Ngërçi institucional rrezikon dialogun – publicisti zbulon pasojat e mosformimit të institucioneve

Politika

Ngërçi institucional rrezikon dialogun – publicisti zbulon pasojat e mosformimit të institucioneve

Nga: N.E Më: 20 maj 2025 Në ora: 22:19
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksander Vuciq

Dialogu Kosovë- Serbi ka ngecur. Takimi i fundit në nivel kryenegociatorësh ishte mbajtur në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa në nivel më të lartë nuk ka pasur takim tash e 19 muaj.

Bashkimi Evropian është i interesuar për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, qoftë përmes dialogut apo ndonjë instrumenti tjetër, ka thënë shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, në një intervistë për REL, muajin e kaluar

“Ndoshta është dialogu, ndoshta është një tjetër mjet. Jam e gatshme ta shqyrtoj këtë çështje, dhe do ta bëj këtë së bashku me përfaqësuesin e Posaçëm [për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen] në ditët në vijim”, u shpreh Kallas, e cila pritet ta vizitojë Kosovën për çështjen e dialogut.

Për dialogun Kosovë- Serbi, ishte diskuar edhe në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, i cili u mbajt të premten e kaluar në Tiranë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Mark Rutte, e kishte konfirmuar një gjë të tillë, duke thënë se dialogu Kosovë- Serbi dhe situate në Ballkanin Perëndimor patjetër që do të diskutohet.

Ndërkohë, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka shprehur shpresën që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të rifillojë në javët në vijim.

Këtë deklaratë ai e bëri gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, pas nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi për turizmin.

“Unë shpresoj që në javët e ardhshme të rifillojmë dialogun, si me Prishtinën, ashtu edhe me Beogradin, sepse secili vend është përballur me vështirësi. Në këtë mënyrë mund të bëjmë përparim. Është e rëndësishme për të gjithë rajonin”, deklaroi Macron para gazetarëve.

Ai theksoi se Franca do të vazhdojë ta mbështesë procesin e dialogut së bashku me partnerët evropianë.

“Nuk duhet të lejojmë që të vendoset një dialog i tërthortë, pasi kjo nuk është mënyra e duhur për të avancuar. Të paktën kemi një vullnet për fillimin e këtij avancimi, sepse mendoj se për sigurinë dhe bashkimin e Evropës duhet ta ndjekim këtë rrugë. Nuk është kurrë ide e mirë të mundohemi të përçajmë linjat apo të kemi dyshime për procesin”, shtoi ai.

Gjersa, ndërkombëtarët kërkojnë që dialogu të vazhdojë, situata dhe ngërçi politik që gjendet politika në Kosovë mund të ndikojë në ecurinë e dialogut.

Publicisti dhe shkrimtari Emin Azemi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se çështja e dialogut nuk lidhet vetëm me ngërçin politik.

Por, sipas tij, kjo situatë mund të reflektohet më tepër në aspektin ekonomik dhe social.

“ Ngërçi politik, që është pasojë e moskonstituimit të Kuvendit, mund t’i sjell dëme të mëdha Kosovës. Dhe qytetarët këto dëme do të mund t’i ndiejnë për çdo ditë. Kuptohet që ky ngërç politik ndikon edhe në ecurinë e dialogut, i cili edhe ashtu nuk ka qenë funksional edhe atëherë kur Kosova i ka pasur të konstiuuar të gjitha institucionet. Me fjalë të tjera, unë çështjen e dialogut nuk do ta lidhja vetëm me ngërçin politik, pasi që kjo temë kap një dimension më të gjerë problematikash të cilat zanafillën e kanë këtu e disa vite më herët. Gjithsesi, ngërçi politik, për mendimin tim do të reflektohet më tepër në aspektin ekonomik dhe social. Ju e dini se ka plot marrëveshje ndërkombëtare me karakter financiar, , me vlerë mbi 1 miliard euro, kanë mbetur pa u miratuar, siç është, bie fjala, edhe marrëveshja e financimit me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim. Për pasojë, Kosova këtë vit, sipas të gjitha gjasave do të jetë e anashkaluar nga Programi i Rritjes dhe Zhvillimit të Ballkanit Perëndimor. Nëse e kemi një klimë të tillë të disfavorshme biznesi, si pasojë e problemeve politike, atëherë çfarë investimesh të huaja mund të presim, në një kohë kur Kosova ka më së shumti nevojë për investimet tilla”, shprehet Azemi.

Image
Publicisti dhe shkrimtari Emin Azemi

Sipas tij, Serbia do të mundohet ta shfrytëzojë këtë situatë për qëllimet e veta destabilizuese ndaj Kosovës.

“Kjo situatë konfuze politike, me këtë vakuum institucional, Kosova mund të pësojë edhe në aspektin e etablimit ndërkombëtar dhe kjo gjithsesi do të ndikojë që Kosova të jetë sa më larg agjendës së Këshillit të Evropës dhe anëtarësimit në institucione të ndryshme ndërkombëtare. Prandaj, ngërçin politik unë e shoh si problem që ka pasoja të shumë anshme, ku gjithsesi edhe dialogu është një prej atyre pasojave, kurse Serbia do të mundohet ta shfyrtëzojë këtë situatë për qëllimet e veta destabilizuese ndaj Kosovës.
Mbase një qeveri e një spektri më të gjerë politik, mund të jetë zgjidhje e disa problemeve të grumbulluara, duke filluar nga dialogu me Serbinë e deri te hartimi i një strategjie të mirëfillt zhvillimore-ekonomike për Kosovën”
, shton shkrimtari.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat