“Matematikat e Albin Kurtit për qeverinë e re”, flasin nga AKR- kanë një ‘kërkesë’

Politika

“Matematikat e Albin Kurtit për qeverinë e re”, flasin nga AKR- kanë një ‘kërkesë’

Nga: N.E Më: 5 prill 2025 Në ora: 12:27
Albin Kurti

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 15 prillin si datë për mbajtjen e seancës konstituive të përbërjes së re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e rregullta të 9 shkurtit.

Ky është hapi i parë konkret në formimin e institucioneve të reja të shtetit, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 27 mars.

Pas caktimit të seancës, Glauk Konjfuca në cilësinë e kryetarit të Kuvendit ka caktuar 8 prillin datë kur do të mbahet takimi për të diskutuar për përgatitjet e seancës konstituive të legjislaturës së nëntë.

Rendi i ditës duhet të përfshijë formimin e një komisioni të përkohshëm që bën verifikimin e kuorumit dhe mandateve, betimin e deputetëve të rinj, zgjedhjen e kryetarit të kuvendit dhe nënkryetarëve, votimin e raportit të komisionit të lartpërmendur dhe përcaktimin e vendeve të deputetëve në sallë, sipas fuqisë politike.

Seanca konstituive kryesohet nga deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga deputeti më i ri në moshë.

Në këtë seancë deputetët bëjnë betimin – ata që mungojnë mund ta bëjnë në seancën pasuese – dhe partia e parë, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, propozon kandidatin për kryetar të Kuvendit.

Nënkryetarët, ndërkaq, propozohen nga një nga partitë më të mëdha dhe nga komunitetet joshumicë dhe komuniteti serb.

Seanca konstituive, sipas Rregullores së Kuvendit, përfundon me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.

Në anën tjetër, zgjedhjet e 9 shkurtit nuk kanë nxjerr një fitues që do të mund ta formonte qeverinë i vetmi.

Në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 20.95 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27 për qind, koalicioni AAK-Nisma 7.06 për qind. Në bazë të këtyre shifrave, Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 48 deputetë, PDK 24, LDK 20, AAK-Nisma 8 si dhe komunitetet jo shumicë 20 deputetë.

Lideri i LVV-së, Albin Kurti, veçse ka nisur konsultimet me partitë joshumicë për formimin e qeverisë së re.

Në anën tjetër, deputetë nga kjo parti thonë se tashmë ata i kanë votat edhe për qeverinë edhe për kuvendin.

Sekretari i AKR-së dhe njohësi i ҫështjeve politike, Vesel Makolli, thotë se është një rast unik në botë demokratike që fituesit i zgjedhjeve me mbi 40 për qind që gjithashtu në qeverisje me mandat të plotë katërvjeçar bën ankesa.

Sipas tij, pozita po i frikësohet marrjes së përgjegjësisë.

“LVV, si e para parti e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, me veprimet e saj paszgjedhore e ka vonuar krijimin e institucioneve shtetërore, duke dhënë sinjale (isharete) se nuk është e interesuar për krijimin sa më të shpejtë të qeverisë dhe ballafaqimin me obligimet që e presin, veçanërisht në rrafshin ndërkombëtar. Është një rast unik në botën demokratike që fituesi i zgjedhjeve me mbi 40%, që është gjithashtu në qeverisje me mandat të plotë katërvjeçar, në vend që t’i gjejë sa më shpejt numrat, gjegjësisht partnerin qeverisës dhe të krijojë qeverinë, siç veprohet në botën demokratike perëndimore, bën ankesa, dhe nëse i lexon dikush që nuk është i informuar me rezultatin, mund të mendojë se LVV është humbëse e jo fituese. Kryeministri në detyrë deri tani ka biseduar vetëm me partitë e minoriteteve, të cilat kanë numrat e rezervuar të deputetëve, dhe jo me ndonjë nga partitë e tjera parlamentare të opozitës, të cilat bashkë kanë më shumë deputetë se LVV. Kjo tregon se pozita po i frikësohet marrjes së përgjegjësisë, pasi është e vetëdijshme për obligimet që e presin, lidhur me marrëveshjet ndërkombëtare që vetë i ka pranuar”, shprehet Veseli.

Image
Sekretari i AKR-së dhe njohësi i ҫështjeve politike, Vesel Makolli

Ai thotë se qeveria e re e Kosovës duhet të jetë bashkëpunuese me nënshkruesit e pavarësisë, SHBA-në dhe aleatët.

“Ngjarjet e fundit në rrafshin ndërkombëtar, sidomos veprimet e fundit të kryetarit amerikan Donald Trump, tregojnë se në horizont po vërehet një rend i ri gjeopolitik botëror, me një konstelacion të ri të fuqive të mëdha. Kjo e obligon Kosovën të jetë "syçel" dhe të krijojë sa më shpejt qeverinë, të ketë në funksion një diplomaci shumë më profesionale, më të ditur dhe më efikase, e cila duhet të angazhohet shumë për ta ngritur rejtingun e vendit tonë në rrafshin ndërkombëtar. Qeveria e re e Kosovës duhet të jetë strikt bashkëpunuese me nënshkruesit e Pavarësisë, SHBA-të dhe aleatët, për të arritur sa më parë marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, e cila do t’i hapte perspektivën e zhvillimit politik e ekonomik, si në rrafshin ndërkombëtar ashtu edhe vendor. Kosova ka nevojë për një qeveri të qëndrueshme që do të ketë numrat e nevojshëm për shtyrjen e proceseve jetike, siç janë edhe obligimet nga marrëveshjet ndërkombëtare që i ka marrë kjo qeveri me marrëveshjet e pranuara në Bruksel dhe në Ohër. Jetësimi i plotë i pavarësisë së Kosovës kërkon një qeveri stabile me numra të nevojshëm, çka nuk shihet se do t’i ketë LVV në mbledhjen konstituive të Kuvendit të Republikës që do të mbahet pas disa ditësh. Miqtë tanë ndërkombëtarë, me në krye nënshkruesit e Pavarësisë, SHBA-të, presin që Kosova t’i krijojë institucionet e saj sa më shpejt”, deklaron Veseli.

Kërkesën e deputetes Dude Balajt, Veseli e konsideron si dëm për shtetin, ndërsa mundësinë e blerjes së deputetëve, ai i sheh si pasoja negative për të ardhmen.

“Sa i përket kërkesës së deputetes Duda Balje, nuk duhet të lejohet për interesa partiake, në dëm të shtetit. Interesat e përgjithshme dhe shtetërore duhet të jenë mbi të gjitha. Po ashtu, "blerja" e deputetëve është një veprim që e shemb demokracinë dhe është vetëm një zgjidhje momentale, që do të ketë pasoja negative në një të ardhme të afërt, siç është zgjedhja e Presidentit/es pas një viti. Të gjithë liderët e partive parlamentare duhet ta kenë parasysh interesin e shtetit dhe mos ta lënë vendin në një pozitë pa institucione, dhe në këtë kontekst duhet të merren vesh ose të lëshojnë rrugë për ata që i kanë numrat, gjegjësisht ata që mund të krijojnë koalicion me numra të nevojshëm”, përfundon Veseli.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat