edhe pse nuk ka legjitimitet. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se katër komunat në veri është dashur të lihen të funksionojnë pa asnjë autoritet”, shprehet Martinov.

Image
Zlatoje Martinov

Në katër komunat në veri të Kosovës, në zgjedhjet lokale të 23 prillit u zgjodhën katër kryetarë të rinj shqiptarë, pasi në këto zgjedhje të jashtëzakonshme nuk morën pjesë partitë serbe.

Pas zhvillimeve në veri, Lista Serbe i ka kërkuar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që të tërhiqet nga dialogu me Kosovën në Bruksel.

“Ne përfaqësuesit politike të serbëve në Kosovë, sikurse edhe të popullit serb, i kërkon presidentit Vuçiq që me të lidershipin shtetëror menjëherë ta pezullojë pjesëmarrjen e mëtejme në dialogun me Prishtinën”, është shprehur Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.

I pyetur sesi do të duhej të vepronte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas rezultateve në katër komuna në veri, Martinov, thotë se ai nuk ua ka ndaluar serbëve pjesëmarrjen në zgjedhje.

“Nuk ishte Kurti ai që ua ndaloi serbëve pjesëmarrjen në zgjedhje dhe në qeverisje që sigurisht do ta kishin nëse do të kishin shkuar në zgjedhje, ishte Vuçiqi. Dhe pasardhësit e tij nga Lista Serbe”, pohon Martinov.

Për situatën në veri kanë reaguar edhe ndërkombëtarët.

Shtetet e Bashkuara paralajmëruan se veprime të tilla do të rezultojnë “me pasoja” në raportet dypalëshe me Kosovën.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se veprimet e Kosovës përshkallëzuan “tensionet pa nevojë, duke i minuar përpjekjet për të ndihmuar në normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

“Ne i bëjmë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që ta ndryshojë kursin në të gjitha drejtimet dhe të përmbahet nga veprimet tjera që mund të rrisin tensionet dhe të promovojnë dhunë", u shpreh Blinken.

Veprimet e institucioneve të Kosovës i dënoi edhe Bashkimi Evropian, që ndërmjetëson dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Brukseli tha se nuk do të pranojë asnjë veprim “të mëtejshëm dhe të njëanshëm, e provokues”.

"Ne dënojmë vendimin e Kosovës për ta bërë me forcë hyrjen në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, pavarësisht thirrjes sonë për përmbajtje", u tha në reagimin e BE-së.

Shtetet e QUINT-it (SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Italia), po ashtu reaguan, duke kërkuar uljen e menjëhershme të tensioneve.

"Ne dënojmë vendimin e Kosovës për ta bërë me forcë hyrjen në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, pavarësisht thirrjes sonë për përmbajtje", tha QUINT.

Publicisti serb thotë se dhuna është shkaktuar nga qytetarët e nacionalizmit serb që penguan kryetarët të e ligjshëm të futeshin në detyrë.

Sipas tij, do të duhej të dënohej Vuçiqi dhe Lista Serbe, e jo të kritikohej Kurti.

“Është e jashtëzakonshme, nëse është e vërtetë, që Ambasada e SHBA-së në Prishtinë e kritikoi Kurtin për dhunë. Dhuna u shkaktua nga ata qytetarë të nacionalizmit serb të cilët penguan që kryetarët e komunave të zgjedhur ligjërisht të futeshin në detyrë. Ata kanë gjuajtur me gurë policinë dhe kanë shkaktuar reagimin e tyre. Prandaj, nëse ambasadori amerikan Hovenier dhe ambasadorët Quinte duhej të dënonin dhe kritikonin dikë, atëherë ishte Vuçiqi dhe satrapët e tij nga Lista Serbe që i nxitën qytetarët të sulmojnë policinë”, shton Martinov.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat