Kosova mes rreziqeve të sigurisë dhe aleancave të NATO-s, SHBA-së e BE-së

Politika

Kosova mes rreziqeve të sigurisë dhe aleancave të NATO-s, SHBA-së e BE-së

Arife Morina-Mulaku Nga Arife Morina-Mulaku Më 18 mars 2025 Në ora: 22:37
Ilustrim

Duke parë zhvillimet gjeopolitike botërore, luhatjet në diskutimet brenda BE, SHBA e NATO-s, atëherë mund të themi se siguria në Kosovë vihet deri diku në diskutim.

Kjo për shkak se përtej kufirit, është Serbia, që ka ende pretendime territoriale ndaj Kosovës, e cila vazhdon ta forcojë ushtrinë me armë, si nga Perëndimi, ashtu edhe nga Lindja.

Për Kosovën, ky është një nga kërcënimet kryesor për sigurinë e saj dhe ka pasur disa raste, viteve të fundit, kur shteti serb ka grumbulluar trupa në kufi.

Në vazhdën e zhvillimeve të fundit gjeopolitike, ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci bëri të ditur se për katër vjetët e ardhshëm, parashikohet një buxhet prej mbi 1 miliard eurosh për mbrojtjen e Kosovës.

Gjithashtu, Maqedonci shtoi se, “të gjitha blerjet tona ushtarake realizohen nga vendet anëtare të NATO-s”.

“Ky është një standard, i cili garanton pajisje cilësore dhe përputhshmëri të plotë me sistemet e aleancës”, thekson ai.

Sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, ministri vlerëson se Kosova ka kapacitete shumë më të avancuara, krahasuar me disa vite më parë.

Për shkak të ndjeshmërisë së informacionit, ai nuk jep detaje se çka prej armatimit posedon vendi, por, mes tjerash, përmend “një flotë të dronëve Bayraktar” dhe “sisteme të tjera të fluturakeve pa pilotë”.

Ekspertët folën për faktin nëse siguria e Kosovës mund të preket nga zhvillimet e ndryshme gjeopolitike.

Po ashtu, ata theksuan edhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit me NATO-n dhe investimet në kapacitetet ushtarake.

Dashevci: Kapacitetet mbrojtëse të Republikës së Kosovës janë plotësuar tej mase dhe me një ritëm të përshpejtuar

E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Arben Dashevci.

Image
Arben Dashevci

Si fillim, ai vlerësoi ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, duke potencuar se situata e sigurisë në vend është e qetë.

“Kapacitetet mbrojtëse të Republikës së Kosovës janë plotësuar tej mase dhe me një ritëm të përshpejtuar sa që mendoj se në vitin 2028 Kosova në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë do t’i ketë kapacitetet e plota operacionale.

Situata e brendshme e sigurisë është e qetë dhe unë mendoj që kështu do të vazhdojë të jetë e qetë (e qetë edhe në 4 komunat matanë lumit Ibër)”.

Gjithashtu, Dashevci përmendi edhe sulmet terroriste nga bandat serbe me të cilat u përball Kosova në vitet e fundit.

“Në aspektin e jashtëm e dimë fare mirë se çka na ka ndodhur në vitin 2023 dhe 2024 (jemi ballafaquar me sulme terroriste) që do të thotë se vigjilenca nuk ka alternativë.

Evropa po riarmatoset ky është faktë, kurse Kosovën po e armatos NATO dhe SHBA, ku hapja e fabrikës së municionit dhe dronëve tregon gjithçka”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, eksperti theksoi faktin se Kosova duhet të vazhdoj të jetë në vijë të njëjtë me SHBA-në.

“Jemi aleati kryesorë i SHBA-së në Ballkan dhe kështu duhet të vazhdojmë pa ndalur dhe me kujdes, në këtë rend të ri botëror dhe këto ndryshime të mëdha gjeopolitike.

Kosova duhet të vazhdoj të jetë në vijë të njëjtë me SHBA-në.

Të bashkëveproj, bashkërendoj dhe koordinoj politikat me SHBA dhe Britaninë e Madhe, si dhe partnerët strategjik nga BE”, përfundoi Arben Dashevci për “Bota sot”.

Gecaj: Situata e sigurisë në Kosovë në kontekstin e zhvillimeve globale

Kurse, eksperti tjetër i sigurisë, Hysen Gecaj e analizoi në disa pika situatën e sigurisë në Kosovë në kontekstin e zhvillimeve globale.

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot”, së pari përmendi mbështetjen e NATO dhe praninë e KFOR-it si një nga elementet më kyçe.

Image
Hysen Gecaj

“Situata e sigurisë në Kosovë në kontekstin e zhvillimeve globale

1. NATO-ja dhe mbështetja ndërkombëtare

Pavarësisht sfidave me të cilat përballet NATO-ja, prania e KFOR-it në Kosovë mbetet një element kyç për sigurinë e vendit. Mbështetja e aleatëve kryesorë, sidomos SHBA-së, mbetet thelbësore për stabilitetin në Kosovë dhe rajon”.

Po ashtu, Gecaj komentoi edhe intensifikimin e Kosovës për të rritur aftësinë mbrojtëse, në këtë rast edhe modernizimin e FSK-së.

“2. Përmirësimi i kapaciteteve të mbrojtjes

Siç ka theksuar ministri Ejup Maqedonci, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka bërë hapa të rëndësishëm në modernizimin e saj. Përveç furnizimeve me pajisje të avancuara ushtarake dhe trajnimeve të specializuara, Kosova ka intensifikuar bashkëpunimin me shtetet perëndimore për të rritur aftësitë mbrojtëse. Deklarata e ministrit nuk duhet trajtuar në mënyrë bukvale. Kosova në çfarëdo rrethanash dhe në çfarëdo kapacitetesh duhet ti kundërvihet çfarëdo agresioni mirëpo një bashkërendim është i domosdoshëm me aleatët tanë sepse kjo ndikon në parandalimin ose minimizimin maksimal të pasojave të një lufte eventuale. Prandaj janë të domosdoshme mirëmbajtja e mirëbesimit me NATO, Britaninë e madhe dhe BE”, shpjegoi ai.

Tutje, eksperti theksoi edhe rrezikun që ekziston nga tensionet rajonale, si dhe në atë se si duhet të veprojë Kosova në sfida të brendshme dhe të jashtme.

“3. Rreziku nga tensionet rajonale

Duke pasur parasysh situatën në Ukrainë dhe përplasjet e fundit në veriun e Kosovës, është e qartë se zhvillimet globale mund të ndikojnë në sigurinë e vendit. Serbia vazhdon të mbajë një qëndrim agresiv ndaj Kosovës, ndërsa rritja e bashkëpunimit të saj ushtarak me Rusinë dhe Kinën mbetet shqetësuese.

4. Sfida të brendshme dhe të jashtme

Brenda vendit, Kosova duhet të vazhdojë ndërtimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe të forcojë institucionet e sigurisë.

Në nivel ndërkombëtar, vendi duhet të sigurojë mbështetje të vazhdueshme nga aleatët dhe të mbetet i integruar në strukturat euro-atlantike”, shtjelloi Gecaj.

Në fund, ai shtoi se Kosova mund t’i menaxhojë rreziqet me përmirësimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe koordinimin me ndërkombëtarët.

“Kosova është në një pozitë të ndjeshme gjeopolitike, por me përmirësimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse dhe mbështetjen e aleatëve perëndimorë, rreziqet mund të menaxhohen. Megjithatë, mbetet e rëndësishme që vëmendja të jetë maksimale, sidomos përballë dinamikave të reja në Evropë dhe Ballkan”, përmbylli Hysen Gecaj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat